Current track

Title

Artist

Më në fund opozita po tregohet e përgjegjshme

Written by on September 6, 2023

Nga Dr. Dritan Demiraj.

Lajmi i djeshëm për takimin e organizuar nga opozita e bashkuar me pjesmarrjen e 43 deputetëve te saj është lajmi më mirë i kohëve të fundit. Më në fund opozita po tregohet e përgjegjshme dhe në lartësinë e duhur duke filluar diskutimet me qëllim organizimin e një fronti të bashkuar opozitar.

Natyrshëm lind pyetja: A është ky një veprim i vonuar dhe i mjaftueshëm për të arritur objektivin e opozitës për të krijuar kushtet përzgjedhje të lira dhe të ndershme dhe më pas për t’i fituar ato?

Edhe pse mund të duket si një veprim i vonuar, unë gjykoj se ky është një veprim shumë i rëndësishëm për vazhdimin e aksionit opozitar. Ndërsa pyetjes se a është i mjatueshëm personalisht do të thoja aspak.

Në Shqipëri zgjedhjet e viteve të fundit kanë treguar se opozita ka qënë e paaftë të vijë në pushtet. Padyshim që një nga problematikat kryesore është se zgjedhjet në Shqipëri nuk janë të lira, të ndershme dhe në të gjithë rastet qeveria ka treguar se ka përdorur të gjitha format e paligjshme për të mbajtur pushtetin.

Por edhe opozita ka gabimet e saj dhe bën mirë t’i pranojë ato në rast se do të fitojë ndonjëherë. Disa nga gabimet kryesore të saj janë se ajo asnjëherë nuk ka qënë e hapur për të zgjedhur njerëzit më profesionistë dhe të votuar sipas fushave, zonave elektorale dhe ekspertizës profesionale që ata përfaqësojnë.

Bashkëpunimi i saj me partitë e tjera opozitare nuk ka qënë aspak i sinqertë. Këtë e tregon dhe përfaqësimi i sotëm në parlament i disa deputetëve, të cilët as përfaqësojnë asgjë, as kanë peshë në elektoratet përkatëse, ose kanë paguar lekë për tu futur në listat e deputetëve ose janë shokët e ngushtë të kryetarëve dhe për rrjedhojë nuk përfaqësojnë askënd.

Nga ana tjetër duke qënë se vendit i duhet një opozitë aktive në mbrojtje të interesit më të mirë publik, të mirë qeverisjes, etj kemi parë që edhe pse publikohen me forcë reforma të reja dhe risi prej më shumë se 30 vitesh abuzimet me fonde dhe keqqeverisja vazhdojnë pa pushim.

Personalisht mendoj se jetës politike të vendit i duhet një ri-start pas kontrollit të të gjitha pushteteve për më shumë se 10 vite nga një forcë e vetme politike dhe kjo padiskutim për faj edhe të opozitës dhe paaftësisë së saj për të krijuar një front të bashkuar, frymë dhe qasje që të bashkojë të gjithë njerëzit të cilët e kanë humbur besimin tek të gjitha partitë politike në vend.

Mendoj se ka ardhur koha që në këtë koalicion opozitar të ofrohen me sinqeritet dhe jo me hile, parti me vlera dhe njerëz të cilët prej shumë vitesh po bëjnë opozitë më shumë sesa edhe vetë opozita e cila është e zgjedhur për ta bërë atë në parlament. Këtu e kam fjalën për lëvizje të ndryshme opozitare si psh: ‘Lëvizja Atdheu’ e cila edhe nga vetë emri e saj spikat mbi të tjerat dhe drejtuesin e saj z. Kreshnik Osmani por jo vetëm, të cilin e shohim prej shumë vitesh disa herë të ditë duke denoncuar pa pushim aferat korruptive, keqqeverisjen dhe aksionin e dobët opozitar.

Mendoj se duhet një reagim më i fortë qytetar i drejtuar dhe artikuluar nga opozita në Parlament, për të ndaluar shpopullimin e qytetarëve Shqiptarë e cila është një nga plagët më të rënda të këtij shekulli dhe kjo edhe për fajin e opozitës pasi qytetarët nuk kanë më besim tek asnjë parti politike. Nga ana tjetër, ndërkohë që numri më i madh i qytetarëve Shqiptarë jetojnë jashtë vendit, akoma nuk ka asnjë përpjekje të sinqertë që edhe diaspora të ketë përfaqësuesit e saj në parlament në të ardhmen.

Personalisht së bashku me shumë kolegë, miq dhe dashamirës të PD dhe PL në disporë gjatë viteve 2015-2021 kemi kërkuar që të bashkëpunojmë me drejtuesit e PD, por në mënyrën më tinzare në asnjë rast nuk kanë patur dëshirë të bashkëpunojnë thjesht dhe vetëm kanë bere bisht.

E pra të dashur miq!

Në rast se do të vazhdojë kjo qasje, përsëri opozita do t’i humbë zgjedhjet dhe kjo jo për fajin e PS por edhe për vetë fajin e tyre. Mendoj se në mënyrë që tërheqë sa më shumë vota, opozita duhet së pari të krijojë frymë, besim duhet të ofrojë në gjirin e saj njerëz profesionistë, njerëz që e duan kombin, njerëz që kanë mbështetje dhe besim nga publiku dhe që nuk mbahen mend si hajdutë kur kanë qënë më parë në poste publike.

Në shumë shkrime e kam theksuar se vendin e drejton krimi i organizuar nën hijen e ‘rrëmujës’ politike e cila ka përfituar gjithçka, kontrollon, ndërton, korrupton, emëron, shet dhe blen të gjitha pronat që nga Kulla e Sahatit në qëndër të Tiranës e deri tek pronat e rezortet e shumta në bregdet dhe kudo në Shqipëri. Këtu nuk dua të them se jam kundër investimeve dhe përmirësimit të infrastrukturës turistike, por e kam fjalën për zbatimin e ligjit dhe të mënyrës së realizimit të tyre.

Në këtë këndvështrim, opozita duhet të fillojë menjëherë punën që të përgatisë për të votuar në parlament ligjin për votën e disporës dhe duhet të marrë të gjithë masat që ajo votë të jetë sa më e ndershme dhe e besueshme. Vota e diasporës do t’i thotë ndal llumit shumëvjeçar në moçalin e korrupsionit të të gjitha forcave politike, për shkak se 1.6 milionë vota perëndimore të cilat nuk shiten dhe blihen për një thes miell do të krijojnë kushtet për një qeverisje shumë here më transparente.

Të dashur bashkëqytetarë!

Mendoj se ka ardhur koha që të gjithë të bashkohemi për të shpëtuar vendin.

Tagged as

Current track

Title

Artist