Home Aktualitet Shpërthen frikshëm koronavirusi në burgjet amerikane, VOA: Valë masive të infektuarish

Shpërthen frikshëm koronavirusi në burgjet amerikane, VOA: Valë masive të infektuarish

nga Sonila Osmanaj

Një valë masive të infektuarish me koronavirus po shpërthen në popullatën më të madhe në botë të burgjeve në Shtetet e Bashkuara, edhe pse zyrtarët kanë nisur të hapin ekonominë, duke thënë se shifrat e të infektuarve po bien. Burgu në Marion të Ohajos, është shndërruar në institucionin më të infektuar në të gjithë vendin, ku më shumë se 80 për qind e afro 2.500 të burgosurve, shtuar këtu edhe 175 punonjës të personelit, janë testuar pozitiv me COVID-19.

Vdekjet nga koronavirusi janë në rritje në burgjet shtetërore e federale në të gjithë vendin. Zyrtarët kanë pak mundësi për të zbatuar udhëzimet për distancim fizik ndërsa qelitë janë të mbipopulluara. Ata po përballen gjithashtu edhe me mungesë të personelit mjekësor dhe pajisjeve mbrojtëse personale.

Kërcënimi ndaj popullatës së burgjeve prej 2.3 milionë vetësh në SHBA u vu re javën e kaluar me vdekjen e Andrea Circle Bear, një grua 30-vjeçare nga komuniteti indigjen i Dakotës së Jugut. Pasi u fut në një burg federal të Teksasit në muajin mars, ajo u sëmur menjëherë dhe u vendos në respirator. 30 vjeçarja e lindi foshnjën me operacion, por disa javë më vonë humbi jetën.

Në burgjet e shtetit të Uashingtonit dhe Kansasis ka pasur trazira lidhur me masat e pamjaftueshme mbrojtëse dhe reagimin e ngadaltë të autoriteteve të burgjeve.

Përhapja e COVID-19 mes personelit të burgjeve, i kanë bërë institucionet edhe më të vështira për t’u menaxhuar. Në institucionin e korrektimit “Lansing” në Kansas, i cili vuan mungesën e stafit e të pajisjeve, të enjten një nga rojet e burgut me një karrierë 15-vjeçare, David Carter dha dorëheqjen. Ai tha se ishte më mirë të mos merrte më rrogë, sesa të rrezikoni shëndetin e tij dhe atë të familjes së tij.

“Nuk mund të qëndroj më në një strukturë që është një bombë me sahat”, shkruante ai në letrën e dorëheqjes.

Përhapja e virusit në burgun Marion besohet të jetë vetëm maja e ajsbergut.

Për shkak të paqartësisë së menaxhimit të burgjeve, problemeve të autoritetet federale, shtetërore dhe lokale e ndërsa shumë prej këtyre institucioneve drejtohen nga kompani private fitimprurëse, testimi dhe raportimi ka qenë kuturu.

“Covid Prison Data”, një grup ekspertësh të drejtësisë penale dhe universitare, thotë se bazuar në raportet publike, 13.436 të burgosur dhe 5.312 punonjës burgjesh në shkallë vendi, kanë rezultuar pozitive me koronavirusin. Shumë shtete dhe sistemi federal i burgjeve kanë kryer vetëm një numër të vogël testimesh. Madje pesë nga 50 shtete nuk raportojnë fare të dhëna.

Burgjet renditen si ndër insitucionet më të infektuara në vend sipas një klasifikimi të bërë nga “New York Times”, që përfshin 10 institucione, me në krye institucionin korrektues “Marion”.

Arsyet janë të qarta, popullsia në burgje është më e dendur dhe më e vështirë për t’u ndarë sesa azilet apo anijet turistike, që gjithashtu rezultojnë ndër më të goditurit nga sëmundja. Në burgje gjithashtu kanë nivele më të ulta të higjienës, dhe një numër i madh i të burgosurve kanë problemeve të tjera shëndetësore. Po kështu, deri më tani, burgjet nuk kanë qenë përparësi e punës së zyrtarëve që luftojnë kundër pandemisë.

Shifrat e publikuara javën e kaluar tregojnë thellësinë e problemit. Byroja Federale e Burgjeve, e cila ka 152 mijë të burgosur dhe një staf prej 36 mijë punonjësish, ka zbuluar raste në më shumë se gjysmën e 122 institucioneve të korrektimit. Megjithatë janë kryer më pak se 3 mijë teste, ndërsa 1.842 të burgosur dhe 343 punonjës janë testuar pozitive dhe 36 të burgosur kanë humbur jetën.

Situata është më pak e qartë në burgjet shtetërore, të cilat kanë pjesën më të madhe të popullsisë së burgosur të vendit. Disa shtete si Ohajo po përparojnë me testimet dhe publikimin e të dhënave. Të tjera kanë bërë fare pak. Një tregues i shtrirjes së mundshme të problemit, raportohet nga “CoreCivic”, një kompani private e cila operon me dhjetëra burgje në të gjithë vendin. Ajo testoi të gjithë 2.725 të burgosurit dhe stafin në objektin e saj “Trousdale Turner” në Tenesi dhe gjeti se 1.299 të burgosur dhe 50 anëtarë të stafit ishin pozitivë dhe gati të gjithë nuk shfaqnin asnjë simptomë të sëmundjes.

Aktivistët thonë se është bërë pak në nivelin shtetëror dhe federal për të liruar ata të burgosur që nuk janë të dhunshëm ose afatet e qëndrimit të të cilëve po mbarojnë, gjë që sipas tyre mund të zvogëlonte rrezikun nga infeksioni, e të krijojë më shumë hapësirë në burgje.

Lajme te ngjashme

WhatsApp Na Shkruani!