Home Aktualitet ‘COVID-19’ në Kosovë vrau një ‘foshnjë’, e fali një ‘plak’

‘COVID-19’ në Kosovë vrau një ‘foshnjë’, e fali një ‘plak’

nga Sonila Osmanaj

Nga Çim Peka

Kur në dhjetor të vitit 2001, dy vjet e gjysëm pas clirimit të Kosovës, Albin Kurti u lirua nga burgu në Serbi me ndërhyrjen e organizatave ndërkombëtare, krahu i luftës, por edhe i paqes, po shijonin frytet e çlirimit, por edhe të pushtetit.

Në vend që të marshonte deri në Jarinjë, UÇK e drejtuar prej Hashim Thaçit e ndali hovin në Mitrovicë, bash në Ibër. Duke ndaluar në Ibër, me instalimin e forcave franceze të NATO-s, u vulos ndarja de facto e Mitrovicës dhe e Kosovës.

Elemente të caktuar të UÇK filluan uzurpimin e pronave të serbëve të larguar, morën drejtimin e ndërmarrjeve shtetërore, dhe filluan gradualisht të merrnin nën kontroll jo vetëm pronat, por edhe ekonominë e Kosovës.

Në këtë kohë, Ibrahim Rugova ishte tradhëtar, dhe LDK e strukur nga euforia e ‘çlirimtarëve’. Shumë zyrtarë të LDK-së u vranë pas lufte. Pjesa dërrmuese e këtyre krimeve mbeten pa u zbardhur edhe sot. Dhe jo vetëm këto.  Veçse, pse nuk janë zbardhur, nuk do të thotë se nuk janë hetuar dhe nuk po hetohen.

Shumë eksponentë të ish-UÇK janë nën hetim dhe janë marrë në pyetje nga Gjykata Speciale me seli në Hagë. Ramush Haradinaj u bë viktima e kësaj gjykate, kur korrikun e vitit të shkuar dha dorëheqje si Kryeministër i Kosovës për shkak të marrjes si i dyshuar.

Pavarësisht se nuk është bërë zyrtare, gjasat janë se edhe Hashim Thaçi është intervistuar disa herë. Koincidence apo jo, Hashim Thaçi filloi të investohej personalisht për ndarjen e Kosovës, vetëm pasi u përpilua lista e personave që ishin nën hetim nga Gjykata Speciale, dhe ku i pari në liste ishte vetë Thaçi.

Qeverisja e Ramush Haradinajt pati dy elementë që spikatën. Së pari, korrupsioni spektakolar, dhe së dyti kundërshtia e fortë e tij ndaj përpjekjeve të Hashim Thaçit, Edi Ramës dhe serbit Vuçiç për të ndarë Kosovën.

Duke ditur se vetë Haradinaj ishte gjykuar një herë në Hagë, dhe se ai personalisht nuk ishte në listën fillestare për t’u hetuar nga Gjykata Speciale, të gjitha gjasat janë se ai u mor si i dyshuar vetëm për t’u shantazhuar në pranimin e idesë për ndarje. Haradinaj u shantazhua përgjysmë. Ai dha dorëheqjen nga Kryeministër, por nuk hoqi taksën dhe as nuk iu rreshtua Thaçit e Ramës.

Albin Kurti nuk mori ndonjë rezultat spektakolar në zgjedhjet parlamentare. Madje mori një deputet më pak se herën e fundit.  As LDK. Atë rezultat që e arriti, e pati prej Vjosa Osmanit, e jo prej kastës së vjetër. As prej Isa Mustafës, as prej Lutfi Hazirit e as prej Agim Veliut. Ata thjesht e kanë marrë peng LDK-në.

Pra, gjeja spektakolare e zgjedhjeve nuk ishte as rezultati dhe as fituesi. Spektakolar ishte emri i humbësit. Jo PDK, e as AKK.  Por Hashim Thaçi personalisht. Ishte hera e parë që nga përfundimi i luftës, që Hashim Thaçi nuk mundi t’u imponohet partive të tjera, sidomos LDK-së. Ose jo. Mocioni i mosbesimit dhe rënia e qeverise Kurti tregoi se Hashim Thaçi vazhdonte të kishte nën kontroll total LDK-në. Por jo Vjosa Osmanin.

Të jemi të sinqertë. E gjithë kjo nuk mund të ndodhte pa ndihmën e vetë Albinit. Nëse ka elementë që shquajnë qeverisjen e Albin Kurtit, ato janë arroganca dhe foshnjëria politike.

Së pari, Kurti në zbatimin e premtimeve të veta elektorale, vendosi t’i kundërvihej të gjithë establishmentit menjëherë.  Establishmenti ka disa komponentë: ai është politik, ekonomik, mafioz, ndërkombëtar, dhe ai i sigurisë. Një establishmenti të tillë mund t’i kundërvihësh kur ke një mandatim tepër të fuqishëm e suprem për ta bërë këtë. 26% e elektoratit nuk janë as i fuqishëm e as suprem!

Së dyti, edhe pse ke ardhur në pushtet, thjesht nuk mund të sillesh sikur kë fituar 80% të votave, kur në fakt ke fituar vetëm 26%. Kurti u shpreh se ‘legjitimiteti vjen nga poshtë’.  Pikërisht pra! Shteti është i madh, dhe i ashtuquajturi ‘deep state’ me rrënjë të thella. Të shfaqësh arrogancën e Albin Kurtit, n’daç ndaj Presidentit të Republikës, n’daç ndaj partnerit në koalicion, n’daç ndaj Parlamentit e n’daç ndaj partnerëve ndërkombëtarë, do të thotë të jesh i papjekur politikisht dhe diplomatikisht.

Së treti, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund t’i kundërshtosh, t’i kritikosh, por jo t’i sfidosh. Thjesht nuk mund ta bësh! SHBA-të mund ‘t’i mundësh’ edhe pa i sfiduar. Shtëpia e Bardhë nuk është as e kuqe, as e verdhë, as jeshile. Ajo është Shtëpi e Bardhë; ajo është vetë Amerika! Dhe kur je i vetë-identifikuar si majtist ekstrem, sfida ndaj SHBA-ve ngjet keq, shumë keq.

Në vend që të refuzosh të shkosh në Shtepinë e Bardhë, mund të shkosh atje dhe ta rrëzosh idene e ndryshimit të kufinjve. Po, po. Mund ta bësh. Nëse amerikanët kanë vendosur të luajnë me kufinjtë, vazhdoje këtë lojë, por çoje më tutje. Loz me kufinjtë e Maqedonisë!

Është e vërtetë që ka një projekt-marrëveshje. Madje të sigluar. Midis Vuçiç dhe Thaçit. Një marrëveshje tmerrësisht e keqe.  Por e paperfunduar. Ajo është në zyrën ne Josep Borrell. E lënë aty nga një monstër me emrin e Federica Mogherini-t.

Në fillimin e viteve ’90, ministri i jashtëm francez i asaj kohe shprehej se ‘problemin e vetëm që kemi me amerikanët është se nuk na thonë se çfarë duan. Po ta dinim, puna do ishte shumë e thjeshtë, do bënim çfarë duan ata’. Albin Kurti e di se çfarë duan amerikanët. Marrëveshje. Amerika, në raport me Kosovën dhe Serbinë, ka emrin e Richard Granell. Ai e ka sfidë personale.  Ai do një marrëveshje. Atij nuk i intereson Trepça. Tjetërkujt po.

Megjithatë, Albin Kurti nuk është as i korruptuar, as i përfshirë në afera, as me lidhje me krimin e organizuar. Kosova sot është në këtë gjendje prej gjithë të tjerëve, përveç Albin Kurtit.

Qeveria e Albin Kurtit u rrëzua prej taksës dhe prej marrëveshjes. Në kulmin e një pandemie. Nuk ka kërcënim më të madh për sigurinë kombëtare sesa kërcënimi masiv ndaj jetës së qytetarëve. Për këtë nuk do ta kuptojë as Isa me shtagë. Të rrëzosh një qeveri në kulmin e kërcënimit më të madh botëror që nga Lufta e Dytë Botërore, vetëm Isa Musafa e Hashim Thaçi mund ta bëjnë.

Syri.net

Lajme te ngjashme

WhatsApp Na Shkruani!