DISA TË VËRTETA PËR HAVZI NELËN!

Read Time:7 Minute, 27 Second

Nga Milaim Nela.

Duke qenë se i përkas të njëjtit trung dhe për të shmangur sado pak “konfliktin e interesit” në sytë e miqve dhe publikut që më lexon do t’i them disa gjëra për Havzi Nelën – martirin që u var në litar më 10 Gusht të vitit 1988.

Dje të nderuar miq ju thashë që do hesht, megjithëse vreri i patronazhistëve më detyroi të dal sado pak nga heshtja e premtuar!
Ditën e djeshme në 34 vjetorin e ekzekutimit në litar është folur për Havzi Nelën në media, rrjetet sociale dhe dita u mbyll me një përkujtimore të organizuar nga kryetari i Partisë Demokratike Dr Sali Berisha me bashkëvuajtës të Havzi Nelës, të afërm dhe kontribues të nxerrjes në dritë të figurës së tij.

Shumë është shkruar e shumë është thënë për Havzi Nelën por duke parë prononcimet dhe disa keqkuptime dhe mbi të gjitha duke qenë një nga të parët që kam patur akses tek vepra (e mbijetuar) e Havziut falë vëllait të tij Shukri Nela dua të sqaroj disa pika;

A. Havzi Nela nuk është dënuar në vitin 1967 si poet por si antikomunist i deklaruar hapur kundër revolucionit alla-kinez të Enver Hoxhës që u iniciua me fjalimin e tij famëkeq të 6 shkurtit 1967. Formalisht akuza ishte pēr tradhëti ndaj atdheut.
Havzi Nela në një mbledhje të rëndësishme të asaj kohe në Shishtavec ishte deklaruar;

1 – kundër kolektivizimit të pronës sepse e konsideronte të shenjtë pronën private
2 – kundër ndalimit të Fesë pasi besimi ishtë shumë i rëndësishëm për njeriun
3 – kundër ndalimit të veshjes tradicionale pasi ajo ishte shumë e rëndësishme për kulturën kombëtare.
Unë tē paktën as nuk di as nuk kam lexuar pēr ndonjë person tjetër të ketë bërë rezistencë apo sfide të hapur publike ndaj revolucionit të mesipërm.

Pas kësaj ngjarje sigurimi famëkeq i shtetit i ishte vënë këmba këmbës Havzi Nelës asokohe mësues i letërsisë dhe gjuhës shqipe në Topojan duke rekrutuar edhe kolegë të tij.
Havziu e donte shumë vendin e tij dhe nuk kishte ndërmend ta braktiste atë por ishte vënë në dijeni që arrestimi ishte çeshtje kohe ndoshta orësh.
Ai do merrtë bashkëshorten e tij dhe një valixhe me të gjitha dorëshkrimet e tij deri në atë kohë, dhe do arratisej në Jugosllavi
Në dosjen e tij është gjetur letra me shkrim dore e shkruar në kufi “LAMTUMIRË ATDHE I DASHUR, PO TË LË PO ZEMËRPLASUR”!

Si person i futur në rreth të kuq edhe nga autoritetet jugosllave ai do ti dorëzohej autoriteteve shqiptare, në bazë të marrëveshjeve që kishin vëllezërit ideologjike të të dy anëve.
Dorëshkrimet e tij nuk dihet sot e kësaj dite çfarë fati kanë pësuar, nëse ekzistojnë diku në Prizren, janë djegur apo janë diku në arkivat serbe!
U dënua herën e parë me 15 vjet burg me akuzën për tradhëti ndaj atdheut dënim që do ti shtoheshin edhe 8 vjet të tjera pas revoltës së Spaçit.
Dëshmitarët e asaj kohe konfirmojnë qëndrim burrëror në sallën e gjyqit duke deklaruar pa ju dridhur syri, po jam kundër rregjimit tuaj se është antikombëtar.
Dua të ju kujtoj lexuesve të mi se pas luftës civile që komunistët akoma e quajnë nacional-çlirimtare ishin pushkatuar 3 vetë nga Nelajt e Kollovozit, ishin arratisur disa po nga i njëjti fis.

Mes të arratisurve ja vlen të theksohet arratisja nga Lushnja e dy vellezërve të të pushkatuarit Ilmi Nela (Mustafe dhe Idriz Nela) ku ishin të internuar për në Jugosllavi.
Këta bashke me Qemal Hoxhën arritën që për 30 ditë duke sfiduar operacionin e udhëhequr direkt nga Mehmet Shehu ku e gjithe ushtria, policia dhe forcat vullnetare të asaj kohe nuk arritën që ti kapnin. (Kjo ngjarje meriton një skenar filmi sepse është spektakolare).
Unë kam patur fatin ta takoj Mustafe Nelën në vitin 1994.
Sherif Nela vëllai i të pushkatuarit tjetër Zaim Nela ishte i internuar në Lushnje.
I internuar në Lushnje ishte po ashtu Billal Shaban Nela vëllai i Rrahim Shaban Nelës i arratisur në Francë.
Avdulla Baftjar Nela ishte sa brenda e sa jashtë burgut.
Të gjithë këta nga Nelajt e Kollovozit!
E bëra këtë ndërhyrje për të treguar se pse Havzi Nelën e priste pashmangshmërisht një dënim shumë i ashpër.

U lirua pas 20 viteve burg duke shlyer 3 vjet me punë në burg (njihej kjo nga regjimi i asaj kohe).
Pas lirimit nga burgu sigurimi nuk do t’i ndahej e do ta ndiqte këmba këmbës.
Unë kam qenë në shkollën e mesme në atë kohë e kam patur rastin ta takoj e të rri dy herë me Havziun megjithëse ishte shumë i rezervuar me njerëzit dhe më ka ngelur në mendje shprehja që e përdorte shumë shpesh: ‘më falni se u zgjata shumë’!
Me babën tim ka patur afërsi që në fëmijëri dhe kanë marrë pjesë edhe në festivale folklorike të asaj kohe kryesisht lokale pasi Havziu e ka patur artin të shkruar në ADN-në e tij, këngëtar, valltar i shkëlqyer (shikoni foton më poshtë e ruajtur nga familja ime) dhe poet.

Kur i thashë që dua të vazhdoj shkollën (isha në shkollë të mesme asokohe) i shkëlqente fytyra. Mua më ka ngelur në kujtesë vështrimi i syve të tij që rrezatonin dashamirësi dhe më ka lënë përshtypjen edhe pse ja kishin shkatërruar pjesën më të bukur të jetës ai kishte një buzëqeshje permanente në fytyrë.

B. Pas arrestimit të dytë dhe internimit në Arren (që ai do ta quante Arrni me arrna) ku ishte ballafaquar me kushte çnjerëzore ai kishte vendosur të arratisej nga internimi sepse durimi i tij kishte arritur fundin.
Janë hedhur shumë hipoteza dhe është spekuluar shumë por versioni më i besueshëm është që ai donte të takonte edhe njëherë nënën e tij dhe ti jepte fund jetës. Dëshpërimi dhe lodhja e tij reflektohet edhe në poezitë e tij të shkruara në Arrën.

C. Havzi Nela është dënuar me vdekje në litar nga Gjykata e Rrethit Kukës me gjykates Agim Hoxha, me pretencën e prokurorit Nikollaq Helmi në kundërshtim me ligjet e asaj kohe. E theksoj në KUNDËRSHTIM me ligjin e kohës. Në dosjen e tij ështē një shënim me shkrim dore i shkruar me stilograf me bojë blu ku kërkohet të dënohet që të bëhej shembull!
Pra është dënuar me urdhër nga lart e ligji është sajuar për të justifikuar aktin.
Është dënuar për tentativë arratisje pa u provuar tentativa.
Eshtë denuar për terrorizëm pa u provuar vepra penale.

Të mos harrojmë se kishte filluar vala e shembjes së rregjimeve në Europën qëndrore e lindore.
Havzi Nela ishte kurbani perfekt për rregjimin të cilit i lëkundej toka nën këmbë.

D. Havzi Nela nuk është varur në qendër të qytetit të Kukësit siç thuhet gabimisht por në vendin më publik që quhej Agjencia që ishte një vend afër kryqëzimit ku kryqëzoheshin të gjitha rrugët dhe ishte hyrje dalja e qytetit dhe stacioni i autobuzëve urbane, lidhjes me fshatrat dhe atyre nacionalë. Ishte vendi më i ekspozuar dhe kjo ishte bërë qëllimisht për të ngjallur terror.
Unë po ashtu nuk do ti harroj datat 10 dhe 11 Gusht të vitit 1988. Në qendrën e Kollovozit ku ishin përqendruar zyrat, dyqanet, shkolla dhe shumë aktivitete të asaj kohe njerëzit ishin nē zi të pashpallur. Këmbeheshin me njëri tjetrin dhe nuk flisnin por përshëndeteshin duke salutuar njeri tjetrin vetëm me lëvizje koke. Flisnin me minimumin e fjalëve vetëm kur e kishin të domosdoshme.
Ishte vapë gushti dhe dukej një atmosferë që mund ta krahasoj vetëm me ndjesinë pas eklipsit të diellit që kam përjetuar në Londër në vitin 1999. Ishte dritë por një dritë e frikshme, ishte diell por një diell i çuditshëm sikur mbaje një hekur të rëndë në gjoks po nuk ja thoje kujt.
Kjo të paktën ishte ndjesia ime.

Është dënuar Trifon Xhagjika për poezi, është dënuar Vilson Blloshmi e Genc Leka për krijimtarinë e tyre por Havzi Nela nuk është denuar si poet pasi sa ishte gjallë poezitë e tij nuk i ranë në dorë makinerisë së diktaturës. Po t’i kishin rënë ai nuk do ishte liruar nga burgu pas dënimit të dytë dhe me shumë gjasa do ishte ekzekutuar para vitit 1988.

Havzi Nela është dënuar si antikomunist i deklaruar pa e fshehur apo kamufluar asnjëherë kundërshtimin dhe mospajtimin me rregjimin komunist.
Ai shkroi për lirinë dhe demokracinë kur pak kush e njihte si koncept!

Ai shkroi për konferencën e Helsinkit kur shumë pak shqiptarë nga ata që ishin demek të lirë kishin njohuri se ekzistonte.
Ai ka shkruar dhe folur kundër luftës së klasave kur askush nuk guxonte ta artikulonte hapur një gjë të tillë.

Nga Milaim Nela
Durrës më 11 Gusht 2022.

P.S: Në foton e parë poshtë: I pari nga e majta është Shukri Nela (vëllai i Havziut), i dyti është babai im Lutfi Nela, dhe i treti është i ndjeri Havzi Nela. Fotoja është e ruajtur nga familja ime dhe i përket një festivali zonal në vitin 1956.
Fotoja e dytë është kopje e letrës se gjetur në kufi dhe e nxjerrë nga dosja e tij.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %
Previous post Superskandali/ Irfan Hysenbelliu 1.7 milionë euro borxh në Tatime vetëm nga një kompani
Next post STRATEGJIA E PUTINIT PËR TË SHMANGUR SAKSIONET EKONOMIKE DHE DËMTUAR MË TEJ EKONOMINË E EUROPËS.