Ina Zhupa letër 3 institucioneve për deklaratat e Richard Hodges: Koha të reagoni dhe të mbani një qëndrim zyrtar

Read Time:2 Minute, 40 Second

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa thotë se është koha që institucionet shkencore të vendit t’u japin një përgjigje zyrtare deklaratave në videon virale të Richard Hodges, kreut të Fondacionit të zgjedhur për menaxhimin e Butrintit.

“Është koha që institucionet shkencore të vendit të flasin zyrtarisht dhe publikisht për leksionet antishqiptare që Richard Hodges, drejtues i koncensionit të Butrintit, mban nëpër universitete dhe shkruan në ‘artikuj shkencorë’.”– tha Zhupa në një deklaratë nga selia blu.

Ajo ka treguar se u ka dërguar kërkesë zyrtare 3 institucioneve, të Albanologjisë, së Historisë dhe të Arkeologjisë.

“Gjykoj se është e drejtë dhe detyrim i instituteve shkencore shqiptare që t’u japin një përgjigje zyrtare deklaratave të Richard Hodges që kërkojnë të mohojnë, fyejnë dhe injorojnë historinë, vlerat dhe trashëgiminë e popullit shqiptar.”- vazhdoi ajo.

Sipas Zhupës qëndrimet anti-shqiptare të mbajtura nga Hodges janë mjaft shqetësuese, pasi ato vënë në dyshim prejardhjen e popullit tonë, ekzistencën e shtetit shqiptar, si dhe historinë e trashëgiminë kulturore të shqiptarëve.

Zhupa shprehet se tre institucionet e lartpërmendura duhet të mbajnë një qëndrim zyrtar lidhur me bazueshmërinë shkencore të deklarimeve të Hodges.

DEKLARATA

Është koha që institucionet shkencore të vendit të flasin zyrtarisht dhe publikisht për leksionet antishqiptare që Richard Hodges, drejtues i koncensionit të Butrintit, mban nëpër universitete dhe shkruan në “artikuj shkencorë”.

Si deputete dhe qytetare e këtij vendi ju kam dërguar kërkesë zyrtare 3 institucioneve, të Albanologjisë, së Historisë dhe të Arkeologjisë. Gjykoj se është e drejtë dhe detyrim i instituteve shkencore shqiptare që t’u japin një përgjigje zyrtare deklaratave të Richard Hodges që kërkojnë të mohojnë, fyejnë dhe injorojnë historinë, vlerat dhe trashëgiminë e popullit shqiptar.

Kjo edhe në respekt të punës profesionale të historianëve dhe arkeologëve shqiptarë ndër vite, për të përmendur disa prej akademikëve të shquar, por pa nënvlerësuar rolin dhe kontributin e kujtdo tjetër, si Eqerem Cabej, Aleks Buda, Hasan Ceka, Selim Islami, Hena Spahiu, Neritan Ceka, Etleva Nallbani etj.

Qëndrimet anti-shqiptare të mbajtura nga Richard Hodges janë mjaft shqetësuese, pasi ato vënë në dyshim prejardhjen e popullit tonë, ekzistencën e shtetit shqiptar, historinë dhe trashëgiminë kulturore të shqiptarëve.

Kur këto deklarata bëhen nga një person, i ngarkuar dhe i paguar për detyrën e mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve, të mishëruar si s’ka më mirë në Parkun Kombëtar të Butrintit, përbëjnë një skandal të rëndë që meriton përgjigje të menjëhershme nga institucionet shqiptare, vecanërisht institutet me dije dhe ekspertizë të posacme në fushën e historisë, arkeologjisë dhe trashëgimisë.

Në këtë kuadër, në cilësinë e deputetes së Kuvendit të Shqipërisë, në mbështetje të nenit 8 dhe nenit 10 të ligjit nr. 8550, datë 18.11.1999 “Statusi i Deputetit”, kërkoj nga Instituti i Arkeologjisë, Instituti i Historisë dhe Akademia e Studimeve Albanologjike, mbajtjen e një qëndrimi zyrtar me shkrim lidhur me:

(I) bazueshmërinë shkencore të deklarimeve të Z. Hodges;

(II) përshtatshmërinë profesionale të këtij personi për mbajtjen e detyrës së anëtarit të Bordit të Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit;

(III) rekomandimet tuaja lidhur me reagimin institucional që duhet të mbajë Ministria e Kulturës, Kuvendi i Shqipërisë etj. ndaj këtyre deklaratave.

Është koha që këto institucione të reagojnë dhe të mbajë qëndrim zyrtar ndaj këtyre deklaratave.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %
Previous post “Arrestoni Erion Veliajn!” Aleanca padit në SPAK kreun e Bashkisë së Tiranës
Next post Pesë pyetjet e Malltezit për Inceneratorët: Pse u kaluan dje 2 miliard lekë në kontot e të shpallurve në kërkim Zoto dhe Gugallja