Gjukanoviq: Qëllimi i ‘Ballkanit të Hapur’ është zhdukja e Kosovës, BeH, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut

Read Time:2 Minute, 19 Second

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, ka thënë se projekti “Ballkani i Hapur” është si “shumë kontrovers”, sepse sipas tij, është një skenar alternativ për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor jashtë BE-së.

“Ne nuk kemi nevojë për këtë, ne kemi nevojë për anëtarësim në BE”, citohet të ketë thënë Gjukanoviq, gjatë një interviste për portalin e Vojvodinës “Autonomija”, shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi.

“Ata që nuk e shohin rajonin tonë në Evropë, nuk shohin as demokraci multietnike në Ballkan. Atyre u pëlqen ideja e ndryshimit të kufijve, homogjenizimi etnik dhe fetar brenda shteteve të zgjeruara. Si zakonisht, çdo gjë nis tradicionalisht nga pala serbe, këtë herë në ‘botën serbe’. Dhe kjo vazhdon automatikisht me të njëjtat zullumqarë të shtetit të madh”, citohet të ketë thënë më tej Gjukanoviq.

Madje ai ka vlerësuar se qëllimi i autorëve të idesë së “Ballkanit të Hapur” është zhdukja e Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe shtoi se sigurisht që do të përfundonte me “luftë dhe me ndonjë gjenocid”.

Presidenti malazez, gjatë intervistës së tij ka theksuar se kryeministri Dritan Abazoviq “do të gjykohet nga votuesit, gjykatat dhe historia” nëse ai ndjek një politikë e cila sipas tij është kundër interesave të Malit të Zi.

Gjukanoviq ka thënë se Malit të Zi i është dhënë mundësia të përparojë në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian dhe shtoi se ky shans është edhe një rrugë drejt anëtarësimit në BE, shkruan Al Jazeera, përcjell Telegrafi.

“Është logjike që Mali i Zi të jetë anëtari i parë i ardhshëm i BE-së, sepse në rrjedhën aktuale të negociatave është shumë më përpara se të gjitha vendet kandidate. Përveç kësaj, nuk ka dyshime gjeopolitike, sepse ka harmonizuar politikën e jashtme dhe të sigurisë me BE-në për disa vite”, citohet të ketë thënë më tej Gjukanoviq.

Ai ka shtuar se përgjigja në pyetjen nëse Mali i Zi do të përfitojë nga ky shans varet para së gjithash nga performanca e qeverisë dhe organeve të tjera shtetërore të Malit të Zi.

Sipas tij, në Mal të Zi ashtu edhe në fqinjësi ka shumë nga ata që nuk duan ta shohin Malin e Zi si vend stabil, civil, të begatë dhe anëtar të BE-së.

Ndërkohë i pyetur për të komentuar deklaratën e kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, i cili pas vizitës së tij në Beograd deklaroi se me atë “vizitë historike” arriti të “rivendos” marrëdhëniet mes dy vendeve, Gjukanoviq ka shtruar pyetjen “nëse një, çfarëdo qoftë ajo vizitë, mund të rivendosë marrëdhëniet e kontaminuara për gati dy shekuj”.

Sipas tij, Serbia ka pasur një “rol hegjemonik” në Ballkanin Perëndimor për dy shekuj, i cili “është i mbështjellë në mënyrë transparente në shqetësimin e Beogradit zyrtar për kërcënimin e serbëve në rajon”. /Telegrafi/

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
100 %
Surprise
Surprise
0 %
Previous post Një akt i shëmtuar i turpshëm i Edi Ramës!
Next post EKSKLUZIVE – Flet Filip Talo: Mua më denoncoi shoku im, por ai nuk është Ilir Rexhep Metaj