Home Aktualitet Analizat e ushqimeve te privati/ Delegacioni i BE ‘shuplakë’ Çuçit: Kemi investuar në Shqipëri, shteti të kryejë shërbimin

Analizat e ushqimeve te privati/ Delegacioni i BE ‘shuplakë’ Çuçit: Kemi investuar në Shqipëri, shteti të kryejë shërbimin

nga Albina Hoxhaj

Disa javë pas urdhërit të ministrit të Bujqësisë, Bledi Çuçi për t’i kaluar analizat laboratorike të ushqimeve, ky koncesion ende nuk është transparent për shqiptarët. Ishte ish-ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, i cili tha se ky akt del edhe kundër normativave të përcaktuara nga Bashkimi Evropian, që ka investuar para për sigurinë ushqimore në Shipëri. Për të mësuar më shumë për qëndrimin e Bashkimit Europian në Tiranë, lidhur me këtë vendim të ministrit Çuçi, Dosja.al kontaktoi me delegacionin e BE ‘via e-mail’. Të pyetur se a bie ky urdhër ndesh me direktivat e Bashkimit Europian, delegacioni i BE u përgjigj:

“Urdhri në vetvete nuk është kundër direktivave të BE-së. Sidoqoftë, transferimi i analizave laboratorike mbi kontrollet zyrtare duhet të bazohet në:

  • Një politikë të qartë të sigurisë ushqimore, përfshirë sistemin laboratorik,
  • Analiza ekonomike transparente,
  • Një kuadër rregullator që mbulon marrëdhëniet midis shtetit dhe subjekteve të tjera të autorizuara për analiza laboratorike, përfshirë tarifat, përgjegjësinë e ofruesve të shërbimeve, marrëveshjet kontraktuale, komunikimin me organet publike, etj., për të shmangur jo vetëm konfliktin e interesit, por edhe konkurrencën e padrejtë.”

Pyetjes, se meqënëse BE ka investuar para në Shqipëri për laboratorët shtetërorë, delegacioni thekson se po e monitoron nga afër këtë çështje.

“BE-ja është shumë e lidhur me qëndrueshmërinë e investimeve të veta dhe synon ta monitorojë nga afër këtë çështje. BE-ja pret që laboratorët në pronësi të shtetit të vazhdojnë të kryejnë shërbimet e tyre për nivelin dhe testet për të cilat janë caktuar, ndërsa strategjia në pritje e laboratorëve duhet të aprovohet sa më shpejt, në mënyrë që të përmirësohet konteksti i politikës më të gjerë të sigurisë ushqimore.”-thuhet në përgjigjien e delegacionit.

Për Mbrojtjen e Konkurrencës, BE thotë se legjislacioni shqiptar është në përputhje me atë të BE, dhe shton se përgjegjësinë për të garantuar zbatimin e ligjit e ka AKU.

“Ligji shqiptar për Mbrojtjen e Konkurrencës duket se është në një masë të madhe në përputhje me nenin 101 mbi marrëveshjet kufizuese dhe nenin 102 mbi abuzimet me pozitën mbizotëruese të TFEU-së (Traktati mbi Funksionimin e Bashkimit Evropian). Legjislacioni sekondar gjithashtu paraqitet gjerësisht në përputhje me rregulloret përkatëse të BE-së dhe udhëzimet e Komisionit. Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës (ASHK) është përgjegjës për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës.”

Ministri i Bujqësisë ka lëshuar një urdhër disa javë më parë, i cili detyron Autoriteti Kombëtar i Ushqimit që analizat ushqimore të kryhen në një laborator privat. Urdhri parashikon që analizat do të kryhen deri në nëntor të vitit 2022. Kjo është hera e parë që ministria i jep këtë të drejtë shërbimi për disa vite një subjekti privat, pasi deri më tani, këto analiza bëheshin nga AKU në bashkëpunim me Institutin e Sigurisë së Ushqimit. Kundërshtimi nga ana e drejtorit të AKU, Agron Hetoja, ka sjellë edhe shkarkimin e tij, duke mos e mbajtur dot më shumë se 8 muaj këtë post. /dosja.al/

Lajme te ngjashme