Home Aktualitet Musht dhe lot

Musht dhe lot

nga Editor

Zhurmë makinash, njerëz që përplasen me njëri-tjetrin nga nxitimi për t’u kthyer në shtëpi. Gra që blejnë fruta, burra me biçikletë që varin qeset me perime në krahët e biçikletës dhe nisen për në shtëpi. Kushdo nxiton. Copëza bisedash që përplasen me njëra- tjetrën; A janë të freskëta; sa është kilja?; më bëj gjysmë kile…

Përpiqem të çaj rrugën dhe të gjej shtegun tim në rikthmin në shtëpi. Në largësi syri më zë një grua rreth të shtatëdhjetave. E strukur në një cep, me një varg mollësh të egra të thara në njërën dorë dhe dorën tjetër mbi ballë.
Vjen era pikëllim. Duket e çuditshme, por edhe pikëllimi vjen erë.

Afrohem. I kërkoj një varg mollësh të thara. Ngre kokën dhe shoh një fytyrë të lagësht nga lotët dhe sy të shkretuar.

  • Çfarë ke?!- e pyes.
  • Policia bashkiake më mori mushtin. Kisha dy kavanozë me musht dhe policia i mori. Më thanë se do m’i kthenin përsëri, por e di që nuk do m’i kthejnë. M’i kanë marrë edhe herë tjetër dhe nuk m’i kanë kthyer.

E kisha të vështirë të dalloja në qante një grua 70 vjeçe ,apo një fëmijë që ka humbur dorën e nënës mes një grumbulli njerëzish. Aq të ngjashëm ishin lotët e asaj gruaje, me lotët e pafajësisë së një fëmije që i ka ikur nga dora nënës së tij.

Lotët e saj ma shkelmuan keq stomakun. Një gjendje mes përzierjes dhe revoltës, heshtjes që ta kyç gojën dhe fjalës që mbetet e paralizuar në laring.

E shoh. E dëgjoj dhe nuk arrij të them asgjë. Marr vargun e mollëve të egra, i jap lekët dhe iki.

Post Scriptum- Në çdo hap që hedh më shoqëron një përzierje e çuditshme mes mushtit dhe lotëve.

Elona Caslli

Lajme te ngjashme

error: Content is protected !!