Home Aktualitet Çuçi sulmon gjyqtarin, KLGJ nuk guxon t’ia përmendë emrin ministrit

Çuçi sulmon gjyqtarin, KLGJ nuk guxon t’ia përmendë emrin ministrit

nga Editor

Një ditë pasi ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi sulmoi një gjyqtar në Gjirokastër për shkak të vendimmarrjes së këtij të fundit në mbrojtje të një qytetari, Këshilli i Lartë Gjyqësor shprehu ‘keqardhje për mosrespektim të pavarësisë’, por pa përmendur Çuçin me emër.

Nga Gjergj Erebara-BIRN

Për shkak të vendimmarrjes në mbrojtje të një qytetari, Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi sulmoi një gjyqtar në Gjirokastër.

Një ditë pas sulmit të ministrit, Këshilli i Lartë Gjyqësor shprehu “keqardhje për mosrespektim të pavarësisë”, por pa përmendur Çuçin me emër.

Në vendet normale të shtetit të së drejtës, qytetarët kanë të drejtë të ankohen ndaj një vendimi të qeverisë në një gjykatë të pavarur, e cila, mbron qytetarët nga abuzimi me pushtetin.

Kjo është ajo çfarë bëri një qytetar, ‘viktimë’ e një urdhri të qeverisë për shembje objekti, për të cilin, qeveria aludon se është pa leje. Dhe gjykata administrative e Gjirokastrës urdhëroi pezullimin e aktit administrativ në pritje të gjykimit të çështjes.

Gjithçka deri këtu rrodhi siç duhet; ku qeveria është subjekt i ligjit dhe i kontrolluar nga një gjykatë e pavarur. Por këtu normaliteti mori fund dhe dy pushtetet, ekzekutivi dhe gjyqësori u përplasën në distancë, ku ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi i dha të drejtë vetes të sulmojë publikisht një gjyqtar, vetëm për shkak se ky i fundit dha një vendim në mbrojtje të një qytetari.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili është institucioni mbikëqyrës i gjyqtarëve, lëshoi një deklaratë të enjten, duke kërkuar nga “persona publikë” që të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit.

Çuçi deklaroi në një letër të publikuar gjerësisht në media se gjyqtari Elidon Papazisi i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër kishte thyer ligjin duke “pranuar pjesërisht kërkesën e paditësit për marrjen e masës së sigurimit të padisë”, një vendim që sipas Çuçit, është ndërmarrë “pa u thelluar në arsyetimin e saj dhe duke mos i dhënë rëndësinë e duhur kundërvajtjes së ndërtimit pa leje”.

Ky krim sipas Çuçit, ka sjellë pezullim të planit të qeverisë për të shembur një ndërtim që sipas saj, është pa leje, sipas fragmenteve të letrës të publikuar nga Agjencia Telegrafike Shqiptare.  [Link].

Në atë që mund të konsiderohet si një kërcënim i hapur ndaj gjyqtarëve, letra e Çuçit paralajmëron se ai do të përdorë burimet njerëzore të ministrisë së tij për të shqyrtuar “çdo vendim të ndërmarrë nga çdo gjyqtar” që guxon të marrë vendime që bien ndesh me dëshirat e qeverisë, pa shpjeguar se mbi çfarë baze ligjore Ministrisë së Brendshme i lind e drejta të mbikëqyrë apo denoncojë publikisht vendimet e gjykatave.

Ndryshe nga Çuçi, i cili nuk është zyrtari i vetëm shtetëror që i jep të drejtë vetes të gjykojë punën e gjykatave, Këshilli i Lartë Gjyqësor deklaroi se ndërhyrje të tilla në veprimtarinë e gjykatave “passjell përgjegjësi sipas ligjit”.

“Këshilli i Lartë Gjyqësor konstaton se ditët e fundit janë bërë deklarata nga persona publikë që shprehin pakënaqësi ndaj vendimeve të dhëna nga gjykatat,” deklaroi KLGJ të enjten, pa e përmendur Çuçin me emër.

“Dhënia e drejtësisë duhet të jetë e çliruar nga çdo lloj ndikimi, ndërhyrjeje të subjekteve publike ose private. Ky është kusht i domosdoshëm për garantimin e shtetit të së drejtës,” deklaroi KLGJ.

Qeveria e kryeministrit Edi Rama ka ndërmarrë një operacion tjetër propagandistik duke deklaruar se do të shembë ndërtimet pa leje. Qeveria nuk ka shpjeguar se për çfarë arsyeje, ndërtimet pa leje janë lejuar të ngrihen gjatë muajve të mëparshëm.

Lajme te ngjashme

error: Content is protected !!