Home Aktualitet Nëse do ju pyesin: – Në kafaz apo jashtë? Si do të përgjigjeshit?!

Nëse do ju pyesin: – Në kafaz apo jashtë? Si do të përgjigjeshit?!

nga Albina Hoxhaj

Nga Gentian Çala

Tashmë vendi i ngjan gjithmonë e më shumë një kafazi, ku të drejtat dhe liritë tona po ngushtohen gradualisht, me ligj apo me Maliq, me shantazhe apo me blerje, kjo nuk ka shumë rëndësi. Përgjigjen e pyetjes në titull e dimë të gjithë, më mirë jashtë kafazit, ndaj qytetet dhe fshtrat vazhdojnë të zbrasen. Ikja duket shpëtim ekonomik, më shumë liri dhe shpëtim nga një vend ku asgjë nuk përmirësohet dhe shpresa ka vdekur.

Kafazi ynë i duhet vetëm dikujt, pushtetit të Kryeministrit aktual dhe të ca syreshëve që e rrethojnë. Për ata, nuk kanë asnjë rëndësi të drejtat tona, por ndërtimi i “Kafazit që duam”. Ndryshimet në kod dhe arrestimet e fundit për protestat e banorëve të Astirit, është një shembull i qartë se ajo që po jetojmë është thjesht një vend me të drejta të cunguara. Historia e afërt e njerëzimit na mëson se sa gradualisht një vend mund të rrëshqasë në autokraci apo në diktaturë.

E drejta e pronës, e drejta e lirisë së mendimit, e drejta e shkollimit, e shërbimit shëndetësor, e votimit, e drejta për të protestuar, e të tjera si këto, kanë filluar të cungohen. Tashmë ligjet ndryshohen ose shpiket ndonjë i tillë, apo zbatohen ca të tjera ashtu si i do qejfi qeverisë dhe Kryeministrit. Madje ata që i kërkojnë mund ta pësojnë keq. Mund të burgosen apo dënohen, mund të largohen nga puna apo shantazhohen e gjobiten. Ky është kafazi që po na ndërtojnë përditë.’

Ne kemi mundësi ta ndryshojmë këtë gjendje, por fatkeqësisht disa prej nesh po mësohen me jetën në kafaz, kurse disa të tjerë po gjejnë shtegun për të ikur larg tij. Tre dekada nga çlirimi prej izolimit tonë të gjatë komunist, unë nuk e kisha menduar se mund të vinte një ditë që një qeveri dhe një kryeministër të mund të guxonte të na ngushtonte hapësirat tona të lirisë, të të drejtave tona. Ja që na ndodhi, por ata që kemi ndryshuar realisht jemi edhe ne. Sepse shumë prej nesh heshtin, në vend që ta ngrenë zërin.

Ka ardhur momenti që ne të reagojmë, përndryshe nesër kafazi mund të jetë burg për ju, për mua, për këdo që nuk do ti pëlqejë pushtetit. Ne nuk duhet ta kundrojmë këtë që ndodh, si diçka “larg meje”. Brenda tij jemi të gjithë! Thjesht disa nuk e kanë ndjerë ende në kurriz atë si djemtë e Kukësit, banorët e Astirit, gazetarët e Syrit, dhjetra biznese të opozitarëve, si gazetarët e emisoneve të mbyllura, si pushteti i uzurpuar vendor, etj., etj.

Ndaj juve që po qëndroni, po ju bëj një tjetër pyetje retorike: A keni ndërmend të jetoni gjatë në këtë kafaz?! Apo do të prisni derisa ta ndjeni nën lëkurën tuaj?

Lajme te ngjashme

error: Content is protected !!