Home Aktualitet BASIR ÇOLLAKU/ OFL, “KRAHU I ARMATOSUR” I PS NË ZGJEDHJET E 25 PRILLIT

BASIR ÇOLLAKU/ OFL, “KRAHU I ARMATOSUR” I PS NË ZGJEDHJET E 25 PRILLIT

nga Editor

Nga Basir Çollaku

E njohur si strukturë e krijuar me Vendim Qeverie nën petkun e luftës ndaj krimit, pasurive të tyre, degradimi i kësaj njësie, megjithë mbivendosjen në kuadrin Kushtetues me ligjin Antimafia, ajo u bë me porosi pashembullsisht streha me mëkate të mëdha, si gjobëvënësja dhe rekrutuesja elektorale në favor të mazhoramcës, rilindjes.  Një tregues emblematik i dështimit dhe përdorjes, ka të bëjë me vendimin më të fundit të Gjykatës së Posaçme, rrëzimit të kërkesës së SPAK, nën brumin shkresor të OFL-së, të nxjerrjes nga sekuestro të  “Golden resort” duke ia kthyer Altin Hajrit, akuzuar për pengmarrje e vrasje të Jan Prengës, ngatërruar në një histori trafiku ndërkombëtar të kokainës. Akuzat, të dhënat, informacionet e opozitës theksonin se ky resort ishte bërë bazë elektorale e PS në fushatë. Fundi pritej, dihej, ishte lajmëruar në këtë formë. Muaj më herët ishte marrë një vendim hibrid për pronën e Balilajt, ku u lirua dhe hoteli luksoz në Sarandë, me një përqindje gri e tjetrën të pastër. Një kthesë prone vende- vende, për nga ligjshmëria, një ngjarje juridike e pazakontë në drejtësi. Një kufi i habitshëm se ku nis paraja e pastër, e ku ajo e drogës në të njëjtën ndërtesë. Sërish partia ndoshta ka gjetur përgjigjet e duhura, për llogaritë e saj elektorale. Jo fort muaj larg 25 prillit, me nisjen e motit elektoral, përfaqësues të OFL, nisën me skemën e fasonerisë së votave. Pothuajse kushdo ishte në listën e të dënuarve brenda dhe jashtë vendit, pavarësisht veprës penale, nëse ishte tagër ligjor për Forcën e Ligjit, gjente te dera e banesës apo biznesit në mëngjes formularin. Skema e frikës, panikut, telasheve, tërhoqi në mënyrën e duhur vëmendjen e personave të shënjestruar për peshën e tyre në elektorat, duke e tërhequr në grupin e të fortëve, si mbushës force kutish për 25 prillin. Intersimi shumë subjekteve të cilët kishin mbaruar punë me drejtësinë, “OFL” u bënte derman për formularin. Kemi zgjedhjet njëherë, merremi vesh e bëjmë ndonjë punë për të marrë rezultat fitues për hyqmetin se, këtë punën e formularit e rregullojmë kollaj. Kjo sjellje mundësoi ringritjen e strukturës së grupeve kriminale, edhe atyre të cilët ishin lënë mënjanë dhe kishin mbyllur kapitujt me problemet e drejtësisë. U detyruan të rilindin dhe të rikthehen në të shkuarën, për të shpëtuar nga formularët. Sigurisht ky formular nuk mbërriti kurrë as në derën e Fatmir Xhafajt dhe Sajmir Tahirit, gjendja penale e tyre dhe të afërmve i bënë subjekt të plotësimit të kësaj shkresë elektorale më shumë se ligjore. Ngaqë ata ishin shpikës e përdorues të mekanizmit, natyrisht vartësit nuk kishin këllqe të shkonin te eprorët.  Paratë u përzien, qeveria e partia bashkë me ofl-istët dhe kështu skuadra manipuluese me forcën e pamatshme ekonomike dhe të armëve doli për gjah. Plaçka ishin votuesit, vullneti i tyre duhej të shkonte në xhepat e pushtetit të sotëm. U krijua nën këtë formulë një organizatë e re kriminale, me bazë të dhënash OFL, e cila në vendimet në Gjykatë dështoi në mënyrë spektakolare në mbi 80 përqind të rasteve serioze. Degradimi përfundoi si pikë skrapi, ku flitej vetëm për makina të blinduara dhe asgjë më shumë. Në Durrës, Lul Berisha mundi të kthejë në aktivitet dhe kompanitë e shpërndarjes së naftës dhe makinën e blinduar, duke ruajtur të paprekshëm territorin e tij të dyshuar.  Aqif Rakipi, Vangjush Dako, Tomë Doshi, ishin tre aktorë të tjerë elektoralë, mbi të cilët u derdhën si komedi fjalë diplomatike, por asgjë më shumë, duke lënë shteg të hapur për të bërë diferencën në krehjen e votave sipas mënyrës së tyre demokraci ekonomike. Kelmend Xhaferri i quajtur Kel Çami dhe Suel Çela, dyshuar si të përfshirë në ngjarjen e vrasjes në Elbasan, lanë pas një makinë më ngarkesë elektorale të Partisë Socialiste, për të cilën Ard Veliu dhe Alfred Shehu, kryepolici i vendit dhe zëvëndësprokurori Elbasanit, gënjyen dhe fshehën të vërtetën. Dosja e Ndranghetës, zgjatimi i së cilës vjen sipas përgjimeve të bëra publike, me lidhje të rënda në Bashkinë e Tiranës dhe në Kryeministri, njeh javën e fundit një të penduar, ndër krerët e organizatës në Leçe. Dëshmia ka të bëjë edhe me ngjarjet në Tiranë e Shqipëri. A ka episode elektorale? A ka miliona euro të MAFIA-s të përdorura në këto zgjedhje? Edhe nëse SPAK, ka gjymtyrët e mpira nga mungesa e vullnetit, Antimafia italiane të hedh çelësat në det. Telashet sapo kanë nisur. OFL me sjellje të rënda në raport me ligjin, ndonëse mandatmbaruar, ka në kujtesë vepra penale për të cilat duhet të hetohet. Nisi me zëvëndës drejtorin e saj Artan Shkëmbi, të cilin e kapën mat gjermanët në komunikimin me bandat, por sërish e shpëtoi partia. Hetimi vazhdon, zgjedhjet gjithashtu.

Lajme te ngjashme

error: Content is protected !!