Home Aktualitet I Nderuar Z.Sekretar i Shtetit Antony Blinken,Ambasadorja Yuri Kim po i zhgënjen shqipëtaret! Nga Elida Buçpapaj

I Nderuar Z.Sekretar i Shtetit Antony Blinken,Ambasadorja Yuri Kim po i zhgënjen shqipëtaret! Nga Elida Buçpapaj

nga Editor

Mbrëmë pamë diçka të paimagjinueshme, ndërsa presidenti i republikës ishte duke u intervistuar live tek Syri.net, zonja Ambasadore e SHBA i dërgon mesazh shantazhues përmes një sms, që ua shpërndan paralelisht edhe gazetarëve.

Kur procesi zgjedhor është në prag të dështimit të plotë, për shkak se kryeministri i vendit Edi Rama i ka uzurpuar të gjitha institucionet, përfshi edhe SPAK, presidenti i Shqipërisë ka ngritur tonet në mbrojtje të votës të lirë.

Shqipëria nën drejtimin e Edi Ramës ka shkitur në një sistem totalitaristo-mafioz, ai ka krijuar një parlament kukull, ka mbajtur zgjedhje lokale pa opozitën, i ka imponuar policisë së shtetit rolin e bodyguardit kur krimi i organizuar vjedh votat.

Disa ditë më parë, dy gazetarë në Shqipëri i sollën publikut një databaze të PS, ku 9000 patronazhistë mbanin në kontroll 910’000 votues të Tiranës, duke përdorur një stil që do ta linte me gojë hapur edhe vetë George Orwell për mënyrën se si Edi Rama ka orientuar survejimin e çdo qytetari të Tiranës nga partia shtet, një model tipik i periudhës totalitariste të kohës të Sigurimit të Shtetit apo të trupave  SS të krijuara nga Hitleri në vitin 1925.

Transparency International vuri alarmin duke iu bërë thirrje autoriteteve shqiptare  që “pa ndonjë vonesë të mëtejshme, të përcaktojnë nëse partia në pushtet mori të dhënat personale të votuesve të Tiranës nga regjistrat qeveritarë. Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) duhet gjithashtu të hetojë urgjentisht nëse partia në pushtet abuzoi me burimet e shtetit për të siguruar një fitore gjatë zgjedhjeve parlamentare të së Dielës.”

SPAK, në vend të fillonte hetimin në PS, sulmoi gazetarët dhe portalin Lapsi.al, duke u kërkuar sekuestrimin e të dhënave personale  që ata i kishin në dispozicion! U desh ndërhyrja e Gjykatës Europiane të Drejtave të Njeriut në Strasburg, që rrëzoi vendimin e SPAK dhe nuk lejoi sekuestrimin e serverave të portalit online Lapsi.al, që publikoi të dhënat e 910 mijë qytetarëve përvetësuar në mënyrë antiligjore nga Partia Socialiste.

Organizata Transparency International dhe Instituti për Demokraci e Ndërmjetësim sapo kanë publikuar në Tiranë një raport mbi kapjen e shtetit, korrupsionin e lartë dhe ligjet me porosi.

Me ligje me porosi e shembën edhe Teatrin Kombëtar. Teatri Kombëtar i Shqipërisë u  mbrojt për gati dy vjet ditën dhe natën nga aktorët dhe qytetarët e Tiranës. Deri kur Edi Rama i çoi fadromat dhe policinë në mesin e natës, sikur dikur skalionet e ish Sigurimit të Shtetit, dhe e rrënoi këtë monument të kulturës dhe historisë të Shqipërisë.

Pas këtë akti kulturocid të kryeministrit të Shqipërisë, u prit një xhest mbështetës ndaj artistëve dhe qytetarëve të Tiranës nga zonja Yuri Kim, por për fat të keq, kjo zonjë nuk tregoi aspak sensibilitet dhe heshti. Teatri Kombëtar ishte pronë e identitetit kulturor e gjithë Shqiptarëve!

Ndërsa Edi Rama i ka kthyer të gjithë institucionet në instrumenta-kukulla në duar të tij.

“Shqetësim kryesor mbeten ligjet e bëra me porosi, të cilat lehtësojnë skemat e korrupsionit të nivelit të lartë. Rrjetet klienteliste porositin ligje për investime të pakërkuara, të cilat miratohen me shumicë të thjeshtë në parlament, duke shkelur shumë afate, procedura dhe rregulla të mirëqeverisjes” – tha Gjergj Vurmo, bashkautor i studimit nga Organizata Transparency International dhe Instituti për Demokraci e Ndërmjetësim.

“Përballja me kapjen e shtetit në Shqipëri do të mbetet një sfidë e rëndësishme për shkak të trashëgimisë të një qeverie autokratike, që përpiqet të kontrollojë dy pushtetet e tjera, legjislativin dhe gjyqësorin – pasigurisë së rezultateve të reformës në drejtësi, dhe një procesi politik të dominuar nga paqëndrueshmëria” – thekson studimi i TI & IDN.

Partia në pushtet është Edi Rama. Qeveria në pushtet është Edi Rama. Policia në pushtet është Edi Rama! Shtypi i lirë nuk ekziston pothuaj fare.

Do të ishte shumë me vend që edhe zonja Ambasadore t’i bashkohej apelit të TI për të fituar besimin tek opinionit publik, në vend se të konsumojë deklarata pa asnjë efekt për shtetin monist të Edi Ramës, që, si gjithë diktatorët, synon pushtet të përhershëm të cilin mund ta sigurojë vetëm duke vjedhur databaze të qytetarëve, si dhe me bandat e militantëve të përbëra nga bota e krimit dhe nën mbrojtjen e policisë të shtetit, ndërsa SPAK fle gjumë.

Pas zgjedhjeve lokale të 2016, gazeta prestigjioze gjermane Bild  publikoi përgjime e telefonata të ministrave, zyrtarëve të policisë dhe të PS, përfshirë edhe të vetë kryeministrit Rama, si provë materiale e shit-blerjes të votës. Opozita  e dërgoi dosjen në organet e drejtësisë. Ky krim elektoral njihet me emrin Dosja 184, e cila qarkullon si ping pong nga Krimet e Rënda, tek SPAK, tek Prokuroria e Dibrës, ndërkohë që edhe sot e kësaj dite nuk kemi asnjë verdikt të drejtësisë.

Do të ishte shumë me vend që zonja Ambasadore Yuri Kim të denonconte vonesat e drejtësisë ndaj Dosjes 184, që është demonstrim eklatant i krimit elektoral nga shteti i kapur.

Edhe në vlerësimin e lartë bërë nga DASH  për ish prokurorin komunist Ardian Dvorani nga 1988-1991, mendoj se duhet të ketë gisht edhe zonja Ambasadore Yuri Kim. Ky vlerësim nga një institucion kaq i rëndësishëm ngjalli zhgënjim dhe shqetësim. Edhe veterani i Zërit të Amerikës, personaliteti i shquar Frank Shkreli  shprehu indinjatën e thellë. Z.Frank Shkreli ka qenë pjesëtar i delegacionit të parë nga departamenti i Shtetit i  SHBA që vizitoi Shqipërinë në vitin 1991, ndërsa Ardian Dvorani pikërisht më 13 Dhjetor 1990, me akuzën “për akte terroriste kundër pushtetit popullor” kërkoi dënimin me 15 vjet burg për qytetarët e Shkodrës që rrëzuan bustin e Enver Hoxhës. Si është e mundur që drejtësia dhe shteti shqiptar pas 30 vjet tranzicion të mbetet në duart e ish-prokurorëve, ish Sigurimsave dhe trashëgimtarëve të ish-nomenklaturës së lartë të regjimit diktatorial, të cilët nuk janë konvertuar?

Tre ditë më parë në mes të ditës në qytetin e Elbasanit ndodhi një tjetër krim elektoral i organizuar nga Taulant Balla, krahu i djathtë i Edi Ramës, në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe strukturat e Policisë së Shtetit. Denoncimin e bëri një strukturë e opozitës në mbrojtje të votës të lirë, por vonesa e policisë në vendin e ngjarjes degradoi situatën dhe pati shkëmbim zjarresh, me një viktimë dhe katër të plagosur. Në strukturën e mbrojtjes së votës së lirë, organizuar nga opozita, ishte një person i armatosur, me armëmbajtje me leje, oficer i ish trupave RENEA, i cili u përfshi në shkëmbimin e zjarrit. Ai u vetëdorëzua menjëherë  në polici, dorëzoi armën duke thënë se reagoi për vetëmbrojtje, pasi banda e PS e përfshirë në krimin elektoral që jepte para duke mbledhur ID, ishte e armatosur. Situata degjeneroi sepse policia u vonua, ndërsa personat që shisnin votat dhe që mbanin armë pa leje u zhdukën dhe janë në kërkim.

Pas ngjarjes tronditëse në Elbasan, Ambasadorja Yuri Kim doli me një cicërimë në Twitter ku shkruante: ” U takova me kryeprokurorin Çela tani, do të takohem së shpejti me shefin e SPAK Kraja, u takova dje me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Veliu. Mesazhi i SHBA: Ata që shkelin ligjin dhe pengojnë të drejtën e qytetarëve për të votuar lirshëm dhe në paqe duhet të ndiqen . Asnjë trajtim i veçantë. Pa përjashtime. Askush nuk është mbi ligjin.”

Edi Rama është mbi ligjin. Ai për të siguruar pushtetin, mandatin e tretë, të katërt, të pestë, për të dalë me të paktën 76 deputetë nga këto zgjedhje, i kërkon votat me çdo kusht, me çdo mjet e mënyrë prandaj i ka paralizuar të gjitha institucionet e pavarura. Analisti Fatos Lubonja për një TV të Tiranës tha se pothuaj të gjithë anëtarët e SPAK kanë lidhje me PS, ndërsa Policia e Shtetit, sipas një sondazhi të fundit  ka humbur 76% të besueshmërisë në popull.

Cicërimës së zonjës Yuri Kim në Twitter iu përgjigj menjëherë Këshilltari i CDU-së Martin Henze, po me një tweet, duke i shkruar: “Ambasadore, për çfarë po flisni, a nuk janë të akuzuar anëtarët e partisë në pushtet, përfshirë  edhe Ramën, a nuk janë akuzuar për manipulimin e zgjedhjeve parlamentare 2017? Përshtypja është se ata flasin shumë por nuk veprojnë, Uashingtoni duhet të reagojë.”
Kjo është e vërteta. Ka shumë zhurmë dhe asgjë nga SPAK.

Edi Rama ka kapur shtetin, drejtësinë, mediat, policinë, sundon me dorë të hekurt, sundon me diktaturën e varfërisë, ndërsa administratën e fryrë dhe klientelizmin e përdor për të blerë dhe neutralizuar çdo zë kritik, ndërsa skandalet e Edi Ramës vijojnë pa u ndalur dhe, megjithëse bëhen deri në SHBA, mbyllen sytë për të mos i parë.

Nuk mund të rri pa përmendur rastin e William Argeros, i dënuar nga një gjykatë Amerikane me 4 muaj burg për kontributin e paligjshëm prej 80 mijë $, që pagoi për mbledhje fondesh presidenciale, me qëllim që Edi Rama të fotografohej me Presidentin Barack Obama. Asaj kohe avokati John Azzarello, që përfaqësonte zotin Argeros, tha se klienti i tij po vepronte në emër të Edi Ramës. William Argeros u dënua, ndërsa Edi Ramës nuk i hyri asnjë gjëmb në këmbë.

Janë dhjetra afera korruptive, me qindra milionë Euro, të denoncuara për përfshirjen e krerëve të shtetit shqiptar që drejton Edi Rama dhe nuk ka asnjë verdikt të drejtësisë.

Po të shohësh Ministrat e Brendshëm të emëruar nga Edi Rama, dy prej tyre kanë patur lidhje të drejtëpërdrejta dhe të tërthorta me krimin e organizuar. Por kryeministri Edi Rama e përndoqi oficerin e policisë të antidrogës Dritan Zagani, që e denocoi për lidhje me mafien Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Ky oficer i antidrogës meritonte nderim nga DASH, të cilin kryeministri Edi Rama, me të gjithë mjetet që i jep pushteti i pakufishëm, e ndoqi edhe me Interpol duke e shpallur  most wanted.

Në zgjedhjet e 2017, kryeministri Edi Rama regjistrohet me zë dhe figurë duke u bërë thirrje trupave të policisë: “Pas pune lini uniformën dhe mblidhni vota për PS”! A nuk do të mjaftonte ky akt antikushtetues që e dëgjuan i madh dhe i vogël, përfshirë edhe gjithë trupin diplomatik në Shqipëri, që t’i bëhet thirrje Edi Ramës të jepte dorëheqjen e të dilte nga fushata!

Është një listë e pafund e bëmave të Edi Ramës, që ka krijuar kultin e individit duke mbledhur bindje të verbër rreth vetes, çka përbën jo vetëm rrezik për sovranitetin dhe integritetin shtetëror të Shqipërisë, por edhe rrezik rajonal.

Të mos harrojmë se, jo shumë kohë më parë, Edi Rama në një trekëndësh me Hashim Thaçin dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, rrezikuan sovranitetin territorial të Kosovës, duke vënë në dikutim arritjet e Perëndimit, me në krye SHBA.

Duke u kthyer tek ajo që panë dhe dëgjuan shqiptarët mbrëmë live ndërsa Ilir Meta ishte në intervistë  tek TV Syri.net, kur Ambasadorja Yuri Kim i çoi një SMS si Presidentit të RSH dhe për djeni edhe një grupi opinionistësh, me ngjyra të forta shantazhi, sikur Shqipëria të jetë një Republikë Banane dhe jo vend anëtar i NATO-s. A mund të ndodhë në Perëndim që një diplomate, qoftë edhe e SHBA, t’i dërgojë sms një kryetari shteti apo kryeministri. Jo nuk ndodh kurrë. Gjuha diplomatike udhëhiqet nga kurtuazia diplomatike. Meqë sot e ka ditëlindjen buldozeri i diplomacisë Amerikane,  i paharruari Richard Holbrooke, po kujtoj se ai e quante diplomacinë “si muzika xhaz me variacione të pafundme rreth një teme”. A mund të ketë xhaz në një zë të mërzitshëm, monoton, të njëanshëm. Muzika xhaz kërkon mjeshtra si Duke Ellingtoni, Richard Holbrooke. Muzika xhaz është e mbushur plot dashuri për jetën. Edhe diplomacia Amerikane i mbështet popujt të shpëtojnë nga prangat e diktatorëve që e kthejnë shtetin në pronë të tyre e mjet për ta zhvleftësuar votën e lirë për të nështruar popullin.

Shqiptarët janë populli më amerikandashës në botë, me një aleancë jetike ekzistenciale me SHBA, por ata ndihen qytetarë të dorës të fundit kur diplomatja e vendit të cilit ia dedikojnë mbijetesën, shkel kodin diplomatik dhe njerëzor në komunikimin me Numurin Një të shtetit, duke marrë hapur në mbrojtje Edi Ramën dhe vjedhësit e votës të Sovranit.

Pavarësisht se Shqipëria është e vogël, fakti që SHBA janë demokracia më e madhe në botë, nuk e lejon zonjën Kim që të shpërdorë parimet bazike të demokracisë.

I nderuar Z.Sekretar i Shtetit,

Shqiptarët janë një popull paqësor, tolerant, i mrekullueshëm por tmerrësisht të lodhur nga ky tranzicion torturues 30 vjeçar, që ka qenë si vazhdimi i diktaturës për fajin e një klasë politike e papërgjegjëshme, por edhe për largimin e vemendjes herë pas here të Perëndimit.

Por kambanat po bien për të mirë! Zhvillimet politike në Kosovë janë një fillim i ri për ndërtimin e shtetit të së drejtës nga një klasë politike e re, me integritet dhe me aspirata për t’i shërbyer popullit të Kosovës.

Edhe shqiptarët në Shqipëri janë të etur për një jetë të denjë në një sistem demokratik të bazuar në të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, në konkurencën e lirë çka e siguron vota e lirë dhe e ndershme free and fair, votë që ia vjedhin sistematikisht.

Shqipëria, që do të duhej këta 30 vjet të ishte kthyer në Zvicrën e Ballkanit, është në stanjacion të plotë. Vendi i shqipeve është kthyer në një moçal, prandaj 3 milionë shqiptarë kanë braktisur rrënjët dhe shtëpitë e tyre, duke e nisur jetën nga zero diku në Perëndim. Për ndryshe në Shqipëri kthehen në popull vulnerabël, peng i Edi Ramës me banda!

Prandaj më shumë se kurrë, populli shqiptar ndjen nevojën e mbështetjes të Perëndimit, me në krye SHBA.

Presidenti i Republikës ngriti tonet dhe tha se “populli shqiptar do t’i mbrojë votat me cfurqe”. “Cfurqet” ishin në kontekstin e një metafore, përveç që fjalia ishte në kushtore, pra ishte një fjali e ndërvarur nga lidhësa “if” – nëse, që do të thoshte se nëse Edi Rama vjedh votat, populli do t’i mbrojë votat me cfurqe.

Cfurqet në vetvete janë një mjet primitiv i bujqësisë që sot nuk ke ku ta gjesh, por zonja Ambasadore tregoi një sensibilitet ndaj toneve të larta të Presidentit të Shqipërisë, që normalisht duhet të mos ishin emocionale, ndërkohë që ndaj krimit elektoral mjaftohet me ca deklarata që i konsumon sikur kafetë në zyrën e saj.

I nderuar Z.Blinken,

Ka ardhur koha, që edhe Shqipëria të jetë pjesë de jure e BE-së, sikur është edhe de facto në zemër të Europës, me një pozicion strategjik të hatashëm, me burime natyrore të pafundme, me njerëz miqësorë dhe paqësorë. Shqipëria dhe ne shqiptarët kemi nevojë për mbështetjen tuaj, të SHBA si qytetarë të barabartë të globit që kanë rënë në dashuri me Amerikën dhe ëndërrën Amerikane, sepse ky vend rrezaton liri dhe shanse të barabarta për të gjithë, nën shenjtërinë e shtetit të së drejtës, që e siguron sistemi demokratik.

Lajme te ngjashme