Home Aktualitet “13 tetori – data zyrtare e zhvillimit të zgjedhjeve për pushtetin lokal”.

“13 tetori – data zyrtare e zhvillimit të zgjedhjeve për pushtetin lokal”.

nga Arian

Nga Dr. Myzafer Elezi*

Të nderuar miq.

Po ndaj me Ju këndvështrimin tim lidhur me situatën politike të krijuar në Shqipëri pas anullimit të datës së zgjedhjeve për pushtetin vendor.

Presidenti i Republikës ka detyrë primare kushtetuese që të garantojë unitetin e popullit dhe të mbrojë vlerat dhe parimet demokratike të sanksionuara në Kushtetutë. Ai është dhe duhet të jetë faktor stabiliteti në vend.

Mendoj që, anulimi i zgjedhjeve nga Presidenti u bë për disa arsye:

Arsyeja e parë lidhet me situatën e brendshme:

• Të parandalojë konfliktet civile në të gjithë vendin, të cilat mund të jenë me pasoja dhe përmasa të paparashikuara në njerëz, dhe jo vetëm.

• Anulimi të shërbejë si mjeti i vetëm për zgjidhjen e krizës së rëndë politike të paprecedentë në periudhën postdiktatoriale.

• Për t’u dhënë mundësi dhe kohë palëve për dialog, dhe gjetjen e një zgjidhjeje politike për të kapërcyer këtë situatë.

Ndërsa, arsyeja e dytë ka lidhje perspektivën europiane të vendit:

• Anullimi i zgjedhjeve, e për pasojë normalizimi i situatës së brendshme, do të ndikojë që Shqipëria të ruajë mundësinë për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian. (Edhe qershori 2019 iku pa hapje negociatash).

• Për të mos dëmtuar (akoma edhe më shumë) imazhin e Shqipërisë në botë. Se boll e nxiu kultivimi i kanabisit në të gjithë tërritorin shqiptar (2015 – 2016 e në vijim), pistat e avjonëve në Ishëm, Sevaster, Kardhiq e gjetkë, sekuestrimet masive të drogës në Itali, Greqi, Turqi, etj., kontenierët e bananeve, Toyota Yaris, etj.

Vendimi i KQZ, për të shqyrtuar e votuar dekretin e Presidentit, përpos që është antikushtetues, i paligjshëm, por është edhe qesharak dhe i turpshëm. Ajo ka marrë rolin e Gjykatës Kushtetuese.

Por, a i`a njeh ligji këtë kompetencë?

Për këtë le ti referohemi Kodit Zgjedhor, i cili në nenin 21, pika 17, lidhur me kompetencat e KQZ, parashikon si më poshtë:
“KQZ shqyrton dhe zgjidh ankesat e subjekteve zgjedhore në përputhje me rregullat e këtij Kodi”.

Pra, KQZ nuk ka asnjë kompetencë për të diskutuar, marrë në shqyrtim, për të hedhur në votim etj, dekretin e Presidentit të Republikës, veçse është e detytuar ta zbatojë atë. D.m.th, ajo menjëherë pas marrjes së dekretit duhet të ndërpriste procedurat administrative për zhvillimin e zgjedhjeve, deri në pritje të caktimit të një date tjetër.
Por ajo nuk e bëri. Veproi me urdhër politik, në kundërshtim flagrant me ligjin, duke u ktheyer kështu në një instrument qorr në dorën e Kryeministrit, i cili e përdor sikur ta ketë seksion i partisë së tij. Për pasojë, votimi i dekretit në KQZ është kryer në shkelje flagrante të ligjit, duke e bërë atë NUL. Kjo vendimarrje nuk sjellë asnjë pasojë juridike.

Shumëkush adreson pyetjen:

• A ka kompetencë Presidenti i Republikës për të revokuar një dekret të tij?
• A mundet Presidenti të shtyjë datën e zgjedhjeve?

Lidhur me sa sipër, dua të theksojë se, shtyrja e datës së zgjedhjeve ka ndodhur disa herë më Shqipëri, por asnjëherë nuk është diskutuar kushtetutshmëria e dekretit të Presidentit të Republikës. Subjektet zgjedhore në të gjitha rastet kanë proceduar në zbatim të dekretit të ri. Madje, edhe ky parlament ka dalë nga zgjedhje ‘të shtyra’ në qershor 2017. Dhe nëse do i qëndrojmë logjikës se, shtyrja e datës së zgjedhjeve është veprim antikushtetues, i bie që parlamenti aktual është jolegjitim për shkak të këtij fakti.

Ndërsa unë them jo.

Mungesa e legjitimitetit nuk ka lidhje me datën e zhvillimit të zgjedhjeve, por me mënyrën e nxjerrjes së rezultatit (vjedhjen & blerjen e tyre). Përgjimet e gazetës gjermane BILD treguan me prova dhe fakte se, zgjedhjet nuk ishin demokratike, të lira dhe të ndershme.

Le të kthehemi te kompetenca e Presidentit për të revokuar apo çdekretuar datën e zgjedhjeve:

Praktikat zyrtare tregojnë se, një vendim mund të revokohet. Atë mund ta bëjë vetëm personi që e ka nxjerrë, ose një organ më i lartë. Po citoj një nen nga Kodi i Procedurave Administrative:

Neni 124 – E drejta për të revokuar dhe shfuqizuar

“1. Me përjashtim të rasteve kur me ligj parashikohet ndryshe, e drejta për të revokuar aktin i takon organit që e ka nxjerrë atë, ndërsa shfuqizimi i aktit është prerogativ i organit epror”.

Për të përcaktuar se kush është “prerogativ i organit epror” të Presidentit, organ i cili mund të bëjë interpretimin e dekretit lidhur me kushtetutshmërinë e tij, le t`i referohemi nenit 124 të Kushtetutës, e cila përcakton se:

“Gjykatën Kushtetuese zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës”.

Nga sa më sipër, arrij në konkluzion se:

1. Opozita kërkon dorëheqien e Kryeministrit për t`i hapur rrugë një procesi zgjedhur të lirë, ku sovrani të zgjedh drejtuesin e qeverisjes vendore. Ajo nuk ka shprehur vullnet për mospjesëmarrje në zgjedhje, por ngre shqetësimin se, bazuar në faktet e bëra publike tashmë nga BILD dhe jo vetëm, se, me Kryeministrin Rama zgjedhjet nuk do të jenë të lira dhe të ndershme.

2. Kryeministri Rama insiston në zhvillimin e zgjedhjeve më datë 30 Qershor 2019, pa pjesëmarrjen e opozitës, edhe pse kjo datë tashmë është çdekretuar nga Presidenti i Republikës, duke kërcënuar me arrestime dhe burgosje të personave që do bllokojnë këtë proces, si dhe duke përdorur Policinë e Shtetit për të ralizuar këtë qëllim.

3. Zhvillimi i zgjedhjeve në kushtet e një situate të tensionuar politike, mund të shoqërohet me konflikt civil në të gjithë territorin e Republikës, destabilitet, dhe për pasojë me cënim të rendit kushtetues.

4. Presidenti i Republikës, për të parandaluar një destabilitet të mundshëm të vendit, me qëllim për të garantuar unitetin e popullit, ka ushtruar kompetencat e veta të cilat i`a njeh Kushtetuta, duke bërë anullimin e datës së zgjedhjeve.

Ky është Presidenti im. 
Ky është Presidenti i të gjithë shqiptarëve.
Ky është Presidenti, i cili, sot më shumë se kurrë i duhet Republikës së Shqipërisë.

Nderime dhe respekte!

Dr. Myzafer ELEZI
Vlorë, Albania

vo. Ky status u shkon atyre që ‘marrin vesh’ nga funksionimi i shtetit ligjor. Ndërsa atyre që komentojnë verbërisht mbi bazë militantizmi dhe pa argumente, nuk kam ndërmend t`u përgjigjem, pasi përgjigja është shteruese në këtë status.

Ju faleminderit!

*Autori është pedagog në Departamentin e Drejtësisë.

Lajme te ngjashme