Home Aktualitet Me mediokritetin mund të zbresësh humnerat, por kurrsesi të ngjisësh majat

Me mediokritetin mund të zbresësh humnerat, por kurrsesi të ngjisësh majat

nga Editor

Duke qenë se u ke ofruar shqiptarëve filmimin e radhës Rama, e kam të pashmangshme mos të shkruaj dy fjalë.

Në filmim flitet për një mandat të tretë me të cilin ti do ngjisësh majat. Ngjitja e majave nuk është e pamundur sikundër nuk është as utopi, veçse ka dy parakushte që duhen përmbushur. I pari është ta duash këtë vend dhe i dyti është të kesh alergji mediokritetin.

Ti nuk plotëson asnjërin prej tyre. Ti e urren këtë vend dhe je ithtar i mediokritetit. Të flasësh për maja dhe të kesh në krah Elisa Spiropalin që të quan “ Skëndërbe”, Rakip Sulin që të quan “ Zot” dhe Erion Veliajn që dihet mirë se kush është dhe nga vjen, është marrëzi. Me të tillë mediokër mund të zbresësh humnerat, por kurrsesi të ngjisësh majat.

Ke zbritur në humnerë Rama. Ke rënë brenda saj dhe kërkon dëshpërimisht prej shqiptarëve të të japin një dorë, për të dalë prej saj. I dëbove shqiptarët. I shtrëngove të bënin valixhet dhe të linin vendin e tyre. Gjysmë milioni shqiptar nuk kanë ikur me dëshirë. Janë detyruar të ikin nga internimi modern rilindas.

Nëse në kohë diktature të internonin duke të çuar në një qytet tjetër, në kohën e Rilindjes të internojnë duke të të lënë në të njëjtin qytet, por duke të mbyllur çdo derë brenda tij. Ky është internimi modern dhe dikush zgjedh më mire ta braktisë vendin se të jete i internuar brenda tij.

Çdo njeri që ka vendosur të mos ikë dhe të qëndrojë me kokëfortësi në këtë vend, ka veç një kërkesë: Duam thjesht të na lënë të punojmë. Askush nuk kërkon veç të drejtën për të punuar dhe lirine përkatëse për të zhvilluar një nismë biznesi. Njerëz që kërkojnë veç të punojnë dhe nuk kërkojnë as të vjedhin dhe as të mashtrojnë kënd. Veç të drejtën e punës.

Të drejtën e punës ua ke hequr shumë shqiptarëve. I paaftë për të thithur investime të huaja, i paaftë për të ripërtërirë burimet e vendit që mund të përktheheshin në nisma që siguronin punë, gjendesh pas tetë viteve me një bilanc që mban veçse albume fotografike dhe video pafund.

I dashuruar marrëzisht me imazhin dhe me veten njëkohësisht, me ethet e një adoleshenti, vëzhgon ecurinë e çdo postimi në feisbuk dhe komentet që e shoqërojnë këtë të fundit.

8 vite të Rilindjes përkthehen në shkatërrim, shpopullim, krim dhe drogë.
Krimi hyri në parlament. Krimi përfaqësoi shqiptarët. Krimi mori vendime për shqiptarët.

Post Scriptum- Ndaj me bashkësinë e horrave dhe të mediokritetit, mund të zbresësh humnerën, por kurrsesi të ngjisësh majat.
Elona Caslli

Lajme te ngjashme