Wed. Apr 14th, 2021

Nëse Kundera do të shprehej mbi lehtësinë e papërballueshme të qënies, kushdo që do të shihte emisionin “ Open” dje, të drejtuar nga Eni Vasili, krejt natyrshëm do të mendonte mbi lehtësinë e papërballueshme të gazetarisë në këtë vend.

Të zotërosh një hapësirë televizive mbart një përgjegjësi të caktuar. Të organizosh një diskutim mbi një temë të caktuar me të ftuar, duhet paraprakisht të lexosh mbi temën që ke vendosur të trajtosh për sa kohë drejton një emision.

Teksa në tryezën e rrumbullakët të Eni Vasilit diskutohej çështja e grevës së kontrollorëve të trafikut ajror, gazetarja në fjalë dhe njëkohësisht drejtuesja e emisionit pyet në lidhje direkte gazetaren e terrenit pranë aeroportit: A do të zëvendësohen kontrollorët e trafikut ajror nga ushtria?! A do ta marrë ushtria në dorë kontrollin e trafikut ajror?!

Kushdo që përballet me këtë pyetje nga një studio televizive, nuk mund të mos mendojë për lehtësinë e papërballueshme të gazetarisë në këtë vend. Kur një pyetje e tillë del nga ekrani dhe mbërrin në veshin tënd, ti kupton se gazetarja në fjalë avionët e ajrit i ngatërron lehtësisht me delet e tokës. Me pak fjalë, hiqet një kontrollor i trafikut ajror dhe vendoset një njeri tjetër, cilido qoftë ai. Tek e fundit, si të ruash delet e tokës, si të ruash avionët e qiellit është njësoj.

Sikur mos mjaftonte turbullira mes deleve dhe avionëve, Vasili do të vazhdonte ende me lehtësinë e papërballueshme në profesionin e saj, teksa do të komunikonte me juristin që përfaqësonte anën e grevistëve në studio duke zhvilluar dialogun e mëposhtëm:

Vasili- Kontrollorët e trafikut ajror duhet të zëvendësohen.
Juristi- Kush t’i zëvendësojë?! A e dini se sa kohë duhet për të përgatitur një kontrollues të trafikut ajror?
Vasili- Jo, nuk e di.

Sikur i gjithë ky dialog të zhvillohej në një kafene, procesi do të ishte krejt i natyrshëm dhe normal, por ky dialog zhvillohet në një studio televizive, nuk bën gjë tjetër veçse të kujton lehtësinë e papërballueshme të gazetarisë në këtë vend.

Post Scriptum- Quhet lexim paraprak mbi një fushë të caktuar dhe e bën kushdo që do të diskutojë mbi këtë fushë para një ekrani. E thënë shkurt, duhet të lexosh para se të diskutosh.

Elona Caslli

error: Content is protected !!