Wed. Apr 14th, 2021

Rreth 30 kontrollorë të trafikut ajror shqiptar u shoqëruan në Drejtorinë e Policisë së Tiranës pas mesnate.

Shoqërimet në polici erdhën pasi për orë me rradhë kontrollorët u konsideruan nga Kryeministri Edi Rama, ministrja Belinda Balluku, dhe analistët pranë tij, si puçistë, njerëz të pashpirt, që rrezikonin sigurinë kombëtare e plot akuza të tjera.

Prokuroria e Tiranës po dje njoftonte nisjen e hetimeve, ndaj kontrollorëve, burra dhe gra, ndaj të cilëve kishte nisur gjyqi publik.

Gjithçka ndodhi pasi kontrollorët vendosën të ndërpresin punën e tyre, duke bllokuar trafikun ajror, të cilin vetë Kryeministri me njoftime nga rrjetet sociale, e bllokonte dhe e hapte sipas asaj që gdhihej në mëngjes, për muaj me rradhë, duke përdorur si argument luftën me armikun e padukshëm.

Është ende shpejt për të harruar se si shqiptarë që kishin mbetur rrugëve në Europë apo gjithkund, kërkonin të ktheheshin në atdhe në muajt e parë të pandemisë, ndërsa Rama kishte mbyllur hapësirën ajrore, sikundër mbylli në banesa për muaj me rradhë çdokënd.
Askush nuk e akuzoi Ramën në atë kohë si puçist, apo si rrezik për sigurinë kombëtare, për të mos thënë si përhapës terrori me ato deklaratat dhe videot që i shpërndante në rrjete dhe shtonte stresin dhe panikun te mijëra e mijëra qytetarë. Asnjë prokuror me apo pa vetting nuk guxoi të hetonte nëse ato vendimet që merrte Kryeministri nga bunkeri i Surrelit dhe i njoftonte në rrjetet sociale si vendime që hynin menjëherë në fuqi, ishin ose jo ligjore, kishin ose jo pasoja.

Asnjë vend nuk mbylli në atë formë hapësirën ajrore sikundër bëri Rama dhe kjo pohohet edhe sot nga ministrja Balluku, kur bën krahasime mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Dje Edi Rama u shfaq i “tronditur” dhe zbuloi grupin e rradhës të puçistëve në Shqipëri, pas të cilit ishin edhe Presidenti apo opozita. Një nga ato përrallat që janë dëgjuar edhe më parë me grupe puçistësh, të gjithë civilë, që po synonin të rrëzonin Qeverinë, sikundër vetë zgjodhi të deklarojë nga Tepelena.

Kryeministri deklaronte se vaksinat që do të mbërrinin në Shqipëri ditën e djeshme nuk erdhën pikërisht për shkak të kësaj greve, duke kapur pikërisht një nga çështjet më sensitive të momentit, vaksinimin, që sërisht e përdor për fushatë e propogandë.

Në fakt Edi Rama nuk është aspak i shqetësuar as për mosmbërritjen e sasisë së rradhës së vaksinave kineze, as për faktin se mund të kenë mbetur grupe shqiptarësh në ajër dhe janë rikthyer në destinacionet nga ku ishin nisur apo në aeroportet e vendeve fqinje. Nuk është i shqetësuar as për turizmin, as për agjensitë turistike, as për imazhin.

Thjesht atij i duhej një detaj për të thyer pak ato fjalimet e tij me Lulin që fle gjumë, Dashin që pi raki, Idrizin që ka borxhe, Dulen me vetulla të trasha apo Nard Ndokën filozof. Dhe u kap pas 30 kontrollorëve, duke përdorur ndaj tyre të gjithë arsenalin propogandistik, për ta përmbyllur me shoqërimin e tyre në mesnatë në polici dhe nxitimin nga prokuroria për të hetuar “puçistët” për shpërdorim detyre.

Një mini-skenar, i ngjashëm me atë të Presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, kur para 5 vitesh deklaronte grushtin e shtetit, ku përfshiu civilë e ushtarakë, por që kurrë nuk bindi dot Europën dhe SHBA, se realisht i kishte ndodhur një grusht shteti. Të njëjtin gjë bëri edhe Rama dje kur shpalli puçistët e Rinasit. i publikoi emrat njëlloj si ato fletë-rrufetë që vareshin në shtylla apo në shkallët e pallateve, apo si dacibaot kineze. i bëri biografitë njëlloj si të ishte kryetari i frontit të lagjes në kohën e diktaturës.

Pas Ramës, lojën e vazhduan analistët që i shfaqen në krah sa herë që Kryeministri ka një siklet. U shfaqën në ekrane dhe vijuan akuzat, duke vënë theksin te pagat e kontrollorëve, edhe pse propoganduesit e Ramës mund të paguhen dy apo tre herë më shumë, vetëm se mbrojnë Sulltanin shqiptar.

Dhe pasi propaganda nguliti në mendjen e gjithkujt se këta kontrollorë po minojnë vaksinimin, i çoi policinë dhe prokuroria nisi hetimet. Gjithçka e programuar me orar dhe aparati që komandohet nga Rama funksionoi si orët zvicerane.

Pagat e kontrollorëve mund të jenë 10 herë më të larta se pagat mesatare në këtë vend, por kjo nuk ndodhi as dje as pardje. Ka vite një sistem i tillë, ndaj dhe Albcontrol është një nga institucionet më të lakmuara, ku mbi 80 % e atyre që janë pjesë përfaqësojnë lidhjet e tyre sa politike, aq edhe të natyrave të tjera. Pak a shumë njëlloj si Banka e Shqipërisë, ku nëse i hyn me laps emrave të punësuar mbi 80 % i ke familjarë, të afërm apo persona me lidhje politike, që largohen nga institucioni kur dalin në pension.

Kjo është një skemë që është ngritur dhe pranuar, që sikundër tha edhe Belinda Balluku, e cila ka drejtuar për 6 vite Albcontrol, nuk është ndryshuar as prej saj. Askush nuk ka guxuar të prekë atë institucion, askush nuk ka hetuar abuzimet dhe shpenzimet marramendëse, përfshi edhe prokurorët e sotëm, që nuk nguruan t´i tregojnë zellin gjeneralit të vetëshpallur të Surrelit, për të hetuar “puçistët”.

Sot Rama pritet të shpallë fitoren ndaj grupit puçist dhe nuk është çudi që deri me 25 prill ta konsiderojë si suksesin e Rilindjes, njëlloj sikundër po përpiqet të gjejë në këto javë suksese që ose i shpik, ose propaganda e tij i shet si të tilla.

Boldnews.al

error: Content is protected !!