Wed. Apr 14th, 2021

Një problem i interesave qytetare më shumë sesa i sigurisë kombëtare, është për ish-ministrin e brendshëm Sandër Lleshaj bllokimi i fluturimeve në aeroportin Nënë Tereza për shkak të grevës së kontrollorëve. I ftuar në A2 Business, ai tha se siguria kombëtare nuk cenohet nga mosfunksionimi i një autoriteti, ndërsa apelon që konflikti të zgjidhet me dialog mes palëve.

“Shoh një problem të interesave qytetare, sesa sigurisë kombëtare. Siguria kombëtare nuk cenohet nga mosfunksionimi i një autoriteti por cenohen interesat e shumë qytetarëve. Shumë plane të qytetarëve janë prishur sot, cenohen interesat e ligjshme. Konflikti nuk zgjidhet me FA e polici, por me dialog mes palëve”.

Lidhur me deklaratat e qeverisë, të cilat e kanë cilësuar si një çështje politike, Lleshaj thekson se kjo të ishte e turpshme. Sipas tij është përgjegjësi e lartë penale nëse nuk garanton shërbimet emergjente.

“Nëse kjo është çështje politike është turp është e turpshme që të përdoren instrumente të kësaj natyre për të realizuar qëllimet politike. Nuk mund të shkohet në situata ultimative. Është përgjegjësi e lartë penale nëse nuk garantojnë shërbimet emergjente. Nëse një avion do të ulet në Rinas për një situatë emergjente dhe ti nuk e lejon atëherë ti bën një krim. Të ulen dhe të gjejnë zgjidhje”.

Si një ish- oficer i vjetër i Radiolokalicionit që ka qenë pjesë e kontrollit të trafikut ajror, ish-ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj tha se i kupton shqetësimet kontrollorëve, por sipas tij duhet të ndahet nëse shqetësimet e tyre kanë të bëjnë me stresin, tensionin fizik e psikologjik, apo me çështjet ekonomiko-financiare. Ai apelon që kjo situatë duhet të zgjidhet me maturi, pasi ka tension nga të dyja palët.

“Është një çështje shëndetësore, stres, tension fizik, apo çështje kontraktore e pagave apo të dyja? Kjo duhet të zgjidhet me maturi. Shoh tension në të dy palët dhe është gjendet zgjidhje e pranueshme për të dy palët. Albcontrol është pasuri kombëtare. Çështja e pagave është e rëndësishme dhe meritojnë pagat e larta, por po flasim për një situatë të veçantë, ku pagat e të gjithë etniteteve janë ulur dukshëm dhe kjo duhet sqaruar mirë. Pagat janë në rrelacion të drejtë me njëra-tjetrën. Nuk mund të merren para në rrugë të tjera duhet ndarë së pari çështja nëse kemi të bëjmë me problem stresi psikologjik shëndetësor, apo ekonomik e financiar. Unë dua t’i mirëkuptoj por qëllimi i një hapi të tillë duhet te jetë i kufizuar te zgjimi i vëmendjes publike dhe besoj që është realizuar qëllimi i tyre për t’u dëgjuar nuk mund të shkohet në ekstreme të tjera se ka shumë punonjës në Shqipëri që mund të bëjnë dëm të madh”.

error: Content is protected !!