Presidenti i Republikës, Ilir Meta dekoroi sot, me anë të një ceremonie solemne dy figura të shquara atdhetare, të cilët luftuan heroikisht kundër pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste.
POSTIMI I PLOTESot përkujtojmë 7 prillin 1939, një ditë të zezë në historinë e Shqipërisë, por edhe një ditë nderimi për rezistencën heroike antifashiste të patriotëve tanë më të kulluar, që në momentin më të vështirë, i dolën për zot Atdheut, duke mos kursyer as jetën e tyre.Dëshmorët, që ranë në këtë ditë, ishin edhe frymëzuesit e Rezistencës së shkëlqyer të mëpasshme, që mobilizoi popullin deri në Çlirimin e plotë të vendit më 29 nëntor 1944.Për heroizmin, trimërinë dhe sakrificën më sublime në mbrojtje të lirisë dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë, si shembull i patriotizmit e atdhedashurisë, pata sot nderin të vlerësoj Heroin Isak Metalia me “Dekoratën e artë të shqiponjës”.E paharruar do të jetë deklarata e tij para se të jepte jetën: “Unë e kam nda mendjen me luftue për vendin tim. U thoni fëmijëve të mi se vdiqa për Shqipërinë”.Gjithashtu, për kontributin madhor si ushtarak patriot dhe qytetar i devotshëm i vendit, duke u bërë shembull frymëzimi për brezat e rinj vlerësova sot edhe Xhevdet Ballancën, luftëtarin aktiv antifashist dhe anëtarin e Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Nacionalçlirimtar, të zgjedhur nga Konferenca e Pezës.Me rastin e përkujtimit të 7 prillit 1939, pata kënaqësinë të vlerësoj edhe Doktorin e Shkencave, historianin e shkrimtarin e njohur Sali Hidri, i cili ka organizuar vit pas viti aktivitete të ndryshme në nderim të Dëshmorëve të rezistencës të kësaj date.Çdo kohë dhe periudhë historike ka Heronjtë e saj dhe ky truall ka lindur e do të rritë gjithmonë Heronj, për të mbajtur gjallë amanetin e të parëve tanë brez pas brezi.Është detyra jonë t’i mbrojmë Heronjtë dhe veprat e tyre, pavarësisht ideologjive, periudhave dhe sistemeve, sepse në këtë mënyrë ne ruajmë kombin dhe rrënjët tona, që mbrohen më mirë duke i edukuar të rinjtë me patriotizëm dhe dashurinë për Atdheun.
