Home Aktualitet Shkarkimi i Metës, Kreu i Komisionit të Venecias: Shpresoj që shqiptarët të jenë të zgjuar

Shkarkimi i Metës, Kreu i Komisionit të Venecias: Shpresoj që shqiptarët të jenë të zgjuar

nga Albina Hoxhaj

Pak minuta pasi Komisioni i Venecias i kishte vënë vulën finale opinionit mbi veprimet e Presidentit Meta, Gianni Buquicchio, që drejton institucionin e juristëve ndërkombëtar, përdori fjalën “violation”, “shkelje”, kur në mikrofonin e A2 iu referua anulimit të zgjedhjeve nga ana e kreut të shtetit.

“Opinioni thotë se kishte një shkelje por nuk ishte, sipas Komisionit, aq serioze sa të përbënte arsye për shkarkim të Presidentit. Tani është një çështje politike, por unë shpresoj se shqiptarët do të jenë të zgjuar. Që të gjithë, nga Presidenti te Qeveria, te Parlamenti deri te opozita, ajo brenda dhe jashtë Parlamentit. Të gjithë në Shqipëri duhet të marrin përgjegjësitë e veta, në interes të vendit dhe popullit”, u shpreh Buquicchio.

A2 e pyeti Presidentin e Komisionit të Venecias në lidhje me pretendimet e Presidentit se ekspertët juristë kishin ardhur në Tiranë me qëndrime apriori dhe nuk e njihnin situatën. “Si zakonisht, ne morëm të gjitha masat paraprake. Vizituam Shqipërinë dhe delegacioni krijoi një ide të plotë situatës. Sigurisht, ne nuk dimë gjithçka, por elementët kryesorë janë marrë në konsideratë. Rezultati i opinionit dhe bindja e anëtarëve që e hartuan atë, ishte i bazuar në mënyrë solide, sidomos në dispozita ligjore”.

Sa i përket pyetjeve dhe vërejtjeve të Presidentit, Buquicchio i tha A2 ato ishin marrë në konsideratë, por ka një sugjerim për politikën në Tiranë si ta zgjidhë çështjen. “Tashmë opinioni u miratua. Unë bëra thirrje në fund të takimit që të gjitha forcat politike në Shqipëri të nisin një dialog të vërtetë, sepse ju keni nevojë për stabilitet, keni nevojë të bëheni bashkë për të mirën e shqiptarëve. Politika është politikë, por e rëndësishme është vullneti i shqiptarëve për t’u integruar në Bashkimin Europian. Ju keni konsumuar kaq shumë kohë me konflikte politike”, tha Buquicchio.

Presidenti i Komisionit të Venecias tha gjithashtu se e njeh prej shumë vitesh Shqipërisë, aq sa ka arritur të evidentojë edhe problemet e saj. “Shumë është bërë, por shumë mbetet për t’u bërë. Problemi, fatkeqësisht, është mentaliteti, që nuk është shumë i ndryshëm nga mentaliteti në vende të tjera të rajonit, apo edhe në vendin tim. Interesi i qytetarëve duhet të mbizotërojë. Keni kaluar shumë kriza që kanë ngadalësuar zhvillimin tuaj demokratik dhe ekonomik. Është koha që të gjithë marrin përgjegjësitë”.

Lajme te ngjashme