Home Aktualitet Opinioni final për Metën, “Venecia” zbut gjuhën për veprimet e Presidentit

Opinioni final për Metën, “Venecia” zbut gjuhën për veprimet e Presidentit

nga Albina Hoxhaj

Komisioni i Venecias miraton opinionin në lidhje me çështjen e shkarkimit të Presidentit Meta, pa shumë ndryshme nga drafti që ju vu palëve në dispozicion në fund të shtatorit. Për ekspertët e komisionit për demokraci përmes ligjit, veprimet e kreut te shtetit me anulimin e 30 qershorit mund të konsiderohen në tejkalim të kompetencave të tij kushtetuese, por sërish nuk gjykohet që kjo do të përbënte një shkelje të rëndë, që do të përbënte motiv për shkarkim e Presidentit.

Çfarë vihet re është një zbutje e gjuhës në krahasim me raportin paraprak. Aty ku fillimisht thuhej “ka tejkaluar kompetencat”, tani bien në sy shprehje si “mund të ketë tejkaluar kompetencat”. Raporti thekson se Presidenti nuk mund të anuloje zgjedhjet pa konsensus politik.

Opinioni final i njeh Parlamentit të drejtën për të gjykuar nëse shkeljet janë serioze apo jo, por Venecia fton legjislativin në Shqipëri që të mos harrojë parimin e kontrollit dhe balancës së pushteteve. Në fund, thotë Venecia, verdikti final i takon Gjykatës Kushtetuese, për të vendosur nëse shkeljet e Presidentit janë aq serioze sa për ta shkarkuar atë.

“Edhe pse Presidenti mund të ketë tejkaluar kompetencat duke shtyrë zgjedhjet vendore, nisja e procedurave të shkarkimit mund të mos jetë e justifikuar.

Ekspertët e Komisionit të Venecias dalin në përfundimin se, pavarësisht se Presidenti mund të ketë vepruar në tejkalim të fuqive të veta Kushtetuese, ka indikacione se veprimet e tij mund të mos kenë qenë të një natyre të atillë sa të justifikojnë nisjen e procedurave të shkarkimit.

Në opinionin e miratuar sot, që është kërkuar nga Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, Komisioni i Venecias vëren se Presidenti i Shqipërisë nuk mund të anulojë zgjedhjet pa konsensus politik. Edhe në rast të një gjendjeje të jashtëzakonshme, si luftë apo katastrofë natyrore, Parlamenti duhet të miratojë një ligj të posaçëm për të shtyrë zgjedhjet.

Si kundërpërgjigje ndaj krizës politike në vend dhe bojkotit nga disa parti politike kryesore, Presidenti në fillim i anuloi zgjedhjet e më pas i shtyu ato. Pavarësisht se Parlamenti vendos se Presidenti tejkaloi kompetencat e tij, Komisioni i Venecias ka dyshime nëse këto ishin të atilla sa të konsideroheshin “shkelje të rënda”.

Ekspertët nënvijëzojnë thirrjen e Presidentit për dialog dhe pritshmërinë se shtyrja e zgjedhjeve do të kishte kontribuar në arritjen e një kompromisi mes partive. Ata theksojnë mungesën e ankimimit të dekreteve të Presidentit në Gjykatë.

Për më tepër, zgjedhjet vendore nuk kanë të njëjtin status kushtetutshmërie si zgjedhjet parlamentare. Ekspertët thonë që, pavarësisht se Parlamenti do të vendose se shkeljet ishin të rënda, kjo nuk do të duhet të sillte domosdoshmërish nisjen e procedurave të shkarkimit, duke marrë në konsideratë objektiva të tjerë kushtetues, si ruajtja e balancave dhe stabiliteti i vendit. Nëse Parlamenti vendos pro shkarkimit do t’i takojë Gjykatës Kushtetuese që të konfirmojë nëse vendimet e Presidentit përbëjnë shkelje aq “të rënda” sa për të justifikuar shkarkimin e tij”. /A2/

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!