Home Sport Tifozët në stadium, FSHF jep njoftimin e rëndësishëm

Tifozët në stadium, FSHF jep njoftimin e rëndësishëm

nga Editor

Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar të gjithë tifozët që do të jenë të pranishëm në stadium në sfidën ndaj Turqisë, se një pjesë e materialeve të tifozëve nuk do të lejohen. Do të lejohen daulle, flamurët shqiptarë dhe logot e flamurit shqiptar, por asnjë baner apo banderolë e tifo-grupeve. Më poshtë, është dhe njoftimi i plotë i FSHF-së.

“Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të njoftojë opinionin publik dhe të gjithë tifozët shqiptarë që do të jenë në stadium mbrëmjen e sotme për ndeshjen Turqi-Shqipëri, se përtej gjithë insistimit dhe kërkesave të vazhdueshme ndaj zyrtarëve të ndeshjes, një pjesë e materialeve të tifozëve nuk mund të lejohen në stadium. Turqia ka një ligj sportiv që nuk lejon vendosjen e shumë materialeve në stadium.

Kemi marrë konfirmimin se do të lejohen daullet për çdo grupim, flamurët shqiptar dhe shallet me logon e flamurit Kombëtar. Nuk lejohet asnjë megafon, baner ultrasësh i çdo tifogrupi, baner me imazhe personale, veshje që nuk kanë lidhje direkte me flamurin kuqezi siç mund të jenë ato me imazhin Autochtonus.

Nuk lejohen çantat e krahut dhe të shpinës, të gjithë duhet ti lënë në hotel ose në autobusat më të cilat udhëtojnë, pasi nuk është mundësuar një pike grumbullimi për ruajtjen e tyre. Lajmërojmë tifogrupet e organizuara se nisja për në stadium do të bëhet në orën 18:00, për arsye të kontrollit të rreptë që do të ushtrohet në 3 pikat e kontrollit përpara hyrjes në stadium. Brenda stadiumit do të gjeni pika shitje për freskuese dhe ushqime të shpejta.

Duke ju falenderuar për mbështetjen e pakufishme që jepni gjithmonë ekipit Kombëtar shqiptar, shpresojmë në mirëkuptimin tuaj dhe në mbështetjen tuaj të përhershme.#NeJemiNjë

Lajme te ngjashme