Home Politike Integrimi si nusepashkët…?!

Integrimi si nusepashkët…?!

nga Albina Hoxhaj

Nga Gentian Çala

Ka disa kohë që qarkullojnë disa ide për integrimin e Ballkanit në stilin e një “Marshalli Ballkanik”, i shoqëruar me një “Shengen Ballkanik”, ndërkohë që rajoni në një pjesë të tij ka hyrë në BE ose pjesa e mbetur aspiron të integrohet dhe është në proces. Duket si integrim në stilin e nusepashkëve. Deri këtu duket se nuk ka asgjë që nuk shkon, por detajet e tij janë ato që tërheqin vëmendjen dhe si janë shqiptarët brenda kësaj skeme.

E vështirë të thuhet si do të jetë, kur detajet ende nuk janë shtruar në tryezë, megjithëse informacioni që qarkullon nuk është pa të tilla, ku janë disa elementë (duke e marrë të mirëqenë atë): ka humbje të pjesës veriore të Kosovës, bashkim të shqiptarëve, më shumë autonomi për pjesën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, etj., etj. Duket si plan që i jep serbëve atë që duan, kurse shqiptarëve i imponojnë një zgjidhje. Madje ka edhe një heshtje këto ditë sikur kjo të jetë një krijim virtual i pavërtetë.

Administrata Trump, madje ka caktuar dy të dërguar, njëri nga Departamenti i Shtetit Z. Palmer, kurse tjetri nga Ambasada e ShBA-ve në Gjermani, Ambasadorin Z. Grenell. Një gjë jo e zakontë dhe aspak e pamenduar. Amerikanët duket se janë të idesë për pajtim dhe integrim ballkanik, kurse europianët flasin për zgjidhje të çështjeve dypalëshe dhe integrim europian. Të dyja konvergojnë, por kanë edhe dallime, sepse në rastin europian nuk cënohen kufijtë, kurse plani amerikan nuk e përjashton atë.

Ajo që më shqetëson është se balanca në të tilla zgjidhje nuk ka qenë në anën e shqiptarëve dhe me të drejtat e tyre historike, ku gjithmonë ata kanë humbur territor dhe janë rrudhur brenda caqeve që i kanë caktuar fuqitë e mëdha. A do të jetë ndryshe kësaj here? Duket se jo! Sërisht duhet të paguajmë një çmim paqeje. Integrimi si nusepashke nuk duket thjesh thriller, por një realitet që mund ta kemi shumë shpejt te dera dhe ku nuk mund të kemi as të drejtë të themi jo, por thjesht ta pranojmë.

Por çfarë duhet të bëjë faktori politik shqiptar në këtë situatë? Duhet të lerë mënjanë kakofoninë që e karkaterizon dhe duhet të harmonizojnë qëndrimet larg retorikave të stilit “kush e do më shumë atdheun”. Duhet zhdërvjelltësi diplomatike dhe angazhim serioz ndaj paqes, pa lënë mënjanë interesat kombëtare. Duhet hequr dorë nga pushteti personal, për të gjetur zgjidhje që tejkalojnë krizat e brendshme, që i bëjnë faktorë të dobët negociatorë dhe partnerë lehtësisht të shantazhueshëm.

Lajme te ngjashme