Bushati “shuplakë” Ramës: Në demokraci zgjedhjet janë garë vlerash dhe jo të fortësh!

Read Time:2 Minute, 11 Second

Ish ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, një nga zërat më kritikë sot brenda Partisë Socialiste, ka uruar Albin Kurtin, kryetarin e Vetëvendosjes për fitoren në zgjedhjet e parakohshme që u zhvilluan në Kosovë.

Teksa nuk e fsheh gëzimin për këtë fitore, me sloganin e Vetëvendosjes “Erdhi dita, beso”, Bushati thotë se populli i Kosovës i ka dhënë një mësim politikës dhe bashkë me Vjosa Osmanin e LDK, janë kthyer tanimë në një projekt shprese. Bushati thotë se “Kosova zgjodhi vlerat e jo të fortët”, referuar akuzave që i adresohen PS për kandidimin e personave me rekorde kriminale.

Reagimi i plotë:

Erdhi dita, beso! Kosova përqafoi ndryshimin. Sovrani i dha një mandat të qartë Albin Kurtit dhe Lëvizjes VETËVENDOSJA (duke e rënditur atë të parin), dhe Vjosa Osmanit të LDK. Albini dhe Vjosa i dhanë oksigjen Kosovës në opozitë duke demonstruar konsistencë e pathyeshmëri e duke mos u bërë palë me veset e jetës politike që dobësojnë idealin e jetës demokratike. Është kjo arsyeja që sot ato shihen si projekt shprese për të gjithë shqiptarët në rajon, duke na dëshmuar se mund të triumfohet mbi rrënojat e së vjetrës.

Tanimë Albini dhe Vjosa janë përpara një përgjegjësie historike për ta drejtuar Kosovën me dinjitet, dashuri e përkushtim drejt sfidave të shtetkonsolidimit demokratik dhe partneritetit me botën demokratike. Ata kanë përgjegjësinë për të jetësuar besimin e qytetarëve të Kosovës duke sjellë një standard të ri qeverisës shumë të dëshiruar për gjeneratën e Kosovës Evropiane, që e sheh të ardhmen e saj brenda vendit.

Përtej fitores së Albinit dhe Vjosës, në Kosovë, mbi të gjitha, fitoi standardi dhe kultura demokratike. Procesi zgjedhor, bazuar në një sistem që kombinon disiplinën partiake me mundësinë që ka çdo qytetar për të renditur kandidatët për deputetë sipas preferencës së tij, sikundër mënyra, korrektesa dhe shpejtësia me të cilën u numërua vota e qytetarëve, ishte një leksion më vete për ne. Kosova, një dekadë shtet, na dha mësime të vlefshme, edhe pse ne e kemi lënë pas një shekull shtet. Në demokraci zgjedhjet janë garë vlerash dhe jo të fortësh. Partitë politike i nënshtrohen konfirmimit të vendimeve nga populli, ku qytetarët kanë mundësi të rëndisin të preferuarit e tyre në listat e kandidatëve për deputetë, çka forcon kontrollin demokratik ndaj vendimmarjes.

Urime Albin! Urime Vjosa! Urime Kosova!

Erdhi dita, beso!

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë u fituan nga Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit. Me 25.81% të votave kryeson Lëvizja Vetëvendosje në Kosovë. Pas saj vjen Lidhja Demokratike e Kosovës me 25,08%, të votave. E treta në garë rendit PDK-ja me 21, 18% të votave. Zgjedhjet u zhvilluan pa asnjë incident.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %
Previous post Kosova nuk është Shqipëri…
Next post Fitorja e VV në Kosovë/ Grida Duma: Fjalët e Albin Kurtit një lloj vërtetësie që njerëzit kanë nevojë ta dëgjojnë