Home Aktualitet Kur t’zë turpi nga ajo që bën gjysma tjetër!

Kur t’zë turpi nga ajo që bën gjysma tjetër!

nga Albina Hoxhaj

Nga Gentian Çala

Këtë mëngjes, kishte kudo të njëjtin opinion në media, nga qytetarë, analistë dhe politikanë. Të gjithë pohojnë se procesi zgjedhor në Kosovë ishte me standarte, gjithçka në kohë dhe më e rëndësishme ishte se rezultati u pranua me maturi. Normaliteti i një rotacioni politik përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, shihet me zili nē Shqipëri.

Dallimin e bën gjithkush. Fare lehtë! Ne kemi nevojë për këtë, për zgjedhje të lira e të ndershme, por nuk ia kemi dalë ti realizojmë. E turpi t’mbulon kur gjysma tjetër më e re, Kosova, ia del. Te ne veç rritet zhgënjimi nga mosndryshimi i situatës në vend, gjë e cila ka prodhuar një të çarë demografike nga ku po shohim plakjen e frikshme të vendit.

Atje, vendi duhet, liria e fituar me aq mund nuk zhbëhet, ndaj kjo e bën çdokënd më të përgjegjshëm. E këtu te ne, kemi shitur shpirtin dhe vendin për pasurinë e një grushti njerëz që jo vetëm nuk ngopen, por e kanë kapur shtetin dhe po e mbajnë peng. Ne kemi Skëndërbe të marrosur e të dashuruar me veten, kemi disa njerëz pa identitet që ia thonë përditë atë që i pëlqen atij. Ne kemi zhbërë sistemin, sepse e duam çdo gjë në një palë duar.

T’ze turpi o të keqen vëllai, të ze e nuk di ku të futesh. Se shpirtin ia kemi fal dreqit dhe dreqin e kemi n’pushtet. S’kemi si qahemi dhe kujt ti qahemi. Dje na dhanë një mësim, madje kuptuam që kjo nuk është histori shqiptarësh që nuk ndërtojnë dot shtet e demokraci, por e njerëzve pa skrupuj që nuk duan asgjë veç pushtetit të tyre e të iluzionit se janë gjithçka dhe të pazëvendësueshëm.

Sot ka një rreze shpresë se ajo që ndodhi mbrëmë, mund dhe duhet të bëhet edhe te ne. Ndryshimi, shpresa lindin nga thelbi i demokracisë, nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kosova na e dha një mësim, neve dhe të gjithë atyre që e mendojnë ndryshe. Ka ardhur koha të tregojmë se edhe ne mundemi. Shpresoj shpejt, shumë shpejtë…

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!