Home Aktualitet I infektuar me COVID-19, piktori i njohur shtrohet në spital, e bija apel Ramës dhe Manastirliut

I infektuar me COVID-19, piktori i njohur shtrohet në spital, e bija apel Ramës dhe Manastirliut

nga Sonila Osmanaj

Piktori i njohur Mustafa Arapi është infektuar me COVID-19 dhe aktualisht po merr trajtim mjekësor në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Lajmin e ka bërë me dije vajza e tij Dorina Arapi me anë të një statusi në rrjetet sociale. Ajo i bën apel kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Shëndetësisë Ogerta Manastirliu që t’i japin vëmendjen e duhur të atit, që siç e quan ajo është personalitet i kulturës shqiptare.  Ajo shton se i ati është një vlerë për shtetin dhe kulturën.

“Dje babi im, Mustafa Arapi, u shtrua në spitalin “Shefqet Ndroqi”. Për shkak të kovidit, i është prekur një pjesë e mushkërive.

Mustafa Arapi, babai im, është baba e bashkëshort i shkëlqyer, mik, njeri i nderuar, piktor i nivelit botëror, restaurator i shkëlqyer me një kontribut prej 40 vjetësh në fushën e restaurimit. Nga puna e tij restauruese, sot brezat e rinj dhe kultura shqiptare trashëgon dhe admiron Onufrin, Qipriotin, Çetirët, Zografët, banesa tradicionale, kisha, afreske, ikona e studimeve e plot të tjera. Pedagog, artist, studiues, pjesëmarrës i lëvizjeve të dhjetorit ’90, Mustafa Arapi meriton vëmendjen maksimale të shtetit, pavarësisht të gjitha shërbimeve që mjekët e infermierët po i ofrojnë. I falënderoj shumë mjekët, infermierët e gjithëkënd në spital që po i dedikohen pacientëve në këto momente të vështira!

Por i drejtohem Kryeministrit z. Edi Rama, Ministres së shëndetësisë znj. Ogerta Manastirliu, që shteti dhe institucionet të japin vëmendjen e duhur për babain tim dhe për këtë personalitet të kulturës shqiptare.  Unë e dua babain tim me jetën time, por ai është dhe një Vlerë për shtetin e kulturën shqiptare.  Ju faleminderit nga zemra gjithëkujt për ndihmën e vëmendjen! Shpërndajeni këtë mesazh,… kush dëshiron”, shkruan ajo./

Lajme te ngjashme

error: Content is protected !!