VOA: Zgjedhjet në Kosovë – rezultat i ngushtë

Read Time:2 Minute, 34 Second

Kur janë numëruar 65 për qind e votave të hedhura të dielën në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje është në përparësi me 25.80 për qind, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 25.47 për qind, Partia Demokratike me 21,83 për qind, koalicioni AAK-PSD me 11.88 për qind dhe koalicioni Nisma-AKR 5.27 për qind.

Gjatë orëve në vazhdim do t’ju mbajmë të informuar për rezultatet paraprake të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të së dielës në Kosovë, në të cilat morën pjesë rreth 44 për qind e mbi 1 milion e 900 mijë votuesve të regjistruar.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare pasuan situatën e krijuar pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj me 19 korrik, pasi që u thirr për t’u marrë në pyetje në Prokurorinë e Posaçme në Hagë e cila trajton pretendimet për krime lufte dhe të pasluftës në Kosovë.

Rreth 900 qendra votimi me rreth 2 mijë vendvotime ishin të hapura deri në orën 19 sipas kohës lokale dhe qytetarët kishin mundësinë të zgjidhnin në mesin e mbi 1 mijë kandidatëve të 25 subjekteve politike të të gjitha komuniteteve që ishin vënë në konkurrencë për parlamentin 120 vendesh të Kosovës.

Rreth 30 mijë vëzhgues ndoqën nga afër zgjedhjet në mesin e të cilëve qindra vëzhgues të Bashkimit Evropian dhe të ambasadave perëndimore.

Mbi 6 mijë pjesëtarë të policisë dhe mbi 100 prokurorë e gjykatës janë kujdesur për sigurinë dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve në të cilat kandidaturën e tyre e kishin hedhur 7 veta.

Autoritetet vendase e ndërkombëtarë kanë bërë thirrje për zgjedhje të qeta dhe pjesëmarrje në shkallë të gjerë.

Çfarë pritet pas zgjedhjeve?

Analistët pohojnë se rezultati i zgjedhjeve të sotme është vështirë i parashikueshëm sikundër edhe koalicionet e reja pas zgjedhjeve që janë të pashmangshme dhe deri tash asnjëherë nuk ka ndodhur që një parti e vetme të fitojë vota të mjaftueshme për të qeverisur e vetme.

Kjo ka bërë që ngritja e qeverive të jetë punë e vështirë, ndërsa rrëzimi i tyre shumë i lehtë. Asnjë qeveri nuk e ka çuar deri në fund mandatin e saj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Diplomatët kanë bërë thirrje që menjëherë pas zgjedhjeve të formohet shpejt një qeveri që do të përballet me sfidat që e presin Kosovën, në radhë të parë me ripërtëritjen e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Bisedimet janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018 kur Prishtina u vuri tarifa prej 100 për qind mallrave serbe në shenjë kundërshtimi ndaj fushatës së Beogradit kundër shtetësisë së Kosovës.

Beogradi kushtëzon rifillimin e bisedimeve me heqjen e tarifave, ndërsa qeveria e deritashme e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, i ka rezistuar trysnisë amerikane dhe evropiane për pezullimin apo heqjen e tyre.

Diplomatët amerikanë presin që kjo të ndodhë pas zgjedhjeve për të rihapur bisedimet dhe derisa në muajin gusht sekretari Mike Pompeo, emëroi zotin Mathew Palmer si të dërguarin e posaçëm për Ballkanin, të enjten presidenti Donald Trump, emëroi ambasadorin Richard Grenell, si të dërguarin e tij të posaçëm për bisedimet e paqes midis Kosovës dhe Serbisë. /voa/


Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %
Previous post KQZ: Numërohen 62% e votave, kryeson VV
Next post Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit: E drejtë padia ndaj arkitektit danez Bjarke Ingels, i përfshirë në aferë