Zyrtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve thanë se procesi i votimeve të së dielës rrodhi i i qetë dhe pa probleme të theksuara, ndërsa vëzhguesit e Bashkimit Evropian thanë se janë shfaqur probleme të vogla në hapje të votimeve të sotme, por ato po rrjedhin të qeta.

Koalicioni i Organizatave Joqeveritare, Demokracia në Veprim, tha se nuk kanë munguar edhe parregullsitë në procesin e votimit dhe ato janë të ngjashme me zgjedhjet e së kaluarës.

Sipas vëzhguesve të këtij koalicioni janë regjistruar raste të fotografimit dhe bërjes publike të votës, vështirësi në gjetjen e vendvotimeve, ofrim i ndihmës gjatë votimit etj.

Prokuroria e Kosovës tha se në rajonin e Prizrenit janë pesë raste me pesë persona, ku të gjithë janë të ndaluar për veprën penale “cenim i fshehtësisë së votimit”.

Në rajonin e Pejës dy persona janë ndaluar për veprën penale “keqpërdorim i të drejtës së votimit”. Në rajonin e Gjakovës pesë persona janë të ndaluar dhe një person është në kërkim, për veprat penale “pengimi i procesit të votimit”, “cenim i fshehtësisë së votimit” dhe për veprën “asgjësimi i dokumenteve të votimit”.

Në rajonin e Gjilanit një person është ndaluar për veprën penale “parandalim i ushtrimit të së drejtës për të votuar”.

Në rajonin e Mitrovicës janë ndaluar pesë persona, prej të cilëve dy për veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare gjatë zgjedhjeve” dhe tre për veprën penale “pengimi i procesit të votimit”.

Në rajonin e Ferizajt një person është ndaluar për veprën penale “pengimi i procesit të votimit”.

Mbi 30 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtarë ndoqën nga afër zgjedhjet e së dielës në Kosovë. /voa/