Home Aktualitet Manjani: Abuzimi që mbulon abuzimin

Manjani: Abuzimi që mbulon abuzimin

nga Editor

Nga Ylli Manjani.

Pa dyshim, Edi Rama dhe Erion Braçe gabuan rëndë që sulmuan prokurorin e Durrësit.

Ca më shumë, Erion Braçe nuk është qytetar i lirë që ndjek seancat gjyqsore të hapura. As investigator privat që heton mbi fakte e dokumenta. As avokat që mbron interesa private.

Pra Erioni gaboi që u shfaq në Gjykatën e Durrësit dhe që u shpreh mbi historikun e një çështje konkrete, që është objekt gjykimi.

Nga ana tjetër, mesa po shohim e lexojmë edhe akuza e ngritur dhe si gjithmonë buja me masat e arrestit, nuk tregojnë për një hetim dhe proces të rregullt penal.

Një kallëzim anonim, kur ligjërisht nuk pranohet; konstatime paregullshmërie të tipit administrativ si dhe; pa ndonjë pasojë të dukshme ndaj shtetit apo individëve por që megjithatë çon në arrest me burg!

Me aq sa kemi parë në media, nuk duket ndonjë abuzim i qartë me detyrën që të letë patur përfitim në dëm të dikujt tjetër. Një i sapo emëruar në detyrë, duket e vështirë rë ketë abuzuar me të me dashje direkte… Sidoqoftë, kjo duhet marrë me rezervë sa kohë që nuk njohim dosjen.

Por, veprimet e nxituara të arrestit pa u thelluar në hetime paraprake, pa bërë akte ekspertimi janë spekulimi e abuzimi klasik që prokuroria ka kohë që bën. Kur këtë gjë e bën Prokuroria, imagjinoni se sa shumë herë më shumë e bën Policia!!

Raste të tilla ka plot, por vemendje marrin vetëm ato që kanë persona me cilësi të veçanta.

Ndaj Edi Rama, Erion Braçe e të gjithë ata që votuan me krenari Reformën e Drejtësisë, duhet të kuptojnë se kjo sjellje është pasojë e saj.

Decentralizimi i Prokurorisë, mbivendosja e saj nga Policia Gjyqsore (nënkupto policia e shtetit), formulime ligjore llastik dhe abuzive, marrje masash arrest me burg për çdo gjë dhe tepër thjeshtë, jo vetëm nuk i rregulloi por i përkeqësoi Reforma e famshme.

Tani do duhet ti shohin hajrin e ti ndjejnë lezetin!

Sharja e shkuma në publik nuk ndihmojnë, aq më tepër kur kjo bëhet për mbrojtjen e personave me funksione publike.

Qeveria (më së pari Rama dhe Braçe) duhet të shqetësohet për çdo arrestim abuziv ndajt kujtdo dhe, të propozojë ndryshime ligjore që e mbyllin këtë shteg abuziv.

Një qeveri e drejtë nuk të mbrojë të vetët dhe të sulmojë të pambrojturit dhe kundërshtarët.

Kështu veprimi abuziv i qeverisë me drejtësinë për rastet që i intereson asaj, mbulon abuzimin e drejtësisë që po bëhet rutinë. Sulmi politik, pa dyshim i jep pikë fiktive drejtësisë…

Ndaj mbetet edhe njëherë i drejtë postulati i Presidentit Regan: “Në demokraci problemi është gjithmonë qeveria”.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!