Home Aktualitet Të rejat nga fronti i perëndimit: Përpara me Bashën ose hapa pas me Ramën…

Të rejat nga fronti i perëndimit: Përpara me Bashën ose hapa pas me Ramën…

nga Editor

Nga Gentian Gaba

Pak muaj përpara zgjedhjeve të 25 Prillit, ndodhemi sërish nën lupën e vendeve europiane. Është momenti i vitit në të cilin vendet kandidate duhet të paraqesin rezultatet, në atë që ngjason njëfarësoj me një takim me prindërit, veçse në këtë rast bëhet fjalë për etërit e Europës së Bashkuar.

Dhe Shqipëria e drejtuar nga Edi Rama, në pozitat e nxënësit, e gjen veten sërish ngelëse. Bujarisht në mars, vendit iu dha një mundësi për në vjeshtë. Një mundësi që nuk i hynte në punë kryeministrit. Sepse, paçka vullnetit europian, sidomos atij gjerman, për të na ndihmuar, duke mbyllur një sy dhe duke krijuar një shteg të posaçëm për të kaluar klasën nëpërmjet zbatimit të kushteve, disa prej të cilave janë ‘sine qua non’, Edi Rama zgjodhi me vetëdije t’i jepte prioritet agjendës personale, përpara asaj kombëtare.

Ndonëse i paralajmëruar, nga vendorë e të huaj, Rama shkeli me vullnet të plotë vijat e kuqe të shënuara në rrugën drejt Brukselit. Duke trazuar klimën politike me ndryshimet kushtetuese të njëanshme, ai u vërtetoi shteteve anëtare, që ndër vite i kishin krijuar indulgjenca të ndryshme për hatër të shqiptarëve, se ngërçet e njëpasnjëshme nuk ishin rastësore dhe se vonesa e Shqipërisë ka një emër.

Ndryshimet e njëanshme të Kushtetutës nuk janë arsyeja e vetme e ngeljes në klasë të qeverisë, por janë prova se kjo qeveri është e njëjta që ka gjeneruar numrin e lartë të azilkërkuesve për shkak të dështimeve në përmbushje të angazhimeve ndaj qytetarëve; është e njëjta që ka lejuar etiketimin e Shqipërisë si Kolumbia e Europës në kohën e kanabizimit masiv; është e njëjta që fuste kriminelë në Parlament e bashki; është e njëjta që bashkë me kriminelët tjetërsonte votën, sikurse dihet nga dosjet e Bild; është e njëjta që mungesën e Gjykatës Kushtetuese e sheh si një mundësi të artë pandëshkueshmërie, si në rastin e Teatrit Kombëtar; është e njëjta që po bie me vërtik në indekset ndërkombëtare që shënojnë rritjen e korrupsionit; është e njëjta që u bë pjesë, e mirëkamufluar, në aventurën e rrezikshme për ndryshimin e kufijve të Kosovës. E mbi të gjitha, sepse lista është e gjatë për t’u shkruar e për t’u lexuar, është i njëjti kryeministër që mban mbi shpinën e tij thesin e madh të angazhimeve të marra e të pambajtura kundruall shqiptarëve dhe të huajve.

Prandaj, në rastin e kundërt me Maqedoninë, e cila sot ka përpara një pengesë artificiale, por jo të pakalueshme, Shqipëria është “një çështje pak ndryshe”, për ta thënë me fjalët e Kancelares Merkel. Është ndryshe sepse, përpos rrokopujës të gjeneruara nga kryeministri aktual, Shqipëria ka përpara sprovën e zgjedhjeve, të cilat nuk do të jenë vetëm një test për cilësinë e demokracisë së këtushme nga pikëpamja e disiplinës zgjedhore, por edhe një moment që do të përcaktojë ecjen përpara të Shqipërisë, apo rrëshqitjen e mëtejshme drejt një të shkuare të njohur.

Nga ky këndvështrim, leximi i qëndrimeve nga fronti i perëndimit, pra shtyrja e mëtejshme e Po-së për negociatat, nuk mund të mos shihet si një ftesë përkëdhelëse ndaj opozitës shqiptare. Sepse sot, çertifikuesit e dështimeve të qeverisë, nuk janë vetëm kundërshtarët politikë, por edhe vendet europiane, të cilat, me Jo-në e tyre, rrëzuan fasadën e Ramës. Një refuzim që është njëkohësisht një izolim ndaj kryeministrit, dhe u tregon shqiptarëve anën tjetër të medaljes, që jo vetëm i nxjerr mazhorancës dalldinë e shampanjës së 2018-ës, por i kthen dekoratat e shpërndara atëmot në simbole të një bufonade që do të mbahet mend gjatë, si një përpjekje, bash djallëzore dhe qesharake, për të krijuar një realitet alternativ, që ekzistonte vetëm në televizionin privat të Edi Ramës.

Prandaj i takon liderit të opozitës të bëj të vetën këtë ftesë që vjen nga vendet e BE-së, dhe për të qenë ai restauruesi i trajektores europiane të Shqipërisë. Koha e humbur nga një kryeministër hilacak, që përballë interesave të vendit ka zgjedhur përherë pushtetin e vet, fitohet vetëm nga një politikan që ka dhënë rezultate të prekshme në sferën ndërkombëtare, frytet e të cilave i konsumojmë ende sot, sikurse janë arritjet e Partisë Demokratike në fushën e sigurisë ndërkombëtare dhe integrimit.

Ndërsa për qytetarët, 93% e shqiptarëve janë pro anëtarësimit në Bashkimin Europian, Jo-ja e përsëritur më fortë se kurrë këtë vit, është një ftesë për ndëshkim ndaj izoluesit të Shqipërisë. Sigurisht, jo vetëm për pengesën në të cilën është kthyer, por edhe për keqqeverisjen që në dy mandate pengoi jetën normale të shumicës së shqiptarëve. Një grishje europiane për të kuptuar se në 25 Prill, ose do të shkojnë përpara me Bashën, ose do të hedhin hapa pas me Ramën.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!