Home Aktualitet Shehu: Rama kërkon të besojmë se “testet e shpejta” qenkan Vaksinat Covid

Shehu: Rama kërkon të besojmë se “testet e shpejta” qenkan Vaksinat Covid

nga Editor

Ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu akuzon kryeministrin Edi Rama se përmes propagandës së tij kërkon t’i bindë shqiptarët se “testet e shpejta” qenkan vaksinat Covid!

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Shehu shprehet se në fakt qeveritarët kërkojnë të ngatërrojnë me zhurmën që po bëjnë ato me vaksinat, duke i trajtuar shqiptarët për idiotë.

Sipas ish-deputetit të PD-së shqiptarët kanë nevojë të dinë me saktësi se kur do të fillojë vaksinimi, cilat vaksina do përdoren, si do të jenë ritmet e atij procesi e kur ai do të përfundojë!

“Rama kërkon të besojmë se “testet e shpejta” qenkan Vaksinat Covid! E gjithë makina propagandistike e Qeverisë është vënë në lëvizje për të trumbetuar “testet e shpejta”, dhe janë vetëm 100 mijë të tilla. Deklarohet për pika aplikimi, por ama me prenotim…si për PCR që duhet të presësh ditë mbasi të kesh telefonuar! Qesharake, “testet e shpejta”, të gjitha prej serologjikëve e deri te këto antigenike, përdoren në botë prej muajsh, janë tashmë krejt të liberalizuara kudo në Europë. “Teste të shpejta” aty gjen lirshëm në çdo farmaci, edhe on line, te mjeku i familjes, të çdo laborator, edhe në ato veterinare…pa prenotim. Sllovakia realizoi gratis 2,5 milionë ekzaminime të tilla në një ditë…të tjerët vazhdojnë. Dhe ndërsa Shqipërisë i duhen miliona të tilla… kërkojnë të gënjejnë njerëzit me 100 mijë! Në fakt kërkojnë të ngatërrojnë me zhurmën që po bëjnë ato me vaksinat, duke i trajtuar shqiptarët për idiotë. Shqiptarët kanë nevojë të dinë me saktësi se kur do të fillojë vaksinimi, cilat vaksina do përdoren, si do të jenë ritmet e atij procesi e kur ai do të përfundojë! Asnjë fjalë për këto, asgjë, në fakt asnjë kontratë deri tani, asnjë përgatitje logjistike, ndërsa gjithë Bota flet vetëm për këto, përgatitet për këtë proces që tashmë ka filluar! Dhe për çudi përgjigja shtetërore është: Nuk dimë akoma as se çfarë vaksine mund të “bjerë nga qielli” ndonjë ditë në Shqipëri!”, u shpreh ish-ligjvënësi demokrat, Tritan Shehu.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!