Home Aktualitet MORALI PËRTEJ ZGJIDHJEVE

MORALI PËRTEJ ZGJIDHJEVE

nga Editor

Nga Gentian Çala

Jetojmë në një kohë të çuditshme, ku e drejta, virtyti, vlerat kanë ngelur në vend sepse këmbehen me ofiqe, të mira materiale, me para. Njerëzit për çdo gjë ndezin kalkulatorin në mëndjen e tyre në përpjekje për ti dhënë përgjigje pyetjes “Çfarë fitoj unë?”. Zgjidhjet kushtëzohen nga ky kalkulim dhe janë brenda kësaj optike.

Kjo nga dikush mund të quhet pragmatizëm, nga dikush interes, disa mund të thonë është dallavere. Në fakt është thjesh zgjidhje që shpesh i mungon morali. Mendoni për një çast sikur njerëzit të mos mendonin atë që fitojnë momentalisht dhe në kuptimin afatshkurtër, do të kishim më shumë drejtësi, zgjidhjet do të sillnin më shumë tē mira për të gjithë.

Një nga zgjidhjet tona ka të bëjë me zgjedhjet politike, të cilën e kemi shndërruar nga alternativa, programe, individë me integritet, në zgjedhje që fiton ai që ka më shumë për të blerë vota, të fortët, kriminelët, pushteti që përdor marifete dhe presion. Blihemi për një moment dhe ankohemi për katër vite. Ne prodhojmë pushtete që na sundojnë, nuk na pyesin, nuk kanë transparencë dhe që në fund nuk kanë asnjë interes për të bërë atë që duhet për ne, për të mirën e të gjithëve, por vetëm për vete.

Morali pëtej zgjidhjeve, është morali i zgjidhjeve të zhveshura nga interesi i momentit, që zgjat pak e na kthehet kokës. Zgjidhjet e jetës së përditshme, e marrëdhënieve njerëzore, e të drejtave tona përplasen shpesh herë në dyer që varen nga politika, kurse kjo e fundit nga zgjedhjet. Ne jemi në një qerthull, nga ku nuk dalim, por zhytemi më thellë. Besimi ynë është tronditur në gjithçka, sepse besimi varet nga interesat e shitura e të blera.

Zgjidhjet dhe morali rikthejnë besimin. Ne duhet të shërojmë sëmundjen te shkaktarët, përndryshe gabimet mund të përsëriten, spiralja do të vazhdojë. Ata që e shohin këtë vend si një vend që nuk bëhet do të shtohen, ata që nuk ia duan të mirëm këtij vendi do të fërkojnë barkun, vendi do të rrezikojë kthimin në tokë të djegur. Morali përtej zgjidhjeve, e drejta përtej pazareve, virtyti përmbi shitjen e shpirtit duhet të ushqehen, të frymëzohen dhe të serviren si modele.

Unë nuk dua të shes moral me këto fjalë, nuk besoj që jam edhe i duhuri për ta bërë, por mendoj se e kam për detyrë të shpreh atë që mendoj, nëse ne e duam veten dhe këtë vend. Shpëtimi mund të vijë nga ne, nga ata që e duan lirinë, pa e shitur veten dhe shpirtin.
(Ky shkrim është postuar dy viteve më parë)

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!