Home Aktualitet Dosja gati për gjykim, SPAK mbyll hetimet për ish-drejtorin e Tatimeve dhe vartësin e tij në Korçë

Dosja gati për gjykim, SPAK mbyll hetimet për ish-drejtorin e Tatimeve dhe vartësin e tij në Korçë

nga Editor

SPAK ka përfunduar hetimet për ish-drejtorin e Tatimeve në Korçë, Thoma Tontonozi, dhe ish-punonjësin në këtë institucion, Stjuart Bardhoshi.

Sipas SPAK, dy ish-zyrtarët në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë kërkuar dhe kanë marrë përfitime materiale të parregullta, me qëllim për të mos ushtruar kontrolle tatimore te subjektet private që ushtrojnë aktivitetin tregtar në qytetin e Korçës.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë ka përfunduar hetimet paraprake për proçedimin penal nr.213 viti 2020, në ngarkim të të pandehurit Thoma Tontonozi ish Drejtor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Korçë dhe Stjuart Bardhoshi ish punonjës në Drejtorinë Rajonale Tatimore Korçë. Në përfundim të hetimeve paraprake, pasi janë kryer të gjitha veprimet e mundshme dhe të nevojshme hetimore, pasi janë vlerësuar të gjitha provat e administruara gjatë hetimeve, të pandehurit Thoma Tontonozi dhe Stjuart Bardhoshi, janë akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 259 dhe 25 të Kodit Penal.

Nga hetimet e kryera u provua se të pandehurit e mësipërm në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë kërkuar dhe kanë marrë përfitime materiale të parregullta, me qëllim për të mos ushtruar kontrolle tatimore te subjektet private që ushtrojnë aktivitetin tregtar në qytetin e Korçës. Në datën 04.11.2020 çështja penale në ngarkim të të pandehurve Thoma Tontonozi dhe Stjuart Bardhoshi është dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!