Home Aktualitet Gjergj Erebara, BIRN: Loja e kryeministrit për të gjobitur mediat kritike para zgjedhjeve

Gjergj Erebara, BIRN: Loja e kryeministrit për të gjobitur mediat kritike para zgjedhjeve

nga Editor

Gjergj Erebara (BIRN)

Një dokument i Ministrisë së Drejtësisë mbart ndryshime të thella në kodin penal të vendit duke zgjeruar kufijtë e asaj që konsiderohet shpifje në krahasim me kodin aktual si dhe duke ashpërsuar gjobat, duke krijuar një mbrojtje të veçantë për zyrtarët e lartë dhe duke njohur si ent që mund të fyhen organet politike, administrative apo gjyqësore. Dokumenti rrodhi në media ditën e mërkurë ndërsa të enjten, Ministria e Drejtësisë në një deklaratë për shtyp të publikuar në disa media të caktuara, pranoi se ai është një “dokument pune”.

Nëse bëhet realitet, ndryshimet në kodin penal do të jenë nisma e katërt e qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe e pesta (përfshirë amendamentin Bregu) që synon të cenzurojë ose shtyjë drejt vetëcenzurës median nën kërcënimin e gjobave dhe burgut. Të pesta nismat e mëparshme, amendamenti Bregu në vitin 2015, dënimi me tre vjet burg i “shpifësve” ndaj kryeministrit, projektligji për Tregtinë Elektronike dhe paketa antishpifje, kanë dështuar të miratohen në Kuvendin e Shqipërisë pas protestave vendëse dhe ndërkombëtare. Paketa anti-shpifje është aktualisht në ngërç parlamentar ndërsa Komisioni Europian ka vendosur kusht që një ligj i tillë të respektojë opinionin e Komisionit të Venecias, nëse miratohet.

Mjegullim

Kodi Penal aktual parashikon shpifjen si kundravajtje penale të dënueshme me deri në 3 milionë lekë gjobë me kushtin që shkelësi të ketë përhapur të pavërteta duke e ditur se kanë qenë të rreme. Propozimi i ri në formën e draftit të punës e heq kriterin e pasjes dijeni mbi faktet e pavërteta dhe bashkon termin “ofendues” bashkë me fjalën “të rremë”. Sipas propozimit të ri, personi është përgjegjës penalisht edhe në rast se nuk ka pasur dijeni për pavërtetësinë e faktit, një ndryshim ky që dukshëm bie ndesh me një traditë shumëshekullore, e mishëruar në çështje të tilla si Sullivan vs. The Neë York Times apo në çështje të tilla në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut si Aquilina and Others v. Malta apo Editorial Board of Pravoye Delo and Shtekel v. Ukraine në të cilat është sanksionuar se raste të tilla zgjidhen me kërkimin e ndjesës dhe jo me dënime penale.

Gjoba edhe më të larta

Një dekadë më parë, një numër zyrtarësh politikë socialistë, të tillë si Saimir Tahiri apo Taulant Balla, u ngarkuan me dëmshpërblime prej dhjetëramijëra eurosh nga gjykatat civile pasi një numër zyrtarësh politikë demokratë i sfiduan ata në gjykatë nën akuzën e shpifjes. Në vitin 2012, nën reflektimin e gjobave milionere për socialistët e dënuar për shpifje, me asistencën e ndërkombëtareve dhe me këmbënguljen e organizatave të të drejtave të njeriut, Shqipëria kreu një reformë të kuadrit ligjor duke synuar reduktimin e shkallës së arbitraritetit të neneve të mëparshme, të cilat ishin reminishencë e kohës së komunizmit. Pas këtyre ndryshimeve, Këshilli i Europës nisi një program të gjerë trajnimi të gjyqtarëve në lidhje me çështjet e shpifjes, me synimin e informimit të këtyre të fundit me parimet themelore Europiane mbi lirinë e shprehjes. Një dekadë më vonë, një mision vrojtimi organizatave ndërkombëtare në Shqipëri, vërejti se në fund fare, pavarësisht se gjobat penale të shpifjes janë të parashkruara në kod në shifra shumë të larta, (aktualisht deri në 30 mijë euro), gjykatat shqiptare kanë zbatuar në përgjithësi rregullat e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të cilat vlerësojnë se masa e gjobës duhet të jetë e tillë që të mos shkaktojë efekt frikësues për lirinë e shprehjes.

Propozimi aktual i qeverisë shkon në drejtim të kundërt, duke parashikuar rritjen e gjobave. Propozimi që dukshëm shënjestron shtypin, shton se, në rast se shpifja bëhet përmes shtypit apo internetit, gjoba do të duhet të rritet në 1 deri në 3 milionë lekë ndërsa nëse subjekt i shpifjes është “një organi politik, administrativ ose gjyqësor, ose një personi në cilësinë e përfaqësuesit të një prej këtyre organeve”, gjoba shtohet në 1.5 deri në 4.5 milionë lekë. Dukshëm në shkelje të standardeve ndërkombëtare, të cilat sanksionojnë se gjobat për shpifje nuk duhet të jenë kurrë në përmasa të tilla sa të vënë në vështirësi financiare personin e prekur, propozimi, nëse bëhet realitet, do të shkaktojë atë që në Europë njihet që prej tre shekujsh si chilling effect, efekt frikësues.

Propozimi duket se shkel gjithashtu parimin e barazisë para ligjit, duke veçuar zyrtarët politikë dhe ata shtetërorë si persona që janë më të barabartë se sa qytetarët e tjerë, shpifja ndaj të cilëve me doemos duhet të dënohet më rëndë se sa shpifja që mund të bëjnë zyrtarët politikë ndaj popullit.

Ndryshimet ligjore nuk mjaftojnë këtu. Sipas propozuesit, personi i prekur mund të kërkojë njëkohësisht dënim penal dhe dëmshpërblim civil për shpifjen.

Kryeministri Edi Rama nuk e ka fshehur dëshirën e tij për të bërë ligje që mbrojnë biznesmenët nga media, duke argumentuar se biznesmenët shqiptarë janë viktima të sulmeve mediatike. Opinioni i Komisionit të Venecias mbi paketën e tij antishpifje theksoi para së gjithash se paketa e tij do t’i japë mundësi oligarkëve të pretendojnë se po diskriminohen për shkak të cilësisë së tyre si të pasur kur sulmohen nga media.

Paketa aktuale antishpifje ka ngecur në parlament pavarësisht përpjekjeve të njëpasnjëshme të deputetëve të ndryshëm socialistë për ta çuar atë përpara, për shkak të kundërshtimeve të forta vendëse dhe ndërkombëtare.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!