Zgjedhje të parakohshme për Pandeli Majkon do të ketë në rast se Gjykata Kushtetuese vendos të rrëzojë 30 qershorin. I ftuar në “Top Talk”, Majko tha se Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Bundestagu gjerman kanë përcaktuar se legjitimiteti i zgjedhjeve lokale duhet të përcaktohet nga Kushtetuesja. “Edhe nga ato që janë thënë nga DASH dhe nga kushtet e Bundestagut, është thënë qartazi se Gjykata Kushtetuese do të vlerësojë legalitetin e zgjedhjeve të 30 qershorit në esencë shteruese. Jam përgatitur edhe për opinion pozitiv dhe kjo është 98% e balancës, por në Parlament thashë që nëse Kushtetuesja hedh poshtë 30 qershorin, ne do të shkojmë në zgjedhje. Do të shkojmë në zgjedhje, nuk ka çfarë të diskutohet”, u shpreh Majko. Ministri Majko foli edhe për konfliktin që ekziston midis dy opozitave në Shqipëri. “Tani kemi një problem që është fakti që kemi dy opozita. Kemi dy opozita të cilat kanë një nervozizëm goxha të theksuar. Realiteti është ky, opozita jashtë Parlamentit nuk e llogarit opozitën që është brenda Parlamentit. Ajo nuk është opozitë që e ka shpikur Partia Socialiste, por të gjithë ata kanë ardhur nga listat e PD dhe LSI. Asnjë vend që ka qenë në statusin e Shqipërisë për të hapur negociatat me BE-në, të ketë patur një krizë të këtij lloji. Ne jemi duke na u mbajtur këmbët dhe duke negociuar, ndërkaq jemi duke bërë një reformë nga më të thellat. Braktisja e sistemit Kushtetues nuk ishte vetëvrasje politike, por nxiti që sistemi të shkonte gati në vetëvrasje. Do të shkonim “një zot e di se ku” nëse do të shtyheshin datat pa mbarim të zgjedhjeve lokale dhe në të mos hynim në 30 qershor”, tha Majko.