Rrethi po mbyllet nga jashtë, askush s’e ka më luksin për neutralitet

Read Time:2 Minute, 52 Second

Nga Ilir Nikolla

Italia ka njoftuar sot zyrtarisht se ka një marrëveshje me Shqipërinë dhe do të kthejë çdo shtetas shqiptar apo të huaj që do vijë ilegalisht nga territori i saj. Farnezina shpalli se ka marrëveshje edhe me 12 shtete të tjera për këtë çështje, por vëmendja e opinionit publik në Shqipëri duhet përqendruar tek mbyllja së afërmi e rubinetit të “largimit të përkohshëm” nga vendi, për një fat më të mirë. Në vend që të përqendrohet tek reformat dhe tek konsensusi që kërkohet për ta nxjerrë vendin nga kriza e rëndë ekonomike e kushtetuese ku ndodhet, Edi Rama po ia arrin të imponojë për bashkështetasit e tij klonin nga jashtë.
Tashmë ai ia ka dalë të bllokojë zërat publikë kundër, po përdor kulaçin dhe kërbaçin për të disiplinuar mediat, ia ka dalë të marrë nën kontroll thuajse të gjithë sistemin e drejtësisë dhe e ka shndërruar biznesin në një apendiks të ekonomisë së Bllokut dhe urgjenca e tij e momentit nuk është zgjidhja e krizës, por ndalimi i çfarëdo rreziku që mund t’i vijë nga jashtë e që mund t’ia prishë status-quo-në. Ekipi i tij i propagandës me sa duket ka bitisur se është më mirë që shqiptarët të mos dinë më se ç’bëhet jashtë, të mos dalin, të mos shohin e të mos krahasojnë, prandaj ata që kanë ikur le të mos vijnë, por të tjerët e paditur, edhe në dalçin për pak ditë, të kthehen në errësirën që meritojnë, nën diktatin e tij.
Këto rreziqe janë të vërteta dhe jo fantazi që dalin nga kriza e rëndë ekonomike e shpirtërore që mbizotëron në opinionin publik në Tiranë. Skenat që shohim me kontrolle tatimore ndaj mediave të reja, kërcënimeve për mbyllje të disa mediave të tjera si dhe frazat antievropiane të Edi Ramës në parlament janë shenja se rrethi po mbyllet nga jashtë, që të mos ndikojë në implozionin e tij nga brenda.
Të gjithë e dinë se Edi Rama, sado i fuqishëm të ndihet, sado me para, me aparat dhune e me parti të verbër prapa, i trembet si dreqit veç protestës dhe reagimit popullor. Shembujt me protestën e Kukësit janë kuptimplote, prandaj ai po kërkon që ta mbyllë rrethin nga jashtë, me besimin se do ja arrijë që të ndalë në ndonjëfarë forme shpërthimin nga brenda. Kush ka ikur ka ikur, të tjerët duhet t’u binden zgjedhjeve formale, ligjeve që miratohen me opozitën formale dhe rotacioneve vetëm brenda fraksioneve në Partinë Socialiste, pasi “opozita jashtëparlamentare” është armike e popullit, që as që duhet lënë të garojë. Urgjenca e parë e Edi Ramës është neutralizimi i ndërhyrjeve nga jashtë. Ai s’do ndërmjetës nga jashtë, as media të huaja që flasin, e aq më tepër qeveri që ankohen. Në këtë hall përfshihet edhe gatishmëria për ta shndërruar Shqipërinë në një bunker, prej së cilës nuk del njeri pa leje.
Prandaj, në këtë fazë ku jemi, ka ardhur koha për ta ndarë grurin nga egjra. S’ka më vend për neutralitet. As shoqëria civile, as intelektualë të paangazhuar s’e kanë më luksin të rrinë e të presin për “ditë më të mira”. Ka ardhur koha për zgjidhje që vijnë ekskluzivisht nga brenda Shqipërisë dhe heshtja është mbështetja më e mirë që mund të marrë Edi Rama në përpjekjen e tij finale për t’i mbyllur jehonat që mund të vijnë nga jashtë dhe për të kalcifikuar regjimin e tij brenda kufijve të Shqipërisë Londineze

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %
Previous post VOA: Meta kritika të ashpra Komisionit të Venecias
Next post Sherr në Durrës, qëllohet me armë zjarri