Home Aktualitet Zëri i Amerikës: Në Shqipëri rastet me Covid-19 u rritën me 38 përqind javën e shkuar

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri rastet me Covid-19 u rritën me 38 përqind javën e shkuar

nga Sonila Osmanaj

Në Shqipëri, situata e pandemisë COVID 19 vijon të përkeqësohet. Të dhënat e javës që shkoi dëshmojnë një rritje si të rasteve, ashtu dhe të viktimave, ndërkohë që pacientët në spitale shtohen dita ditës. Në 7 ditët e fundit u rregjistruan 5124 të infektuar dhe 85 viktima, niveli më i lartë i shënuar deri më tani. Vetëm në 24 orët e fundit, u njoftuan 17 vdekje, shifra më e madhe ditore. Për shkak të gjendjes që ka ardhur duke u rënduar, autoritetet njoftuan sot se mësimi në Universitetet do të vijojë të zhvillohet online për një periudhë të pacaktuar.

“Situata paraqitet në një nivel risku të shtuar për arsye të rritjes së rasteve pozitive ditore shprehur qartë me një rritje të incidencës 14 ditore, 301 persona për 100 mijë banorë”, deklaroi sot drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, njëkohësisht anëtare e Komitetit Teknik të Ekspertëve Albana Fico. Përpara dy javësh incidenca ishte 177.4 persona për 100 mijë banorë.

Ndërkohë, java që sapo u mbyll, sipas të dhënave të përpunuara nga Zëri i Amerikës, shënoi numrin më të lartë të rasteve, 5124 të infektuar, ose 38.4 përqind më shumë se java pararendëse, në një kohë që testimet u rritën lehtazi, me vetëm 2.9 përqind më shumë.

Mesatarja ditore e të prekurve u ngjit në kuotën e 732 rasteve, kundrejt 528 që ishte mesatarja e javës pararendëse.

Ajo që bie gjithashtu në sy është se pozitiviteti, raporti mes numrit të rasteve dhe testimeve kërceu në 29.7 përqind, nga 22 që ishte më parë. Pozitiviteti është treguesi i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.

Në Shqipëri, deri më tani femrat janë ato që preken më shumë, 52 përqind, kundrejt 48 përqind meshkuj. “Sa i përket grupmoshave, më e prekura është ajo mes 65 dhe 74 vjeç, e ndjekur nga moshat 55-64 vjeç. Në grumpmoshën 0-4 vjeç nuk ka ndryshime përsa i përket incidencës, po ashtu edhe 5-14 vjeç është e njejta situate”, shpjegoi zonja Fico.

Rritja e rasteve është shoqëruar me rritje të ndjeshme dhe të viktimave. Në javën e fundit, kanë humbur jetën 85 persona, niveli më i lartë i rregjistruar deri më tani. Vetëm në 24 orët e fundit, u shënua rekordi me 17 vdekje nga mosha 37 vjeç deri në 86 vjeç.

Edhe në spitale situata është shoqëruar me një rritje progresive të pacientëve. Deri pasditen e sotme në të tre spitalet, numëroheshin 439 të shtruar, 16 në terapi intensive, 5 pacientë janë të intubuar.

Kohët e fundit, kryesisht në dyert e spitalit infektiv apo COVID 1, janë vënë re ambulancat e Urgjencës që qëndrojnë në radhë me persona të sëmurë. Autoritetet e motivonin këtë me rritjen e fluksit. Sot drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj bëri të ditur se “janë marra masa për administrimin më të mirë të shtretërve në të tre spitalet COVID. Për arsye të një administrimi më parë në bazë territori dhe spitali, për të mos krijuar pritje të autoambulancave, po e bëjmë administrimin në të tre spitalet njëkohësisht. Nëse më parë bëhej vetëm te Infektivi, tani bëhet sa më shpejt në të tre spitalet COVID”.

Ndërsa dhe spitali COVID 3 duket se po mbushet me ritmet e shpejta të rritjes së rasteve, autoritetet përsëritën sot se është gati të hapet dhe spitali i katërt./VOA/

Lajme te ngjashme

error: Content is protected !!