Home Aktualitet Shkëmbimi i territoreve, BE u jep goditjen e fundit alibive

Shkëmbimi i territoreve, BE u jep goditjen e fundit alibive

nga Sonila Osmanaj

Tani askush nuk dyshon më, por kur konfirmimi vjen nga një figurë e lartë, bëhet plotësisht e besueshme. “Ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë në tryezën e dialogut”, ka deklaruar përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, gjatë një interviste të publikuar në median serbe “Nezavisne“.

“Disa muaj më parë kishte një propozim për të shkëmbyer territore. Por kjo nuk është më një alternativë”. Ai theksoi se në union ka shtete anëtare që e kundërshtojnë fuqishëm idenë e shkëmbimit të territoreve. “Por, në parim, ajo që duam është të jemi një ndërmjetës. Ne po përpiqemi ta përmbushim atë rol,” tha Borrell.

Për një kohë të gjatë, edhe pasi e propaganduan shumë në shtypin pro tyre, protagonisët e kanë mohuar një zgjidhje të konfiktit me ndryshim kufijsh. Madje përpos Prishtinës dhe Beogradit, atë filluan ta mohojnë edhe zytarët e lartë të administratës në SHBA. Përfaqësuesi kaubojs i presidentit Trump, i cili donte të mbyllte një marrëveshje të shpejtë në kuadër të fushatës elektorale amerikane, shkoi aty deri aty sa të pohonte se nuk kishte dëgjuar kurrë për një plan të tillë. Madje në fillim të këtij viti u bë edhe një deklaratë zyrtare.

Përmes Richard Grenellit, ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett dhe përfaqësuesit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, amerikanët garantuan se: “Duam ta bëjmë të qartë se nuk ka plan sekret për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë, si kanë spekuluar disa. Përfaqësuesi i posaçëm, Richard Grenell nuk e ka parë dhe as që ka diskutuar ndonjë plan të tillë.”

Gjërat ndryshuan disi pasi ish Këshilltari për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, vendosi të tregojë të vërtetën rreth idesë së shkëmbimit të territoreve. Ai ka përmendur me emër Hashim Thaçin dhe Aleksandër Vuçiçin si ideatorë të një projekti që ai nuk e ka kundërshtuar. “Nuk ka qenë ideja ime shkëmbimi i tokave, janë liderët e Kosovës dhe Serbisë që e kanë kërkuar”, ka thënë ai me zë dhe figurë.

Bolton në një intervistë gjatë kësaj vere, duke folur edhe për librin e tij të ri kundër Trump, ka pranuar edhe se kjo ide kundërshtohej nga disa vende europiane, por ka theksuar se nëse dy vendet arrinin marrëveshjen, vështirë se dikush do të kishte forcë t’i dilte kundër.

“Ju doni të më thoni mua se nëse Kosova dhe Serbia arrinin një marrëveshje, pjesë e së cilës do qe shkëmbimi i territoreve, pjesa tjetër e Evropës do të thoshte ‘jo, jo, kjo është e papranueshme, ne do ta hedhim poshtë këtë dakordësi që ju keni arritur!”, pyeti atëhere Bolton.

Tani kjo e vërtetë pranohet hapur edhe nga përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell duke i dhënë të drejtë të gjithë atyre që kundërshtuan këtë plan, të cilin publikisht nuk e mbronte hapur askush./Lapsi.al

Lajme te ngjashme

error: Content is protected !!