Migrimi po zbraz shkollat e Kosovës

Read Time:4 Minute, 11 Second

Mësues me gjithnjë e më pak nxënës! Fenomeni i migrimit ka prekur ndërkohë sistemin arsimor në Kosovë. Por dëmtimi i arsimit pengon transformimin e Kosovës, ngrenë zërin ekspertët.

Edhe dy karrige të tjera do të mbeten bosh në një klasë të shkollës së mesme të ulët “4 Prilli”, në fshatin Zllatar të komunës së Ferizajt. Dy nxënës e kanë braktisur shkollën këtë vit të ri shkollor, për arsye të largimit të familjeve të tyre nga Kosova.

Braktisja e Kosovës nga qytetarët për një jetë më të mirë drejt shteteve të Bashkimit Evropian konsiderohet nga ekspertët si ndër fenomenet që do ketë pasoja të rënda për Kosovën. Zvogëlimi i numrit të nxënësve po prek edhe mësimdhënësit e tyre. Zymer Haliti, arsimtar i lëndës së gjuhës shqipe në shkollën fillore të mesme të ulët “4 prilli”, në fshatin Zllatar të komunës së Ferizajt është i shqetësuar. “Si çdo ditë shkoj në punë, si mësimdhënës i gjuhës shqipe…! Por, kjo ditë apo kjo orë sikur më lëndoi shumë, jo vetëm mua, por edhe kolegët e tjerë. Sapo shkova në klasën e tetë, i pyeta nxënësit kujdestarë se kush mungon? Ata më treguan se dy nxënës s’do të vijnë më në shkollë! Këta dy nxënës kanë shkuar javën e kaluar për në Gjermani dhe s’do të jenë më me ne, s’do të vijnë më në shkollë…Dy karrige edhe sot mbetën bosh!”, tregon mësuesi Haliti.

Mësuesit e shkollës “4 Prilli” flasin me nxënësit që megjithë gjendjen e vështirë t’u ndezin shpresën për ta ndërtuar të ardhmen në Kosovë, por zëri i tyre duket se është më i dobët, se dëshira për t’u larguar. Mësuesi Zymer Haliti e di: Edhe në muajt e ardhshëm, ai ka për të marrë lajme për nxënës të tjerë të larguar. “Gjatë bashkëbisedimit tim me nxënësit e mi edhe të tjerë treguan se shumë shpejt edhe ata do të largohen nga Kosova. E kjo gjë na shqetëson shumë.” shprehet ai.

Migrimi dëmton arsimin

Të dhënat e studimit të rinisë 2019 të bërë nga fondacioni gjerman Friedrich Ebert në Prishtinë tregojnë se 51% e të rinjve shqiptarë nga Kosova kanë si qëllim të qartë largimin nga vendi. Edhe 55% e të rinjve serbë të Kosovës kanë qëllim të fortë të migrojnë.  Sipas të dhënave të EUROSTAT, gjatë vitit të kaluar Kosovën e kanë lënë 34,500 qytetarë.

Ekspertët lidhur me këtë problematikë vlerësojnë se jo rastësisht faktor kryesor që i shtyn qytetarët për të migurar janë arsyet ekonomike, papunësia, vështirësitë për të siguruar punë, paqëndrueshmëria dhe pasiguria në vendin e punës për ata që janë të punësuar, paga e ulët, mungesa e një standardi të mirëfilltë dhe kushtet e vështira të punës.

Sipas sociologes, Bukurie Rrustemi ky fenomen po dëmton edhe arsimin e Kosovës. “Fenomeni i migrimit e ka dëmtuar në vazhdimësi shtetin e Kosovës dhe shkollat e Kosovës, kur dihet fakti se të larguarit nga këtu janë pikërisht të rinjtë, apo fuqitë punëtore të tanishme dhe të ardhshme të Kosovës. Gjithashtu vlen të theksohet fakti se migrimi familjar që ka ndodhur viteve të fundit ka shkaktuar edhe zbrazjen e shkollave në vend, sidomos në vendbanimet rurale, ku dukshëm ka rënë numri i nxënësve, të cilët migrojnë së bashku me familjet e tyre. Diku sipas statistikave zyrtare, vetëm në komunat mesatare ku numri i popullësisë varion nga 60-80 mijë banorë, gjatë dy viteve të fundit mbi 500 nxënës kanë braktisur shkollën dhe kanë migruar drejtë BE-së. Rast i tillë është komuna e Malishevës.”, thotë Rrustemi.

Largimi i të mirëarsimuarve pengon transformimin e Kosovës

Migrimi i të rinjve sjell pasoja serioze sociale, ekonomike e kulturore. Me plakjen e popullësisë ose siç njihet në demografi “Moshnimi Demografik” bie edhe nataliteti në vend. Pasojat e rënies së natalitetit janë ekonomike e sociale. Edhe Kosova sipas demografëve ka një ulje drastike të lindjeve dhe nëse do të vazhdojë një trend i tillë i natalitetit brenda 10 viteve numri i popullsisë në Kosovë pritet të pësojë rënie të ndjeshme.

Sipas ekonomistit Fadil Sahiti, Kosova po humb më së shumti kuadro të kualifikuar. “Nëse flasim për të rinjtë të edukuar dhe të arsimuar mirë, ata që kanë arritur të fitojnë ekpertizë të caktuar në fusha të ndryshme dhe që kanë vendosur ta lëshojnë vendin, atëherë Kosova humb mjaft. Këtu para se gjithash e kam fjalën për mjekët, inxhinierët, arkitektët, ekonomistët e shkolluar. Sigurisht që këtu Kosova humb mjaft, sepse kemi të bëjmë me një kategori njerëzish që mund të japin kontribut të çmueshëm për transformimin e vendit.”

Krahas largimit të të mirëarsimuarve, shoqërinë kosovare e dëmton edhe largimi i të rinjve, thjesht sepse nuk gjejnë një “punë të dinjitetshme në Kosovë”, sipas ekonomistit Fadil Sahiti. Punëtori i thjeshtë në Kosovë konsiderohet si ‘argat ditor’, thotë ai. “Përkundër ligjit të punës që është i aprovuar, këtu punëtori, po flas për një numër të madh të të punësuarve në sektorin privat, nuk gëzon asnjë të drejtë. As nuk kanë sigurim shëndetësor, as akumulim të fondit pensional, si dhe një varg të drejtash tjera që i parasheh ligji”, përfundon Sahiti./dw/

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %
Previous post Përplasen 3 makina në autostradën Tiranë-Durrës, humb jetën 1 person
Next post Gjermani, breshëri plumbash ndaj dy vëllezërve shqiptarë, humb jetën 39-vjeçari, arrestohen 2 autorët