Home Politike Albana Vokshi dënon hakmarrjen politike të Edi Ramës kundër Syri TV

Albana Vokshi dënon hakmarrjen politike të Edi Ramës kundër Syri TV

nga Albina Hoxhaj

Ish Kryetarja e Komisionit të Medias, Albana Vokshi, shprehu shqetësimin e Partisë Demokratike për gjendjen e rëndë të lirisë së medias. Zonja Vokshi ishte në mjediset e televizionit më të ri në vend, SYRI TV, që eshte kontrolluar nga tatimet me një urdhër selektiv dhe politik të kryeministrit Edi Rama. Ish kryetarja e Komisionit Parlamentar të Medias e konsideroi këtë akt si një hakmarrje politike ndaj fjalës së lirë, kundër një televizioni që nuk është në shërbim të propagandës së Edi Ramës, por të interesit publik.

“Edi Rama po pëdor të gjitha mjetet për t’i mbyllur gojën Syri.net, një nga mediat më kritike ndaj tij. Kur Rama nuk e ble dot, nuk ia del që t’i mbyllë gojën me para medias kritike, ndërmerr të tilla akte urrejtjeje, duke shantazhuar gazetarët dhe drejtuesit e kësaj mediaje me arrest. Edhe një javë më pare, Edi Rama me urdhër politik, shoqëroi gazetarët e SYRI.net, i kërcënoi dhe i ndaloi për disa orë, një veprim që është një shantazh i pastër prej tij kundër lirisë së medias. Sot ka ngritur shtetin në këmbë. Ka urdhëruar nipin e Gramoz Ruçit, i njohur nga denoncimet në media për veprat e tij penale për trafik droge apo për vjedhje dhe që sot drejton Hetimin Tatimor. Pra, aty ku nuk i funskionon blerja me para, përdor mekanizmat e tjerë shantazhues kundër medias kritike, kundër fjalës së lirë.”- u shpreh zonja Vokshi.

Ish kryetarja e Komisionit Parlamentar të Medias theksoi rëndësinë e lirisë së medias për procesin e integrimit europian.

“Pa media të lirë nuk mund të ketë përparim të Shqipërisë në rrugën e Bashkimit Europian. Media e pavarur, jo e kërcënuar, jo e shantazhuar nga institucionet shtetërore, siç ndodhi sot me urdhër të Edi Ramës, është kusht për hapjen e negociatave. Prandaj, Edi Rama duhet të ndalojë sulmin ndaj mediave kritike, ndaj gazetarëve, analistëve, duhet të ndalojë sulmin ndaj Syri.net dhe drejtuesve të tij. PD po informon të gjitha organizatat ndërkombëtare me seli në Tiranë, OSBE, Bashkimin Europian, të gjitha institucionet e BE-së dhe KE-së dhe organizatat e medias.”- tha ish deputetja Vokshi.

Albana Vokshi i bëri thirrje çdo nëpunësi të ndershëm të administratës publike të mos bëhet palë në këtë hakmarrje politike të Edi Ramës kundër medias që publikon pa censurë realitetin politik, ekonomik dhe social të vendit. “Jam e sighurt se inspektorët e tatimeve nuk kanë shkuar për inspektim në televizionet e tjera për të verifikuar, nëse ka apo shkelje si në rastin e Syri.net. – theksoi zonja Vokshi për të vënë në dukje veprimin selektiv të urdhëruar nga Edi Rama.

Përfaqësuesja e Partisë Demokratike e mbajti këtë qëdrim nga mjediset e Syri TV, në të njëjtën kohë kur tatimorët po ushtronin kontrollin e tyre selektiv dhe politik, nga i cili rezultoi se kjo media e pavarur ka respektuar të gjitha rregullat dhe ligjet në fuqi.

Lajme te ngjashme