Home Politike Kohë fletërrufeshë!

Kohë fletërrufeshë!

nga Albina Hoxhaj

Nga Gentian Çala

Ata që janë në pushtet kanë më shumë mundësi ndikimi në opinionin publik sepse kanë më shumë mundësi financiare, më tepër instrumenta në duar për influencë në media. Konceptimi i shtetit si mekanizëm propagande bën të mundur që ndaj kujtdo që të del kundër ti bësh fletërrufenë, të cilat nuk ngjiten më në mure reale, por virtuale. Shpërndarja e shpejtë dhe dezinformimi i sigurtë.

Fushatë kundër Presidentit, fushatë kundër Opozitës, kundër individëve të shoqërisë civile, gazetarë a intelektualë. Megafonët qeveritarë dalin në televizione, drejtuesit e emisioneve tematike apo politike ndryshohen, fletërrufetë vazhdojnë me zë e figurë. Gazetat lirishitura te qeveria nuk reshtin së shkruari kundër kritikave dhe opozitarizmit antiqeveritar. Histori me arrestime të afërta, SPAK, e të tjera si këto janë paralajmërimet nga fletërrufetë rilindase.

Atmosfera në media dëshmon qartë se propaganda është ajo për të cilën preokupohet më shumë Rama dhe shpura e tij në qeveri. Tendenca për të kontrolluar lirinë e medias me paketa ligjore, është shprehje e frikës ndaj lirisë së saj. Të gjithë nuk blihen e shiten! Ndaj ka ende pjesë të saj të pakapura, të cilat nuk shkruajnë fletërrufe ose i demaskojnë ato.

Së paku, në një rast unë e kam provuar këtë në lëkurë, kur Kryeministri më shumë se dy vite më parë, në një dalje publike etiketoi negativisht mua dhe disa kolegë që kishim pasur të njëjtin pozicion në administratë (në kohën që nuk isha më në pozicion prej disa muajsh) duke na quajtur si të paaftë dhe më pas në disa media lexoja emrin tim në mes të emrave të tjerë. Zhgënjimi ishte i madh dhe mllefi i jashtëzakonshëm, ndërsa i bënte disa tifozë rilindas të duartrokisnin mungesën e etikës dhe të informacionit kryeministror.

Koha e fletërrufeve ndaj kundërshtarëve dhe e propagandës boshe pa punë apo pa rezultate duhet të marrë fund. Ajo mund të zhbëhet vetëm duke u bërë rotacioni politik. Liria e medias duhet respektuar deri në cakun që ajo nuk keqpërdoret. Etika profesionale dhe korrektesa në punën në media duhet mbështetur, jo servilizmi, blerja apo përdorimi i medias për qëllime jashtë atij që është interesi publik. Të gjithë e kemi për detyrë dhe të drejtë ta çojmë përpara misionin e lirisë së shprehjes!

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!