Home Aktualitet Përtej klishesë “Mungesë Besimi”

Përtej klishesë “Mungesë Besimi”

nga Sonila Osmanaj

Nga Edmond Haxhinasto

Studime serioze mbi vlerat e qëndrueshme shoqërore dhe lidhjen e tyre me zhvillimin e shoqërisë, arrijnë në përfundimin se vlera të tilla si shprehja e lirë e mendimit, besimi tek institucionet, toleranca, solidariteti dhe përgjegjësia shoqërore kanë një indeks të lartë kur shoqërite kanë demokraci solide dhe të zhvilluar.
Po kështu, vetë njerëzit, si individë, kanë një besim më të lartë mes tyre, kur besimi tek qeverisja është më i lartë. Në krye të kësaj liste qëndrojnë vende si Finlanda, Norvegjia, Danimarka e Suedia. Jo më kot, këto vende qëndrojnë edhe në krye të vendeve me indeksin më të lartë të lumturisë.
Shqipëria qëndron shumë vende nën nivelin mesatar të këtyre indekseve, me nivele të ulta besimi veçanërisht ndaj qeverisjes.
Mungesa e besimit, (=“trust”, pra, jo në kuptimin fetar =“faith), në të dy dimensionet (horizontal=mes vetë njerëzve tek njeri tjetri, dhe vertikal=mes qytetarëve dhe qeverisjes) nuk ka vetëm efekte demokratike, morale apo sociale. Fatkeqësisht, tek ne, indeksi i besimit është trajtuar vetëm në funksion të efektit zgjedhor, dhe jo të efekteve të tjera shumëplanëshe. Pasojat janë drejtpërdrejtë të lidhura edhe me zhvillimin ekonomik, me ndërtimin e zinxhirit të krijimit të vlerës, me bashkëpunimin korporativ, me mobilizimin e investimeve nga parate e publikut të gjerë, etj. Mungesa e besimit mes aktorëve ekonomikë, sjell pasoja negative për një ekonomi. Kjo reflektohet negativisht në nivelin e ulët të transaksioneve bankare përkundrejt atyre me para në dorë (cash economy), në informalitetin e lartë (disa e vlerësojnë rreth 60 % të ekonomisë si informale), në nivelin e ulët të bashkëpunimit për të realizuar ekonomitë e shkallës (që japin rritje rendimenti e ulje kostosh, pra konkurrueshmëri më të lartë), etj, të cilat ndikojnë drejtpërdrejtë edhe në mënyrën e të bërit biznes dhe në strukturën e ekonomisë.

Tek ne, niveli i ulët i mungesës së besimit ndaj qeverisë tek individi, përkeqësohet çdo ditë nga shembujt të tillë negativë si p.sh. dështimi i ndihmës për të prekurit nga tërmeti, keqmanaxhimi i pandemisë, papërgjegjshmëria totale në përdorimin e parave publike, transparenca e munguar dhe arroganca me të cilën përpiqet të mbulojë skandalet e plasura sheshit, si ato të PPP-ve apo djegësave të mbetjeve, tek paaftësia për të ndalur sadopak hemorragjinë e ikjes së rinisë.
Mungesa e besimit ndaj kësaj qeverisje nuk ka “derman” të rikuperohet. Këtë ma konfirmojnë çdo ditë në të majtë e në të djathtë. Por veçanërisht në të majtë. Parashikimi për rotacionin në 25 prill, tashmë po merr trajtat e një fakti të pranuar gjerësisht e të parandodhur.
Çështja që shtrohet është: Çfarë ndodh më pas?
Përtej domosdoshmërisë së kthimit të besimit të qeverisja, tek transparenca e drejtësia, tek mundësitë e punësimit që do të ofrohen për çdo individ, tek politikat me dhemshuri e përkujdesje për ata që janë më në nevojë, a ka diçka që duhet bërë ndryshe, që duhet të marrë fokus, energji e resurse për të shëruar “traumën” e mosbesimit që ka kaluar e kalon shoqëria jonë? Besoj se po.
Unë besoj se arsimi cilësor është terapia, kura dhe vaksina për traumat dhe sfidat e sotme dhe për ato të ardhshme. Është investimi më i sigurtë për demokracinë, për ekonominë, për vetë mirëqenien e individit dhe shoqërisë në tërësi. është zgjedhje e duhur politike, ekonomike, zhvillimore dhe patriotike. Ky investim parësor të arsimi cilësor duhet të kishte pranim dhe mbështetje bipartizane, sepse kjo nuk është një çështje programesh partiake apo konkurrimi politik, por një domosdoshmëri kombëtare, edhe sepse:
– Shtetet dhe shoqërite më të zhvilluara sot konkurrojnë jo vetëm me sistemet e organizimit të tyre institucional e ekonomik, por, në mënyrë parësore, me sistemet e tyre arsimore, me aftësinë e tyre për t’i shërbyer të ardhmes, dhe në këtë mënyrë edhe mirëqenies së individit e shoqërisë në tërësi. Kjo i shërben njëkohësisht edhe ekonomisë, inovacionit, si dhe konkurrencës në tregun botëror.
– Investimi në sistemin arsimor, në infrastrukturën e tij dhe veçanërisht në kapitalin njerëzor, ka provuar se garanton kthim të sigurtë, me efekte shumë më të gjera se çdo investim tjetër kapital. Shëmbujt e vendeve të zhvilluara apo në zhvillim që e kanë realizuar me sukses janë të shumtë si në Azi, Afrikë, apo Amerikën Latine.
– Kriza e besimit dhe shpopullimit është krizë e pafuqisë për të ndryshuar shpesh qeverisjen kur ajo nuk mban premtimet dhe sillet me arrogancë. Një standard më i lartë arsimor i shoqërisë në tërësi, do ta bëjë rotacionin një proces të shpejtë dhe rutinor në rast keq-qeverisje, si dhe do të garantojë me fanatizëm lirinë e shprehjes dhe sovranitetin e votës së çdo individi.
– Arsimi cilësor dhe një strategji kombëtare që synon edhe efektet përkatëse në sistemin e vlerave dhe psikologjinë sociale të vendit, do të bëjë që shoqëria të ketë resurse të mjaftueshme të kapitalit njerëzor, t’i shpërndajë ato në sektorët prioritarë të saj, dhe rrisë konkurrueshmërinë e produktivitetin. Aktualisht, renditemi në nivelet më të ulta në rajon për konkurrueshmërinë e produktivitetin, për eksportet dhe për tërheqjen e investimeve të huaja. Vetëm pozicioni gjeografik nuk përbën më ndonjë avantazh konkurrues ndaj fqinjëve.
– Edhe sfida madhore e emancipimit të gruas dhe rolit të saj në familje, shoqëri dhe në ekonomi, vjen në mënyrën më të sigurtë si produkt i një arsimimi cilësor.
– Domosdoshmëri përbën arsimi cilësor edhe për procesin e integrimit në BE. Cilësia e negociatave, në plan afatmesëm, dhe marrëdhënia e vazhdueshme me BE në të ardhmen si vend anëtar, kërkojnë ekspertizë dhe cilësi krahasimisht të larta me ato të vendeve anëtare, nëse duam të kemi një vend dinjitoz në këtë “klub” tejet kompetitiv.
– Masivizimi i arsimit të lartë në vitet e tranzicionit ka patur efektet e veta në gjithë hallkat e sistemit arsimor. Shpesh herë, në dëm të cilësisë. Ndërkohë që tregu i punës, me strukturën ekonomike që ka sot vendi: përpunim i ulët i resurseve natyrore, bujqësia, manifaktura me prorosi/fasonët, dhe me pak sektorë shërbimesh që krijojnë vlerë të lartë (si TI) e punësim të mirëpaguar, nuk ka ushtruar presionin e mjaftueshëm për cilësi më të lartë në anën e ofertës. Por nëse duam një strukturë ekonomike që krijon vlerë më të lartë, rritje ekonomike e punësim, arsimi cilësor është një domosdoshmëri.
– Dhe së fundmi për sot, sa më parë qeverisja e ardhshme ta vendosë mirëqënien e individit e të shoqërisë si pikën krahasimore të suksesit të saj e jo numrat e “rritjes ekonomike” apo GDP-së, aq më shpejt do të shohim përkujdesje konkrete për qytetarin dhe investime për vlerat shoqërore që sjellin mirëqënie, ndër të cilat arsimi cilësor zë vend kryesor.

Lajme te ngjashme

error: Content is protected !!
WhatsApp Na Shkruani!