Home Aktualitet Pesë të ekzekutuar në 24 orë, asnjë i arrestuar/ Policia e Lleshajt numëron viktimat…

Pesë të ekzekutuar në 24 orë, asnjë i arrestuar/ Policia e Lleshajt numëron viktimat…

nga Editor

Pesë persona janë vrarë në 24 orët e fundit në 3 ngjarje të ndryshme, ndërsa policia nuk ka mundur të arrestojë asnjë prej autorëve.

Besnik Hida u ekzekutua në Lushnje paraditen e së martës. Hida u ekzekutua teksa po pinte kafe në një lokal nga dy persona të maskuar, që mundën të largoheshin pas krimit.

Pak orë më vonë një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur në Klos, ku viktima mbetën 3 persona të së njëjtës familje. Shkak i sherrit që degjeneroi në përdorimin e armëve ishte një gardh.

Njëri nga vëllezërit Sali Dakuçi, qëlloi me armë kallashnikov ndaj Kujtim Dakuçit, vëllait të tij, dhe më pas vrau edhe nipin 19 vjeçar, Flogert Dakuçi. Në përfundim, autori i krimit u vetëvra, duke e çuar bilancin në 3 viktima.

Sot, në orët e pasdrekes, u gjet i vrarë në një kanal uji, Eri Zefi. Krimi ka ndodhur në fshatin Zall-Xhuxhë të Mirditës, ndërsa dyshimet janë se krimi ka ndodhur për gjakmarrje.

Për të treja ngjarjet ku janë shënuar 5 viktima nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit, që është mjaftuar me komunikatat operative mbi ngjarjet, duke dhënë emrat e viktimave.

E ndërsa në ngjarjen e Klosit, autori është vetëvrarë, pasi edhe mund të ishte larguar, në dy ngjarjet e tjera, policia nuk ka mundur të kapë apo ndalojë asnjë të dyshuar.

Dhe po t’i shtosh këtu edhe dështimin në kapjen e kokave të trafikut të kokainës që ka hyrë me kontenier nga vendet e Amerikës Latine apo Qendrore, policia e Lleshajt thellon bilancin “pozitiv” përsa i takon ngjarjeve kriminale.

Po kështu për vrasjen e ndodhur në Tiranë të Santiago Malkos policia nuk ka mundur të ndalojë asnjë nga autorët e dyshuar, edhe pse thotë se i ka identifikuar, ka publikuar emrat dhe i ka shpallur në kërkim.

E njëjta situatë edhe me vrasjen e teknikut të kondicionerëve ndodhur pak muaj më parë, ku autorët e dyshuar janë identifikuar, janë shpallur në kërkim për një krim të ndodhur në mes të Tiranës, por sërisht autorët nuk janë kapur.

Shfaqja e fundit e ministrit të Brendshëm është në datën 27 shtator, pra 5 ditë më parë, kur fliste mbi operacionin që çoi në sekuestrimin e 137 kg kokainë në kontenierët e bananeve që kishin si destinacion final Portin e Durrësit.

“KUITO” një tjetër provë e pjekurisë profesionale dhe e angazhimit serioz të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar, i cili ka marrë sot një goditje domethënëse. Përgëzime për Policinë e Shetit dhe falënderime për partnerët tanë, e gjitha vazhdon…”, shkruante Lleshaj në Twitter, edhe pse lënda narkotike u zbulua në Portin e Pierut në Greqi, nga policia greke dhe agjentë të DEA-s amerikane, që zëvendësuan lëndën narkotike me oriz pluhur, një shenjë mosbesimi ndaj autoriteteve shqiptare, që nuk arritën të kapin asnjë nga drejtuesit e trafikut.

Kur mori detyrën si ministër i Brendshëm, Lleshaj do të shprehej se një nga detyrat kryesore të policisë do të ishte parandalimi i krimeve, veçanërisht ato kundër jetës dhe pronës.

Në fakt, policia nën drejtimin politik të tij, ka vetëm një arritje nëse mund të konsiderohet e tillë, mbytjen e Tiranës me gaz, gjatë protestave opozitare.

Këtë policia e Lleshajt e ka përmbushur me sukses, për të tjerat ka vetëm statistika. 

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!