Home Aktualitet RËNIA E ÇATISË SË PANDËSHKUESHMËRISË

RËNIA E ÇATISË SË PANDËSHKUESHMËRISË

nga Sonila Osmanaj

NGA GENTIAN ÇALA

Shqipëria ka pasur disa fenomene negative gjatë tre dekadave të demokracisë, por pa dyshim që pandëshkueshmëria mbetet një nga fenomenet që ka dëmtuar thelbësisht qeverisjen e vendit. Pala opozitare denonconte mazhorancën për mëkatet e saj, por sapo vinte në pushtet e harronte betejën e ndëshkimit të paudhësive. Mungonte vullneti politik që ti çonte para drejtësisë mëkatarët e korrupsionit apo të abuzimit me pushtetin e dhënë. Qeveria Rama ndërtoi çatinë e pandëshkueshmërisë duke intensifikuar ndërthurjen e krimit me politikën, duke politizuar segmente të ndjekies apo hetimit, si dhe duke futur drejtësinë në një reformë paralizuese.

Disa prej shembujve më kërcitës ishin rasti i ish-Ministrit të Brendshëm Tahiri, ikja e Zaganit dhe disa oficerëve të policisë të ndershëm si ai nga vendi, vetëm se denoncuan përfshirjen në krime të segmenteve të Policisë së Shtetit. Mosndëshkimi i strukturave përgjegjëse për tenderin e Unazës, mbyllja ose vonesat në hetimin e dosjeve të PPP-ve në shëndetësi, inceneratorët, prishja e Teatrit Kombëtar, pastrimi i parave të krimit, kanabizimi i vendit, tenderat e paracaktuar apo me kosto të fryra ngado në pushtetin qendror dhe lokal. Askush nuk u dënua për korrupsion apo për abuzime me detyrën, kurse krimi i organizuar kishte mbrojtje politike.

Nëse ka diçka që ka zhgënjyer shqiptarët nga politika ajo është mosndëshkimi i atyre që përfitojnë në mënyrë të paligjshme apo që abuzojnë me pushtetin. Kjo duhet të marrë fund! Të korruptuarit, të përfshirët në krime dhe abuzuesit e pushtetit duhet të ndëshkohen qofshin Kryeministër, Ministra, Kryetarë Bashkishë, Deputetë apo Drejtorë, Drejtues Policie apo Gjyqtarë, kushdo, pa imunitet përballë ligjit. Opozita që po përgatitet të vijë në pushtet duhet të kuptojë se fajtorët duhet të çohen para drejtësisë, si nga radhët e saj ashtu edhe te kundërshtarët politikë.

Rama dhe ministrat e tij, duhet të përgjigjen për zullumet e tyre dhe i duhet sekuestruar çdo përfitim i krijuar nga korrupsioni apo ndonjë mënyrë tjetër e paligjshme. Natyrisht që fjalën e fundit nuk do ta thotë politika, por drejtësia. Politikës i kërkohet vullneti për ndëshkimin e çdo paligjshmërie. Padrejtësia dhe mosndëshkimi i njerëzve me pushtet (apo i tarafit dhe njerëzve të lidhur me ta), ka krijuar mosbesimin e qytetarëve te politika dhe është një nga faktorët që po i kontribuon braktisjes së vendit. Vota në 25 Prill do të jetë votë pro rrëzimit të Ramës dhe rrëzimit të çatisë së pandëshkueshmërisë që frymëzoi dhe krijoi Rilindja, duke krijuar kulturën e një demokracie ku paudhësitë e pushtetarëve ndëshkohen me ligj.

Lajme te ngjashme

WhatsApp Na Shkruani!