Home Aktualitet ‘Skenari është i hapur’, Palushi: Vendi do të shkojë drejt rotacionit

‘Skenari është i hapur’, Palushi: Vendi do të shkojë drejt rotacionit

nga Albina Hoxhaj

Kryeredaktori i gazetës Mapo, Enton Palushi, i ftuar në Ora News, për të komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, është shprehur se, Opozita po përgatitet për zgjedhje të parakohshme, lokale dhe parlamentare në një datë.

Ai iu referua dokumentit gjerman të miratuar në Bundestag, ku kërkohet fillimisht të miratohet një reformë zgjedhore me konsensusin e të gjitha palëve dhe më pas të shkohet tek zbatimi i kësaj reforme në mënyrë që të hapen realisht negociatat.

“Zbatimi i një reforme zgjedhore nënkupton zgjedhje të reja”, u shpreh gazetari.

Sa u përket kushteve gjermane, një nga më të vështirat, sipas Palushit, është ai që parashikon zbatim të ligjit të ri zgjedhor. 

Kryeredaktori i Mapos tha se tryeza e organizuar për kodin zgjedhor nuk mund të quhet dështim, pasi ajo dha një sinjal pozitiv se gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur. Sipas tij, kriza erdhi nga zgjedhjet dhe me zgjedhje do zgjidhet.

Megjithatë Palushi e pranoi se mbetet të shihet se cili është reagimi i mazhorancës ndaj kushteve gjermane. Palushi tha se një raportim i Zërit të Amerikës dukej se ironizonte faktin se mazhoranca e ka marrë me entuziazëm vendosjen e kushteve. Sipas tij, Gjermania e ka diferencuar Shqipërinë me Maqedoninë që në vendosjen e kushteve.

Palushi tha se pavarësisht se Shqipëria është përfshirë nga protesta të shumta dhe zemërimi me klasën politikën dhe elitat është i lartë, sërish vendi duket se do të shkojë drejt një rotacioni klasik, ku largohet PS dhe vjen PD në pushtet. Sipas tij, në skenën politike nuk u shfaq ndonjë rrymë, parti, lëvizje apo ndjeshmëri e re gjatë kësaj kohe.

E gjitha të lë të kuptosh se skema klasike do jetë largimi i Edi Ramës dhe ardhja e Lulzim Bashës.

I pyetur se përse nuk u shfaq asnjë ndjeshmëri e re politike gjatë kësaj kohe, Palushi tha se nuk di të thotë arsyet me saktësi, por fakt është se media dhe kodi zgjedhor nuk e pengojnë frymën e re që të dalë në pah. Edhe për opozitën e re në Kuvend, Palushi tha se ajo e kishte shansin e saj dhe nuk e përdori. Ndikimi i saj do jetë i papërfillshëm në të ardhmen, tha Palushi.

Duke komentuar raportin e Komisionit të Venecias, Palushi tha se ajo kishte përbërësin juridik, që theksonte se presidenti Ilir Meta ka tejkaluar kompetencat, por kjo nuk është shkelje e rëndë. Përveç kësaj kishte dhe interpretime politike në fund të raportit, ku thuhej se presidenti mund të shkarkohet pasi pushtetet rrezikojnë të bien në një dorë.

Palushi tha se ky raport duket se legjitimon 30 qershorin si datë zgjedhjesh, por ai shtoi se data e zgjedhjeve është një gjë dhe procesi në tërësi është një tjetër.

Sipas tij, ky raport bashkë me dokumentin tjetër, atë të OSBE/ODIHR për votimet e 30 qershorit, do jenë në tavolinën e drejtësisë së re kur Gjykata Kushtetuese të marrë një vendim.

Palushi theksoi megjithatë se ndërkombëtarët, në këtë rast gjermanët, nuk e njohim akoma ligjshmërinë e këtij procesi dhe jo më kot kanë kërkuar një vendim nga Gjykata Kushtetuese, madje në stilin e tyre kanë shtuar nga pas jo pa qëllim fjalinë se: nëse votimet e 30 qershorit rrëzohen, zgjedhjet e reja duhen bërë me kodin e ri zgjedhor

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!