Home Aktualitet “Me Ramën kemi bërë një hap përpara”… drejt greminës

“Me Ramën kemi bërë një hap përpara”… drejt greminës

nga Editor

Nga Dritan SHANO

Reportazh nga Jugu

Fjalia hapëse në fjalën drejtuar popullit të vet nga një diktator afrikan: “Kur morra pushtetin vendi ishte në buzë të greminës. Që atëhere kemi bërë edhe një hap tjetër të madh përpara!”

Nuk ju duket sikur po e jetojmë përditë. Dhe që nga Nëntori i vjetshëm e deri sot të amplifikuar edhe shumë më tepër. Sikur e kemi bërë edhe ne hapin e madh në boshllëkun akoma dhe më të madh ekonomik e psiko-social të krijuar nga qeveria?!

– Do ketë një paketë të tretë për biznesin, ne vijim të këtyre 2 paketave sociale – tha Kryeministri, në pranverë;

– Nuk do ketë një paketë të tretë për biznesin, nuk e kam thënë, dhe as nuk është e nevojshme – tha po i njëjti Kryeministër në fillim të verës.

E gjithë ndihma e dhënë për të amortizuar kostot e krijuara nga Qeveria, me vendimet e saj për mbylljen e ekonomisë dhe jetës së njerëzve është në rendin e 100 milion Euro, kur Qeveria vetëm për periudhën Janar-Qershor 2020 e ka fryrë e zmadhuar shtetin duke marrë borxh mbi 1 miliard Euro.

Dihet që çdo krizë është njëherësh edhe oportunitet, por për kë?

Dialogu im dje në një strukturë hoteliere në jug të vendit me një djalë 25-26 vjeçar që punonte kamarier:

– Çkemi?! Sa kohë ke që punon këtu?

– Tre muaj. Që në qershor. Pa pushim, asnjë ditë.

– Po më parë?

– Kamarier në Tiranë. Në restorant “xxx”. Po atë e mbylli qeveria.

– Këtu mbyllet në datë 7 apo jo. Ku do shkosh pastaj?

– Puna në Tiranë vazhdon e mbyllur. Nuk e di. Nuk e di fare.

Pas 3 ditësh jeta e këtij të riu është e paralizuar. Këmbët e tij nuk dinë nga të lëvizin. Ai ka mbetur në udhëkryq të rrezikshëm. Ka në xhep 3 rroga kamarieri dhe bakshishet e 3 muajve punë. Pas 3 ditësh ai nuk do ketë mundësi të krijojë të ardhura të tjera për të mbajtur frymën gjallë.

Njësoj si dhjetëra mijëra biznese që u mbyllën këto muaj pa patur mundësi për të ruajtur punësimin, të ardhurat për mbajtur familjet e vazhduar jetën. Për këta duhej ajo paketa e 3 si ndihmë direkte për bizneset ????

Është e qartë se bizneset e mbyllura, të rinjtë si ai i bisedës time nuk përfituan ndonjë oportunitet nga qeveria për të ardhmen e tyre. Nuk dihet si do shkojë jeta e tyre. Nuk dihet gjithashtu ku shkuan apo ku shkojnë paratë e marra borxh nga Qeveria. Në çfarë oportunitetesh u përdorën.

Por për Kryeministrin gjithçhka duket mirë. Ai kërkon një mandat te 3-të, për të qeverisur akoma dhe më shumë se kaq, shqiptarët që flenë në çadra, dhe nuk kanë punë e të ardhura.

Posi, posi.

Lajme te ngjashme