Home Aktualitet Tre çështjet që Edi Rama duhet të sqarojë për detin që populli të mos turret drejt kryeministrisë

Tre çështjet që Edi Rama duhet të sqarojë për detin që populli të mos turret drejt kryeministrisë

nga Editor

Bisedimet mes Greqisë dhe Shqipërisë për paktin detar janë denoncuar shpesh nga media për mungesë transparence. Pas vendimit të Greqisë, dy javë më parë, për zgjerimin me 12 milje edhe në detin Jon, pikëpyetjet për paktin detar janë shtuar edhe më shumë. Qeveria “Rama” nuk ka dhënë ende detaje për metodën e negocimit në publik, por ajo çfarë e bën dhe më serioze situatën është mos informimi i institucioneve të tjera shtetërore duke nisur nga Presidenti i Republikës, i cili si kryetar shteti kërkon sqarime për këtë çështje kombëtare.

Dje në mediat afër qeverisë u publikua një letër që kreu i shtetit i dërgonte kryeministrit Edi Rama, njëherazi dhe ministër i Jashtëm lidhur me paktin me Greqinë. Korrespodenca të këtij niveli dhe për këto çështje bëjnë pjesë te sekreti shtetëror,  por qeveria e ka gjykuar të udhës ta shpërndajë si një informacion për klikimet e portaleve. Ky nuk është rasti i parë që qeveria nxjerrë shkresa të tilla, por pavarësisht kësaj mesazhet e letrës vlejnë edhe për debat publik.

Kreu i shtetit kërkon nga kreu i qeverisë dhe ministri i Jashtëm informacione lidhur me qëndrimin e fundit të Greqisë për zgjerimin e kufirit detar me 12 milje. Janë tre çështje që kreu i shtetit i ngre si shqetësime dhe kërkon përgjigje zyrtare nga Kryeministri. Duke qënë se zgjerimi i Greqisë lidhet me detin shqiptar, Presidentit Meta kërkon nga kryeministri që ta informojë për “komunikimin që ka zhvilluar me kryeministrin e Greqisë dhe/ose me zyrtarë të lartë të Greqisë mbi këtë çështje”.  Çështja e dytë që Edi Rama duhet të japë shpjegime lidhet me “qëndrimin zyrtar të qeverisë shqiptare ndaj një vendimi të tillë dhe pasojave, përfshirë dhe ato ndërkombëtare”. Çështja e tretë ka të bëjë me strategjinë që do të ndjek qeveria “Rama” përballë situatës së re në raport me Greqinë dhe Presidenti i kërkon informacion mbi “veprimet që planifikohen të ndërmerren nga qeveria shqiptare ndaj pasojave që mund të vijnë prej një akti të tillë të njëanshëm të Greqisë”.

Kushtetuta i jep të drejtë Presidentit që të informohet nga gjithë institucionet për çështje të caktuara, sidomos për një rast të tillë që prek territorin e shtetit shqiptar. Në rastin e politikës së jashtme dhe sidomos çështjeve që lidhen me territorin e vendit, koordinimi mes presidencës dhe qeverisë është detyrim ligjor dhe institucional. Letra e kreut të shtetit tregon se politika e jashtme e qeverisë “Rama” funksion si degë e Partisë Socialiste. Një çështje kaq e rëndësishme si ajo e kufirit detar dhe zgjerimin e Greqisë më 12 milje është trajtuar si një problem privat i Edi Ramës me homologun grek. Ndërkohë që shtete dhe qeveri normale në situata të tilla jo vetëm informojnë gjithë institucionet që kanë përgjegjësi për këto çështje, por thërrasin dhe mbledhjen e strukturave më të larta shtetërore. Kryeministri Edi Rama duket se e ka zgjidhur çështjen e detit vetëm me telefonata personale që nuk janë zbardhur nga zyrat e shtypit e qeverisë. Kur në Greqi nisi diskutimi për zgjerimin me 12 milje në deti Jon dhe në Egje, homologu i Edi Ramës, Kirjako Micotakis thirri për informim të gjitha partitë e opozitës. Qëllimi ishte që politika dhe shteti grek të flasin në një zë për interesat e tyre të përbashkëta. Ndërkohë në Tiranë vendimmarrja për një çështje kaq kombëtare i është lënë vetëm një njeriu. Edi Rama, opozitën nuk e quan më pjesë të këtij vendi dhe as ka marrë mundimin t’i informojë zyrtarisht edhe pse kjo çështje lidhet dhe me opozitën. Ndërkohë letra e presidentit tregon se kryeministri nuk ka bërë as aktin më minimal, konsultimin me kreun e shtetit për çështjen e Greqisë.

Edi Rama ka vendosur që për çdo gjë të vendos vetë dhe përgjegjësinë për gafat dhe shkeljet do t’a paguajë po vetë. Çështjet që kreu i shtetit ka ngritur në letrën e tij për Ramën qëndrojnë dhe për qytetarët dhe kryeministri duhet të japë sqarimet për bisedimet me Greqinë.

Presidenti ka garantuar se nuk do të lejojë asnjë cënim të territorit shqiptar, kushdo që ta firmosë apo të bëjë pazare personale.

Me sa duket kryeministri ka firmosur ose ka dhënë lejen për detin, çka nëse vertetohet atëhere populli do mësyjë të dera e kryeministrisë./Mili Xhani/

Lajme te ngjashme