Home Aktualitet Marrëveshja e Detit me Greqinë kërkon transparencë të plotë publike

Marrëveshja e Detit me Greqinë kërkon transparencë të plotë publike

nga Editor

Nga Arben Braçe-

Me një ndjenjë të theksuar përulje, inferioriteti dhe paftësie për të mbrojtur sovranitetin territorial, Kryeministri përligji thirrjen inextremis të etnocentrizmit të homologut grek Mitsotaqis në lidhje me zgjerimin e kufijve detar në 12 milje mbështetur ne nenin 3 të Konventës Ndërkombëtare të Detit. Zgjerimi i territorit grek sipas këtij arësyetimi nuk bëhet mbështetur në ligj, sepse konventa nuk parashikon vetëm nenin 3 të saj, por edhe shumë nene të tjera dhe precedentë ndërkombëtarë, që nuk konvergojnë me nenin 3 të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit, të Montego Bay 1982 (UNCLOS) dhe paraqesin kushte të tjera për raste specifike, sikur ai ndërmjet dy vendeve tona.

Sipas deklarimit të Kryeministrit Grek, zgjerimi i Greqisë bëhet 100% në kurriz të territorit shqiptar dhe aspak mbështetur në të drejtën ndërkombëtare dhe në atë që parashikohet në marrëveshjet dypalëshe dhe në precedentët e Gjykatës Ndërkombëtare Detare.

Mbasi ka dorëzuar me vullnet të plotë të gjithë pasuritë e vendit në duart e klientelës oligarke, pa marrë parasysh interesat e kombëtare dhe të të tjerëve, përfaqësuesi i Rilindjes si një parti klasike e klientelës, dorëzon territorin me një amoralitet madhor në duart e fqinjëve të cilët prej shekujsh kanë gllabëruar më shumë se një të tretën e territorit shqiptar dhe akoma nuk kanë të ngopur.

Thelbi i çështjes ka të bëjë me faktin që në asnjë ligj ndërkombëtar dhe në asnjë precedent ndërkombëtar ose marrëveshje të ndarjes së detit sikurse paraqitet rasti ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, asnjëra nga palët nuk ka të drejtën të zgjerohet me 12 milje. Por shqetësimi kryesor nuk qëndron aspak këtu. Ajo që prek kulmin e tradhëtisë kombëtare ka të bëjë me faktin që Kryeministri pa asnjë lloj emoncioni, pa u konsultuar me ekspertët dhe akademikët e fushës dhe ata ndërkombëtarë, sepse në qeveri për shkakun e kujdesit të akomodimit të të korruptuarëve dhe të militantëve nuk kanë mbetur specialistë, me një gjuhë tepër sempliste, cinike dhe vullgare e konsideron të ligjshëm, dhe në përputhje me aktin ndërkombëtar deklarimin e Kryeministrit grek, i cili edhe vetë nuk beson në deklaratën e tij.

Natyrisht që të vërtetën, nuk mund të urdhërojë asnjë tiran, e asnjë kryeministër i huaj nuk mund ta vendosë, asnjë ligj dhe asnjë shumicë parlamentare. Mund të vendosë vetëm çfarë duhet të ndodhë, por jo se çfarë është e vërtetë.

Në paragrafin e parë të nenit 15-të, të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS), thuhet: “Kur brigjet e dy shteteve janë të kundërta, ose ngjitur me njëra-tjetrën, asnjëri nga të dy shtetet nuk ka të drejtë, duke mos arritur marrëveshjen midis tyre në të kundërt, të zgjasë detin e tij territorial përtej vijës mesatare, çdo pikë e së cilës është e barabartë nga pikat më të afërta në pikat bazë nga të cilat matet gjërësia e deteve territoriale të secilit prej dy shteteve. Dispozita e mësipërme nuk zbatohet, megjithatë, kur është e nevojshme për shkak të titullit historik ose rrethanave të tjera të veçanta për të kufizuar detet terrritoriale të dy shteteve në një mënyrë që është në ndryshim prej tyre”.

A nuk janë tërësisht të kundërta brigjet detare ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë? A nuk jemi para rastit klasik të nenit 15 të Konventës? Metodat e vijës së mesit nuk aplikohen kur ekzistojnë rrethana të veçanta apo të drejta historike. Sikur me vullnetin e saj, pala greke të zgjerohej në 12 milje do të ishte një precedet i pa ndodhur më parë, sepse në këtë formë do të mbyllej tërësisht Gjiri i Sarandës duke atrofizuar nga zhvillimi Shqipërinë e Jugut e cila për të marrë kontakt me gjymtyrët e saj duhet t’i marrë leje Greqisë. Do të ishte një grabitje territoriale prej mijëra km katrorë det, duke cënuar rëndë territorin dhe sovranitetin e vendit.

Duke vepruar në këtë formë Greqia me një dorë rrëmben edhe një pjesë të madhe të Shelfit Kontinental por edhe të Zonave Eskluzive Ekonomike që i përkasin Shqipërisë, ku sipas vetë studimeve të shkencëtarëve grekë, ato janë zona shumë të pasura me naftë dhe me gaz. Zgjerimi me 12 milje sipas deklarimit të palës greke bëhet në detin territorial në të cilin shteti shqiptar juridikisht ka sovranitet, ndërsa në Shelfin Kontinental dhe në Zonat Eskluzive Ekonomike ai ushtron vetëm të drejta sovrane. Zgjerimi i bërë në këtë formë bie në kundërshtim me Kushteteutën Shqiptare por edhe me Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë 15 Prill 2010, sepse asimilon haptazi kufirin shtetëror që ndan territoret e shteteve duke cënuar sovranitetin.

Greqia ka një territor shumë të veçantë dhe super të favorizuar nga Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit. Greqia aktualisht ka pesë herë më shumë sipërfaqe deti se sa tokë. Në momentet e rënies së perandorisë Osmane ajo përfitoi pothuaj 90 përqind të Detit Egje, tashmë një pjesë shumë të madhe të Detit Mesdhetar edhe të Detit Jon.

Rasti i deklarimit të veprimit të aneksimit të zgjerimit të kufijve detar në 12 milje mbështetur në nenin 3 të Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS), është një veprim grabitqar i cili do të krijojë një precedent të rrezikshëm, “Casus belli” shkak për luftë, duke qënë se do të përdorej shpesh nga vetë Greqia që ka ishuj të shumtë dhe do të binte ndesh me disa shtete fqinjë sikur Turqia dhe do të sillte për pasojë humbjen e territorit detar të saj.

Në qoftë se shkëmbi ishullor “Barketa” i cili në marrëveshjen e parë u llogarit sikur të ishtë tokë kontinentale greke dhe si pasojë e të cilit u humbën 350 km hapësirë detare kjo padyshim do të sillte si precedent që edhe në rastin e pikës më të diskutueshme atë të ishullit “Kastelorizo” ndërmjet Turqisë e cila nuk merr pjesë në Konventën Ndërkombëtre të Detit. Ky ishull është në Detin Egje, shumë pranë bregut turk dhe gëzon sikur pjesa e jonë territoriale pasuri të konsiderueshme nëntokësore. Duke qënë skenofile pala greke përmend 12 miljet në marrëveshjen me Italinë dhe Egjiptin, duke marrë anën e të grabiturve, dhe mos marrë në konsideratë që ato janë të  një karakteri tjetër me qënë se me këta dy shtete nuk ka ishuj pranë.

Ndodhur në këto kushte duke u zhdehur nga ekstaza patriotike e zgjerimit në kurriz të fqinjit do të ishte shumë e përshtatshme që të fillohej me negociata transparente për një diçka të tillë madhore sikurse është territori dhe sovraniteti i vendit. Prej më se 20-vitesh qytetarët e Santiagos, monitorojnë në TV të gjithë veprimet e Kryetarit të Bashkisë gjatë ushtrimit të detyrës dhe jo me negociata që kanë të bëjnë me territorin i cili është i pazëvendësueshëm. Asnjë neogociatë nuk është bërë trasparente edhe me qeverinë Cipras, sikurse nuk kemi asnjë veprim dhe asnjë studim të gatshëm për t’u përballur me palën greke e cila po vendos veton në një situatë pakthim. Qeveria pandeh se trasparencë do të thotë rezultati përfundimtar, ndërkohë që me kushtetutë ka detyrimin të paraqesë të gjithë detajet teknike, ligjet e përshtashme për këtë çështje, mënyrat e selektimit të ekspertëve të grupit negociator, çështjet që do të parashtrohen, etj.

Duke patur si prioritet integritetin territorial të gjirit të Sarandës, rrethanat historike të bashkëpunimit me Italinë nëpërmjet kanalit të Otrantos, pamundesinë e marrjes se distancës nga cektina shkëmbore Barketa e cila më shumë qëndron e mbuluar nga baticat, ishullin e pabanuar të Othonoit, pala shqiptare duhet të ulet në trasparencë të plotë publike dhe me konsulencë ndërkombëtare si vend i NATO dhe i Aleancës Euroatlantike në diskutime që të përqëndrohen tek Shelfi Kontinental dhe ndarjen e Zonave Eskluzive Ekonomike, duke e trajtuar ruajtjen e e sovranitetit dhe të territorit si një sfidë dhe plebishit i përditshëm për ekzistencën e kombit.

Lajme te ngjashme