Home Aktualitet Nis hetimi në Kroaci për presidentin, përdori helikopter shtetëror për takimin privat me Ramën në Jalë

Nis hetimi në Kroaci për presidentin, përdori helikopter shtetëror për takimin privat me Ramën në Jalë

nga Editor

Në Kroaci parlamenti pritet të nisë hetimet për presidentin e vendit, Zoran Milanoviç, pas vizitës private që zhvilloi dy javë më parë në Dhërmi. Presidenti korat vizitoi kryeministrin Edi Rama në vilën qeveritare dhe u panë bashkë në lokalin më luksoz të zonës. Sipas mediave kroate, udhëtimi në Shqipëri nuk ishte zyrtar, por pjesë e një vizite private. Për udhëtimin drejt Jugut të Shqipërisë, Zoran Milanoviç ka përdorur një jaht, pronë e ushtrisë kroate dhe helikopterin e forcave të armatosura.

Mediat në Koraci dhe deputetë të opozitës kanë ngritur shqetësimin për shpërdorim të fondeve dhe mjeteve shtetërore e ushtarake për qëllime personale. Sipas asaj që shkruajnë mediat, udhëtimi me anije ushtarake dhe përdorimi i helikopterit është një gafë e rëndë për kreun e shtetit.

Komisioni për Vendosjen e Konflikteve të Interesit në Kroaci ka kërkuar sqarime nga presidenca dhe Ministria e Mbrojtjes. Zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes kanë deklaruar se vetëm shpenzimet për naftë të mjeteve shtetërore për këto udhëtime kushtojnë 13 mijë euro.

Nuk dihen konkluzionet që do të nxjerrë hetimi parlamentare, por debati në Kroaci vlen të shërbejë dhe si model për Shqipërinë. 13 mijë euro duken një shifër qesharake, nëse e krahasojmë me abuzimet që kryhen nga shtetarët tanë.

Edi Rama është kryeministër i një shteti që nuk ka asnjë avion luftarak në dispozicion, gjë që na bën të dukemi si vendi më i lodhur i NATO-s. Megjithatë, ndryshe nga shumë qeveri të rajonit, kabineti “Rama” ka në dispozicion një avion thuajse privat të “Air Albania”. Në media janë denoncuar raste kur avioni është përdorur për udhëtime personale të kryeministrit. Në mes të pandemisë në muajin mars, kryeministria pranoi se Edi Rama udhëtoi drejt Parisit në një vizitë private. Askush nuk sqaroi nga qeveria sesa kushtoi udhëtimi dhe kush i pagoi shpenzimin e një vizite private, për një avion që normalisht kërkon 30-50 mijë euro për një udhëtim.

Gjithashtu helikopterët e ushtrisë sonë janë vënë shpesh herë në shërbim të kreut të qeverisë. Udhëtimet nuk kanë qenë qeveritare, por takime elektorale të PS në Kukës, Sarandë apo dhe raste të tjera të pa publikuara në media.

Sigurisht që qeveria do të përdor mjetet e shtetit, por gjithmonë në funksion të detyrës shtetërore. Në Kroaci ka nisur hetim parlamentar për 13 mijë euro dhe në qeverinë “Rama” duhet të jenë duke qeshur kur dëgjojnë për hetim të tillë. Për kaq pak para nuk e llogarisin as si shkelje.

Mediat kroate për vizitën private të Zoran Milanoviç në Shqipëri

Lajme te ngjashme