Home Aktualitet VONË, SHUMË VONË Z.RAMA

VONË, SHUMË VONË Z.RAMA

nga Editor

Nga Gentian Çala

Daljet e shpeshta gjatë ditëve të fundit në Qendrën Spitalore Universitare të Tiranës dhe përbetimet për ngritje pagash apo investimesh në shëndetësi të Kryeministrit Rama, janë jo vetëm të vonuara. Duke qenë pjesë e sistemit shëndetësor dhe në nivel menaxhues për disa vite kam mundur të konstatoj se qëndrimet e KM-së dhe mazhorancës për shëndetësinë kanë qenë tërësisht zhgënjyese. Mund të them se rekordet në shëndetësi, pa marrë në konsideratë menaxhimin e pandemisë së Covid-19, janë krejtësisht dështim. Le të rendisim disa.

Nuk mjafton që ishim vendi i fundit në Europë për profesionistë shëndetësorë për 1000 banorë, vendi me numrin më të vogël të shtretërve spitalorë për 1000 banorë, por në vitin 2015 Qeveria Rama shkurtoi stafet e spitaleve me disa qindra punonjës. Shtretërit spitalorë që disponojmë janë rreth 7000 dhe disa prej tyre kanë xhiro shtrati të lartë, kryesisht në nivelin terciar, ndërsa disa janë thuajse të pashfrytëzuar në spitale bashkiake apo rajonale. Asimetria e sistemit shëndetësor nuk kurohej aspak nga politikat shëndetësore. Emigrimi i mjekëve dhe infermierëve në vitet e fundit ka njohur majat. Asnjë masë nuk u mor për parandalimin e fenomenit.

Burimet njerëzore që punojnë në shëndetësi në anketimet e përvitshme ishin të pakënaqur në masë të konsiderueshme me kushtet e punës dhe trajtimin dhe sigurinë e tyre në punë. Investimet në shëndetësi jo vetëm që nuk njohën rritje, por fondet u orjentuan drejt partneritetit publik-privat në formë të out-sourcing pa kujdes, studime dhe në forma të kritikuara nga institucionet ndërkombëtare. Indeksi i kujdesit shëndetësor na renditi të fundit në Europë duke dëshmuar qartë se Qeveria s’ka bërë asgjë për shëndetësinë. Paratë që shqiptarët e tyre për shpenzime shëndetësore shkonin në masën 50%, duke na renditur ndër vendet me indeksin më të keq në Europë në këtë aspekt.

Procesi i akreditimit të shërbimeve spitalore i nisur në vitet e para të qeverisjes së mazhorancës aktuale duket se në vitet e fundit nuk po përparon dhe është në vendnumëro. Shëndetësia jo vetëm që nuk njohu përmirësime, por bëri hapa pas duke dëshmuar se qeverisja Rama në këtë sektor (ashtu si edhe në shumë të tjerë) politizoi sektorin, bëri propagandë dhe e dëmtoi atë duke u dhënë shërbime të saj klientëve përnes aferave të dyshimta (disa prej koncensioneve përfunduan në prokurori, por pa u bërë drejtësi për abuzuesit).

Pamdemia nxorri në pah nevojën jetike të një sistemi shëndetësor të pavarur brenda vendit, në një botë ku të gjithë i përfshin i njëjti hall. Pandemia ktheu vëmendjen te nevoja e reformimit dhe investimeve në shëndetësi pasi publiku duket më i ndjeshëm se kurrë ndaj nevojës dhe cilësisë të shërbimeve shëndetësore. Rama i ndjerë në presion nga publiku dhe opozita filloi të shpalosë sërisht propagandën dhe mashtrimet e tij. Nuk ka më as kohë, as moral dhe as mjete të bëjë ato që duhej ti kishte bërë më parë.
Vonë, shumë vonë Z.Rama!

Lajme te ngjashme