80-vjeçarja Lefteria Qendrothanasi ishte braktisur nga familjarët por edhe nga institucionet shtetërore që e kanë për detyrë kujdesin ndaj personave vunerabël. Pas apelit në rrjete sociale, drejtoria e Kujdesit Shëndetësor në Vlorë ndërhyri dhe ambulanca mori të moshuarën duke e dërguar në spitalin e Sarandës për të parë gjendjen shëndetësore.
Të moshuarës mizat dhe insektet i kishin mbuluar trupin. Lefteria qëndronte natë e ditë jashtë në gjendje të mjeruar. Skena surreale luhej në sytë e të gjithëve: Institucioneve, familjarëve e banorëve të fshatit turistik Piqeras në Lukovë. 80-vjeçarja Lefteria Qendrothanasi qëndronte prej shumë kohësh në këtë gjendje, e braktisur e në mjerim.
Tre vite më parë u dogj shtëpia e saj. Njësia administrative Lukovë, tha se e ka dërguar asokohe në azil, por e moshuara nuk qëndroi. Më pas është caktuar si kujdestare, kunata e saj. E pyetur nga Report tv, Androniqi Qendrothanasi tha se ka të pamundur të kujdeset për 80-vjeçaren, edhe pse paguhet për këtë punë.